` . (VIDEO) Afera mafia: Pushteti dhe opozita në garë për të treguar se kur janë bërë falsifikimet - TV SHENJA

(VIDEO) Afera mafia: Pushteti dhe opozita në garë për të treguar se kur janë bërë falsifikimet

Kur dikush zbulon dhe zbardh një skandal nuk duhet të dënohet por të shpërblehet. Me këto fjalë, kryeministri Zoran Zaev i është përgjigjur akuzave të opozitës dhe thirrjeve të tyre për shkarkime dhe dorëheqje të kreut të Qeverisë, pas shpërthimit të aferës “Mafia”. Zaev është kundërpërgjigjur me akuza se pjesa më e madhe e pasaportave me identitet të vjedhur janë lëshuar në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.

Zoran Zaev

“Nuk mund të akuzohet ministri i Punëve të Brendshme, kryeministri dhe ngjashëm, kur kanë realizuar aksion të suksesshëm, sidomos kur kanë treguar dhe dëshmuar se aksioni ka zgjatur me muaj të tërë, me analizë, argumentim, që të mund t’i nxjerrin para gjykatës. Kur të shihni në analiza se kur kjo ka ndodhë, se kur janë bërë pjesa më e madhe e këtyre falsifikimeve, madje me numra amzë të rrejshëm do të shihni se kjo është gjatë kohës së regjimit, gjegjësisht gjatë kohës së sundimit të VMRO-DPMNE-së”

VMRO-ja opozitare ka vazhduar edhe sot me publikimin e detajeve nga ky skandal, duke akuzuar se afera në fjalë dëshmon që struktura të larta shtetërore ju kanë dhënë logjistikë karteleve të drogës dhe mafiozëve me përmasa ballkanike, evropiane dhe botërore. Pas publikimit të shtetasve turq, shqiptarë dhe malazes, Vllado Misajllovski ka denoncuar sot se pasaportë maqedonase ka marrë edhe një nga krerët e mafias italiane.

Vllado Misajllovski

“Valid Isa Hmais që njihet si pastrues i parave të tregëtisë me kokain të mafias italijane më 09.01.2019 në Shkup në procedurë të rregullt është fotografuar në shërbimet administrative të MPB-së dhe më pas edhe e ka marrë pasaportën maqedonase me identitet të vjedhur nga një maqedonas nga Korça, Vurmo Taqo, i lindur në vitin 1965. A është kjo e vërtetë apo siç e quajnë nga LSDM, vetëm perceptim? Valid nga viti 2017 është në arrati në më shumë shtete të botës, ndërsa pas marrjes së pasaportës maqedonase në emrin e Taqo Vurmo, dy herë në muajin janar 2019 e ka shfrytëzuar pasaportën maqedonase dhe përmes aeroportit Petrovec ka shkuar në Turqi”

Kryeministri Zoran Zaev ka komentuar edhe denoncimet e opozitës maqedonase, për çka tha se njëri nga të arrestuarit për dhënien e pasaportave me identitet të rrejshëm, ju ka dorëzuar dokumentacione opozitës me qëllim që të shkaktojë trazira politike dhe të shpëtojë nga përgjegjësia ligjore.

Arben Zeqiri /SHENJA/