(VIDEO) Alternativa: Propozimi francez, më i miri për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut

(VIDEO) Alternativa: Propozimi francez, më i miri për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Edhe partia Alternativa e mbështet propozimin francez, që përbën një kornizë të volitshme dhe bën thirrje për kohezion shoqëror dhe shtetëror rreth këtij propozimi. Përmes një komunikate, partia e Afrim Gashit shprehet e bindur se ky është propozimi më i mirë që ka ardhur ndonjëherë e me të cilin Maqedonia e Veriut e fiton perspektivën europiane pa e vënë në rrezik identitetin etnik të maqedonasve dhe gjuhën maqedonase.

ALTERNATIVA
“Për këtë arsye, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në vendin tonë që ta marrin seriozisht këtë propozim dhe të mos lejojnë që për përfitime të pakta elektorale ta dëmtojnë një shans historik dhe një synim të shumë brezave. Përveç spektrit politik, ky propozim duhet të gjejë mbështetje edhe nga strukturat e tjera shoqërore, sepse një zgjidhje e këtillë i sjell fryte dhe të ardhme të ndritur mbarë shoqërisë”.

Alternativa beson se zhvillimet e fundit kanë konfirmuar se hyrja e tyre në Qeveri ishte veprim i drejtë që po sjell fryte me zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit.

ALTERNATIVA
Si parti që para gjashtë muajsh iu bashkua kësaj qeverie me një marrëveshje politike, ku pika e parë ishte integrimi europian, AlternAtivA gjykon se tash edhe skeptikët dhe kritikët më të mëdhenj e kanë kuptuar se kemi bërë veprimin më të duhur dhe vendimtar, duke i dhënë shans perspektivës europiane të vendit dhe kemi ndihmuar që edhe si shtet edhe si komb të hyjmë në binarët europianë. Ndonjëherë nuk është e rëndësishme sa je i madh, por çfarë veprime të mëdha bën”.

Partnerët e koalicionit qeveritar, pas një takimi me kryeministrin Dimitar Kovaçevski të premten e kaluar, e vlerësuan pozitivisht propozimin francez. Për momentin Qeveria po zhvillon proces të konsultimit të gjerë para se të sjellë një vendim përfundimtar rreth këtij propozimi.

/SHENJA/