` . (VIDEO) Carovska fton mësimdhënësit dyshues që të vaksinohen - TV SHENJA

(VIDEO) Carovska fton mësimdhënësit dyshues që të vaksinohen

Mësimdhënësit dhe personeli teknik të vaksinohen me qëllim që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike në shtator. Ky është apeli i ministres së Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, e cila ka ripërsëritur vendimin e qeverisë për tre skenarët për zhvillimin e mësimit nga shtatori, ai me prezencë fizike, mësimi online dhe mësimi i kombinuar.

Milla Carovska, ministre e Arsimit

 “Si ministri me 1 shtator do të jemi të përgatitur për të gjitha 3 skenarët. Unë apeloj që të gjithë mësimdhënësit, i gjithë personeli teknik që në kontinuitet të paraqiten për vaksinim dhe të arrijmë bashkë deri tek një përqindje më e lartë e imunizimit”,

Në ndërkohë procesi i vaksinimit sipas ministrisë së Shëndetësisë është duke u zhvilluar pandërprerë.

Sipas raportit ditor, të MSH-së, gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 12.053 qytetarë, prej të cilëve, 3.686 e kanë marrë dozën e parë.

Deri tani janë aplikuar gjithsej 760.961 doza të vaksinave, ndërsa 293.139 qytetarë janë rivaksinuar.

Sipas të dhënave të fundit, 60% e popullsisë mbi 70 vjet kanë pranuar të paktën një dozë të vaksinës, 58 % e popullsisë mbi 65 vjet ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, 53% e popullsisë mbi 60 vjet ka pranuar të paktën një dozë të vaksinës dhe 43% e popullsisë mbi 50 vjet është vaksinuar me një dozë të vaksinës.

Enis Murtezi /SHENJA/