(VIDEO) Danella Arsovska komenton presionin nga VMRO-ja, thotë se nuk i frikësohet askujt

(VIDEO) Danella Arsovska komenton presionin nga VMRO-ja, thotë se nuk i frikësohet askujt

Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska thotë se nuk ka frikë nga sulmet e orkestruara ndaj saj nga partia opozitare VMRO DPMNE, e cila e mbështeti në zgjedhjet e fundit lokale. Sipas Arsovskës, ajo ka prioritet realizimin e programit për të cilin ka marrë mbështetjen e qytetarëve dhe nuk i intereson politika. Numri një i Shkupit mohoi zërat se ka lidhje me ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe thotë se nuk i intereson politika.

DANELLA ARSOVSKA, KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT
“Unë nuk kam frikë nga askush dhe nëse planifikojnë të ndërmarrin veprime apo jo, kjo është punë e tyre. Për momentin mund të them se kam akoma më shumë miq sesa armiq. Qytetarët e kanë dhënë besimin për ta realizuar buxhetin. Ai besim nuk duhet të tradhtohet dhe këta drejtorë që janë emëruar nuk do të mbrohen nëse bëjnë diçka në kundërshtim me besimin e qytetarëve”.

VMRO DPMNE nga ana tjetër distancohet plotësisht nga Danella Arsovska. Partia opozitare maqedonase madje deklaron se edhe kryetarët e komunave në kuadër të Shkupit nga radhët e saj nuk do të bashkëpunojnë me Arsovskën. Kjo vjen pasi kryetarja e Qytetit nuk e ftoi kryetarin e Gazi Babës nga VMRO DPMNE-ja gjatë promovimit të një projekti sot në këtë komunë.

VMRO DPMNE
“Për shkak të mospasjes së komunikimit adekuat dhe normal të cilin duhet një kryetar i Qytetit të Shkupit ta ketë për të mirën e qytetit, si dhe për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të premtuara nga programi “Për Shkup modern”, për të cilin edhe i ishte dhënë besimi kryetares Arsovska, por edhe përfshirjes së saj të fuqishme në afera të dyshimta dhe kriminele VMRO-DPMNE në tërësi distancohet nga sjellja e Arsovskës dhe kryetarët e VMRO-DPMNE-së nuk do të marrin pjesë në asnjë ngjarje të kryetares Arsovska”.

Nga ana tjetër, vazhdon fushata e zezë kundër VMRO DPMNE-së dhe Mickoskit nëpër billborde në Shkup, lidhur me akuzat e Arsovskës për keqpërdorime në tenderë. Arsovska mohon të ketë lidhje me këtë fushatë, ndërsa LSDM-ja konfirmoi se ajo është porositësja e këtyre billbordeve.

LSDM
“LSDM në 25 bilborde në Shkup vetëm e tregoi të vërtetën të cilën shkupjanët shumë mirë e dinë, ato janë arsyet e përpasjeve në VMRO-DPMNE, para tenderë dhe duart në mjaltë”.

Përplasja mes Arsovskës dhe VMRO DPMNE-së vjen pasi numri një i Qytetit të Shkupit shkarkoi disa drejtorë të VMRO DPMNE-së nën dyshime për korrupsion. Partia opozitare mohoi akuzat dhe tërhoqi drejtorët e tjerë, ndërsa e akuzoi Arsovskën se është bërë palë me pushtetin kundër opozitës. /SHENJA/