` . (VIDEO) Deputetët pritet të votojnë zëvendësministrat e Qeverisë së re - TV SHENJA

(VIDEO) Deputetët pritet të votojnë zëvendësministrat e Qeverisë së re

Kuvendi pritet që sot të votojë zëvendës ministrat e Qeverisë së re me të cilët do të kompletohet eshaloni i parë dhe i dytë i pushtetit ekzekutiv. Seanca filloi me konstatimin e dorëheqjes së deputetit, Damjan Mançevski dhe më pas KSHZ solli në Kuvend vendimin për kandidatin e radhës nga lista e LSDM-së, Dime Vellkovski. Pas pauzës deputetët verifikuan mandatin e kolegut të tyre të ri dhe më pas filloi debati për kandidatët e propozuar për zëvendës ministra. Kryeministri Zoran Zaev siguroi deputetët që bëhet fjalë për kuadro të përgjegjshëm dhe të  ndërgjegjshëm që do të punojnë në realizimin e programit qeveritar.

Zoran Zaev

“Ju siguroj se kandidatët e propozuar me përgjegjësi dhe ndërgjegje do ti kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjet dhe përcaktimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për realizimin e programit të saj, interesave strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe interesave të qytetarëve të saj. Me emërimin e zëvendës ministrave e kompletojmë sistemin e institucioneve të fuqishme dhe efikase, me kapacitet dhe legjitimitet të plotë që në mënyrë efikase do të punojnë parase gjithash në menaxhimin me sukses të situatës me pandeminë”

Nga VMRO-DPMNE thanë se nuk do të votojnë për zëvendës ministrat e propozuar në Qeverinë e Zoran Zaevit, ndërsa pyetën se ku mbeti premtimi për fytyra të reja dhe kuadro të përgjegjshme. Nikolla Miceski tha se bëhet fjalë për kuadro të cilët të vetmen meritë e kanë dëgjueshmërinë ndaj Zaevit në Qeverinë paraprake dhe tani vetëm se transferohen në digastere të tjera.

Nikolla Miceski, VMRO-DPMNE

“Do ta kujtoj zotëri Zaevin, nëse ndryshimi dhe kërkesa e kuadrove të reja dhe të ndërshme, zotëri Agim Nuhiu, zv ministër në MPB dhe një kohë në Qeverinë teknike edhe ministër, e ka cilësinë e mjaftueshme për tu përgjigjur detyrës në Ministrinë e Drejtësisë. Për kapacitetin nuk do të paragjykoja, është e drejta juaj të vlerësoni”

Pas votimit të zëvendës ministrave, Qeveria do të duhet të emërojë edhe drejtorët e rinj në drejtoritë, ndërmarjet publike dhe institucionet e tjera të pushtetit qëndror. Edhe për këto u njoftua se është arritur marrëveshje mes partnerëve të koalicionit, si për ndarje të drejtorive ashtu dhe për kuadrot që do të drejtojnë me to.

Zv/ministër i mbrojtjes – Bashkim Hasani

Zv/ministër i brendshëm – Nazim Bushi

Zv/ministër i drejtësisë – Agim Nuhiu

Zv/ministre e jashtme – Fatmire Isaku

Zv/ministër i financave – Dimitar Kovaçevski

Zv/ministër për sistem politik – Ilhan Rahman

Zv/ministër i ekonomisë – Zoran Manevski

Zv/ministër i bujqësisë – Trajan Dimkovski

Zv/ministër i shëndetësisë – Ilir Hasani

Zv/ministër i arsimit – Arafat Shabani

Zv/ministër i kulturës – Sedat Sulejmani

Zv/ministër i pushtetit lokal – Zoran Dimitrovski

Zv/ministër i punës sociale – Enver Husein

Zv/ministër për shoqëri informatike dhe administratë – Aleksandar Bajdevski

Zv/ministër për transport dhe lidhje – Bekim Rexhepi

Zv/ministre e ekologjisë – Hristina Oxhaklieska.