(VIDEO) Cipras: Gjatë muajit janar Marrëveshja e Prespës do të arrijë në Greqi

Procesi i ratifikimit të marrëveshjes së Prespës në Greqi, do të fillojë menjëherë pasi vendi të përfundojë ndryshimet kushtetuese dhe të njoftohet Athina në mënyrë zyrtare për rezultatet e arritura.  Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Greqisë,  Aleksis Cipras, në një intervistë për televizionin grek “Open”. Ai detajisht ka përshkruar hapat e ardhshëm që do të ndërmerr qeveria e tij që marrëveshja me Maqedoninë të hyjë në fuqi. Sipas vlerësimeve të tij, deputetët në Greqi gjatë këtij muaji do të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes. Vlerësimet e Tsipras janë se nuk do të duhet më shumë se një javë që Maqedonia ta njoftojë Greqinë për ndryshimet kushtetuese.

Aleksis Cipras, Kryeministri grek
“Kam qëllim që sa po të votohet në Kuvendin e Shkupit dhe sa po të informohet Ministria e Punëve të Jashtme, sa po të informohet me korrespodencë diplomatike për rezultatin, por edhe për nenet e Kushtetutës, sa po të informohet për përfundimin e proceseve në vendin fqinj, menjëherë t’ia dorëzoj rezultatin presidentit të vendit, kryetarit të Kuvendit, partitë. Partitë do të kenë pasqyrë se çfarë ndryshime janë bërë, çfarë është bërë, a është ruajtur korniza e marrëveshjes që e kemi  nënshkruar dhe menjëherë pastaj do të dakordohem me kryetarin e Kuvendit për të filluar proceset”.

Ndërsa, protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, për shkaqe teknike do të ratifikohet më vonë. Cipras tha se periudha në të cilën do të votohet ky protokoll do të varet nga vetë Aleanca.

Aleksis Cipras, Kryeministri grek
“Ajo do të vjen më vonë për arsye teknike, por jo shumë vonë, sepse, nuk mund ta sjellim në të njejtën kohë, sepse nuk mund të ratifikojmë integrimin në NATO nëse fillimisht nuk ratifikohet marrëveshja, nëse nuk hyn në fuqi marrëveshja nga Kuvendi grek. Se sa kohë më pas do të votohet, do të varet nga proceset e NATO-s”.

Kurse sa i përket ngjarjeve të fundit në koalicionin qeveritar në Greqi, Cipras tha se nuk është hera e parë që nuk pajtohet me liderin e Grekëve të Pavarur, Panos Kammenos, por beson se ai nuk ka qëllim që të pengojë qeverinë. Ai ka shtuar se ka shumicë parlamentare edhe për marrëveshjes edhe për votëbesimin e Qeverisë, përkatësisht më së paku 151 deputetë.

Teuta Buçi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=Y90sCe80s3k