` . (VIDEO) Ambasadorja gjermane: Bullgaria nuk ka dobi nëse bllokon Maqedoninë e Veriut - TV SHENJA

(VIDEO) Ambasadorja gjermane: Bullgaria nuk ka dobi nëse bllokon Maqedoninë e Veriut

Është në interes të Bullgarisë që të mos bllokoj zgjerimin e BE-së në këtë rajon.  Kështu vlerëson ambasadrja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holshtajn, ndërsa thekson se problemet dypalëshe duke ju referuar Sofjes dhe Shkupit, nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese për zgjerim të Bashkimit Evropian. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ajo komentoi memorandumin bullgar dërguar vendeve anëtare të BE-së, me ç’rast përmend se Bullgaria ua ka thënë këto kërkesa vendeve të tjera anëtare në fillim të gushtit.

Anke Holshtajn, ambasadore gjermane 

“Ne dhe sipas njohurive të mia të gjitha vendet e tjera anëtare janë të mendimit se problemet dypalëshe të vihen në kornizë negociuese dhe se problemet dypalëshe të zgjidhen në mënyrë dypalëshe. Bullgaria gjithmonë ka qenë mbështetëse e madhe e lëvizjes evropiane të rajonit, duke e përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Në interes thelbësor të Bullgarisë është të mos bllokohet procesi për zgjerim të Bashkimit Evropian”.

E pyetur se sa janë reale pritshmëritë që vendi ynë t’i fillojë negociatat për anëtarësim me BE-në gjatë kryesimit gjerman, Holshtajn theksoi se mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, gjegjësisht fillimin zyrtar të bisedimeve për zgjerim me Maqedoninë e Veriut është qëllim i madh dhe i përbashkët edhe i Gjermanisë dhe i Maqedonisë së Veriut.

Anke Holshtajn, ambasadore gjermane   

“Duhet në suaza të BE-së të dakordohemi lidhur me kornizën negociuese për të cilën momentalisht diskutohet në Bruksel, kur do të arrihet marrëveshje për atë, mund të japim edhe datë për konferencën e parë ndërkombëtare dhe shpresojmë se kjo do të ndodhë në dhjetor”.

Ajo porositi që në në periudhën e ardhshme, Maqedonia e Veriut të fokusohet në shtet ligjor, luftë kundër korrupsionit, duke i përfshirë reformat në gjyqësi. Ndërsa shton se thelbësore për shumë fusha në jetën shoqërore është regjistrimi i cili është planifikuar për në prill. Emine Ismaili /SHENJA/