(VIDEO) Bullgaria paralajmëron heqjen e vetos për Shkupin, Varhelyi e falenderon

(VIDEO) Bullgaria paralajmëron heqjen e vetos për Shkupin, Varhelyi e falenderon

Zhvillime dramatike në Bullgari 5 para 12-tës që ngjallin shpresën për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, në prag të Samitit të BE-së që fillon nesër. Ish kryeministri dhe kreu i partisë opozitare GERB në Bullgari, Bojko Borisov, deklaroi sot se deputetët e tij do ta mbështesin propozimin francez për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.  Me 59 deputetët e partisë opozitare të Borisovit, shumica aktuale në Sofje ka numrat e nevojshëm për të miratuar në Kuvend dritën jeshile për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

BOJKO BORISOV, KRYETAR I GERB
“I kam kërkuar deputetëve të GERB-it, nëse më besojnë, ta mbështesin propozimin. Nëse Petkovi trembet, do të jenë 59 deputetë për t’i dhënë dritën jeshile Maqedonisë dhe Shqipërisë. Siç premtova, të shtunën lexuam tekstet për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Unë besoj te Makron dhe KE, deri më tani gjithçka e mirë që ka ndodhur është falë BE-së”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Komisarit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë Oliver Varheji, i cili falënderoi Borisovin për “vendimin historik” që do të lejojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

OLIVER VARHEJI, KOMISAR EVROPIAN PËR ZGJERIM
“Falenderojmë liderin e opozitës Bojko Borisov për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për Maqedoninë e Veriut, duke pranuar negociatat bazuar në propozimin francez që lejon vazhdimin me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”.

Nga ana tjetër presidenti bullgar Rumen Radev deklaroi sot se propozimi francez është më i miri deri tani, por qeveria bullgare nuk duhet të shpejtojë sipas tij, para se të marrë më shumë garanca se kërkesat bullgare do të realizohen.

RUMEN RADEV, PRESIDENT I BULLGARISË
“Propozimi francez për zhbllokim të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut është më i miri për Bullgarinë, por politikanët bullgarë nuk duhet të shpejtojnë të shpallin fitore historike, sepse dokumentet e propozuara nuk japin mjaft garanci për mbrojtjen e interesave të Sofjes”.

Pritet që pasdite të mbahet seancë qeveritare në Sofje ku mes tjerash do të definohet edhe dërgimi i propozimit francez në parlamentin bullgar. Nëse pala bullgare heq veton, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të marrin vendimin për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare me BE-në që në Samitin e kësaj jave në Bruksel. Kërkesat bullgare, sipas propozimit francez, do të bëhet pjesë e kornizës negociuese dhe Bullgaria mund të vendos veto në cilëndo fazë të bisedimeve nëse Maqedonia e Veriut nuk i plotëson kushtet bullgare.  /SHENJA/