` . (VIDEO) Biznesmenët dhe analistët: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejt - TV-SHENJA

(VIDEO) Biznesmenët dhe analistët: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejt

Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë të jetë e mundur, pasi çdo situatë krize ka efekte negative në ekonomi dhe veçanërisht në biznesin privat. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, në emisionin ENTER tha se situatat e rënda politike edhe kur nuk ka pandemi janë barrë për ekonominë, ndërsa në situatën aktuale ajo është vështirësuar edhe më shumë.

Nebi Hosha, OEMVP

“Ne si biznes mendojmë që sa më herët që është e mundur, kuptohet pandemia dhe virusi është prioritet, shëndeti i njerëzve, por në momentin që kemi një situatë të volitshme procesi duhet të vazhdojë aty ku ka ngecur. E dimë që në procesin zgjedhor kemi procesin para zgjedhor, zgjedhor dhe post zgjedhor e cila ndikon dukshëm në ekonominë e vendit. Me një qeveri siç ishte me një mazhorancë minimale nuk mund të kemi një stabilitet të mirëfilltë, si në stabilitetin politik dhe atë ekonomik që neve na intereson më së shumti është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin”.

Hoxha tha se masat ekonomike të Qeverisë janë të vonuara dhe jo adekuate, ndërsa shumë kompani anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore nuk kanë parë benefite nga këto masa. Sipas analistit, Ismet Ramadani, efekti jo i duhur i masave ekonomike është si pasojë e krizës institucionale në të cilën ndodhemi pas shpërbërjes së Kuvendit. Pandemia sipas tij e zuri vendin me një Qeveri teknike, ndërsa për situata të këtilla tha se nevojitet Qeveri politike me legjitimitet stabil.

Ismet Ramadani, analist

“Si qeveri teknike edhe pse janë marrë masa, sigurisht ka munguar efikasiteti për arsye të ndryshme, të cilat unë e lidhi me atë, nëse nuk ke qeveri politike, me përgjegjësi dhe adresë të caktuar, edhe të kryeministrit, ministrave, atëherë mund të ndodhin situata që shkojnë drejt opstrukcioneve. Për këtë shkak them që të ketë sa më shpejtë zgjedhje, në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”.

Ai shtoi se kur përfundon gjendja e jashtëzakonshme, duhet vazhduar procesi zgjedhor. Sipas tij, duhet bërë kompromis për zgjedhjet, por ato nuk guxojnë të shtyhen deri në shtator.

 

Arben Zeqiri /SHENJA/