` . (VIDEO) Afrim Gashi: Po vjen një gjeneratë që nuk ka dosje kriminale e të kaluar komuniste - TV SHENJA

(VIDEO) Afrim Gashi: Po vjen një gjeneratë që nuk ka dosje kriminale e të kaluar komuniste

Në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut po konsolidohet një gjeneratë e re e politikanëve që cilët nuk e kanë dobësi të shkuarën e tyre në periudhën e Jugosllavisë komuniste dhe nuk kanë dosje të veprimeve korruptive, me të cilat do të mund të shantazhoheshin. Ky është vlerësimi i kryetarit të partisë Alternativa, Afrim Gashi, i cili në emisionin Enter në Televizionin Shenja, deklaroi gjithashtu se dobësitë e përmenduara më lart ishin pjesë e shtyllës kurrizore të BDI-së, që shkaktuan zvarritjen dhe dështimin e plotësimit të kërkesave jetike të shqiptarëve.

AFRIM GASHI, KRYETAR I PARTISË ALTERNATIVA

“Tentativa e maqedonasve që shtetin ta mbajnë larg duarve të shqiptarëve, duhet të përfundojë më 15 korrik. Ata duhet ta kuptojnë se kjo më nuk kalon, kjo është fazë dhe mendësi e shekullit të kaluar. Mbase me BDI-në ata edhe ashtu e kanë zhvillu, prandaj edhe e kanë pasur partner shumë të mirë, por ne nuk jemi BDI-ja. Po vjen në skenë një gjeneratë e re e politikanëve e cila nuk ka dosje a në Beograd e as në ish shtetin komunist të Maqedonisë. Ne jemi njerëz pa hipoteka, askujt si kemi borxh, andaj duhet ata ta kuptojnë se kjo mendësi duhet të ndërpritet”.

Kreu i Alternativës deklaroi se drejtësia selektive dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të përfundojë duke bërë skrining të gjyqësorit nga Bashkimi Evropian, dhe në këtë mënyrë edhe të deetnizohet dhe departizohet gjyqësori. Gashi ka thënë se pas fitores së koalicionit “Tash është Koha”, gjithashtu do të funksionalizohet administrata shtetërore, ndërsa askush nuk do të guxojë t’i prek administratorët shqiptarë.

SINKRON: AFRIM GASHI, KRYETAR I PARTISË ALTERNATIVA

“Unë po ju drejtohem këtu përmes ekraneve tuaja të gjithë administratorëve edhe ju them me sinqeritetin më të madh, askush, askush nuk do të guxojë t’i prekë ata. Secili që është në punë në administratën e shtetit, le të ndjehet i sigurt, le të ndjehet i sigurt se nuk i kanë borxh ata asnjë partie, madje edhe partisë që i ka punësu, e aq më tepër që ne si koalicion dhe si parti shqiptare, kur të vijmë t’i largojmë nga punë, jo që t’i largojmë por do t’i avancojmë”.

Afrim Gashi tha gjithashtu se problemet e arsimit janë të shumta, duke filluar nga tekstet shkollore, përmbajtja e librave e objektet e shkollave. Ai theksoi se është e domosdoshme rritja e rrogave të arsimtarëve.  Gashi ka thënë se një prej gjërave më të dëmshme që ka ndodhur brenda këtyre 30 viteve është degradimi i arsimit.

Arben Zeqiri /SHENJA/