` . (VIDEO) Çairi hesht, Shilegov thotë se murin e betonit e kërkuan qytetarët - TV SHENJA

(VIDEO) Çairi hesht, Shilegov thotë se murin e betonit e kërkuan qytetarët

Tashmë është bërë praktikë që vendosja e murit prej betonit në Çair, të realizohet pas mesnate dhe pas fillimit të orës policore, duke amortizuar reagimet dhe pakënaqësinë e e asaj pjese të qytetarëve që e konsiderojnë këtë si projekt të turpshëm. Kështu autoritetet vepruan edhe mbrëmë, në vazhdimin e vendosjes së pjesës së tretë të murit, përgjatë rrugës “Cvetan Dimov”.

Nga Komuna e Çairit as që morën mundin t’ju përgjigjen thirrjeve të gazetarëve, për prononcim lidhur me këtë projekt aspak të dëshirueshëm për qytetarët, duke pasur parasysh faktin se qysh vitin e kaluar i pari i kësaj komune Visar Ganiu pati thënë se muri i betonit shumë shpejtë do të hiqet.

Ndërkaq, kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov thotë se vendosja e murit ka qenë kërkesë e vetë qytetarëve që banojnë në atë pjesë. Ai pranon se nuk funksion siç duhet, mirëpo thotë se e ka rritur sigurinë e qytetarëve.

Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit

“Edhe vjet kur filluam, unë kam thënë se janë dy aspekte për vendosjen e murit prej betonit. E para dhe thelbësorja është siguria e qytetarëve dhe e fëmijëve që banojnë aty. E dini që aty ka edhe shkollë fillore. E dyta është kërkesa e qytetarëve që banojnë aty sepse realisht ata si njerëz nuk ndjehen të sigurt. Ajo që është shumë me rëndësi është se”Cvetan Dimov” është arteria kryesore e qytetit dhe nuk mund të lejojmë si institucion një trafik sikur që ishte para vendosjes së mureve. Edhe vetë jeni dëshmitarë se ai mur edhe pse nuk funksionin mirë, de fakto e ka rritur sigurinë dhe rrjedhshmërinë të trafikut”.

Ai përsëriti se bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme dhe se shumë shpejtë do të njoftojnë për zgjidhjen afatgjatë. Vendosja e murit, përkon me kohën kur partia në pushtet BDI, nga radhët e së cilës vjen kryetari i komunës së Çairit, promovuan agjendën e gjelbër.

Emine Ismaili /SHENJA/