(VIDEO) Besimtarët ortodoks festuan krishtlindjet

(VIDEO) Besimtarët ortodoks festuan krishtlindjet

Besimtarët ortodoksë në Maqedoni kremtojnë sot festën e Krishtlindjeve dhe me këtë rast në të gjitha kishat ortodokse të Maqedonisë mëngjesin e sotëm janë mbajtur liturgjitë e Krishtlindjeve. Manifestimi qendror është mbajtur në kishën kryesore “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, kryepeshkopi Stefan, mbajti liturgjinë, gjatë së cilës ai uroi paqe dhe bekimin e Zotit për të gjithë. Në këtë liturgji morën pjesë presidenti i vendit, Gjorge Ivanov dhe kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski. Ivanov pas liturgjisë u uroit qytetarëve unitet, jo vetëm për festa, por edhe gjatë gjithë vitit.

Gjorgje Ivanov, President

“Festat nuk janë vetëm për t’i festuar, por edhe për të na kujtuar gjithë atë që na ka mundësuar të mbijetojmë ndër shekuj, për të na kujtuar se duhet ta duam, ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë që e kemi, prandaj ta mbrojmë, ta respektojmë dhe ta duam Republikën e Maqedonisë, sepse atë e kemi”.

Ndërkohë, Mickoski uroi që viti 2019 të jetë më i suksesshëm dhe më dinjitoz se viti 2018 për të gjithë.

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, mori pjesë në liturgjinë fetare në qytetin e Strumicës. Ai nëpërmjet rrjetit social Facebook, porositi që t’ua urojmë dhe japim lumturinë edhe të tjerëve, të afërmëve dhe më të dashurve dhe së bashku të trasnformojnë të keqen në të mirë.

Krishtlindjet festohen në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit, si festë amë e të gjitha festave krishtere, pasi që me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re. Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën shfrytëzojnë kalendarin Julian, të themeluar nën sundimin e Julius Caesar 45 p.e.s. dhe nuk e kanë pranuar kalendarin Gregorian i cili u themelua në vitin 1582 nga Papa romak Gregori. Dallimi në mes të dy kalendarëve është 13 ditë, prandaj besimtarët ortodoks festojnë Krishtlindjet më 7 janar, dhe jo më 25 dhjetor.

Teuta Buçi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=jFS8yK-AY5Y