` . (VIDEO) 29 përqind e bizneseve kanë reduktuar punëtorët - TV-SHENJA

(VIDEO) 29 përqind e bizneseve kanë reduktuar punëtorët

Pas krizës me
koronavirusin 52.9% e bizneseve të vendit për momentin nuk kanë bërë reduktime
tek numri i stafit, 29.4% kanë bërë reduktime në numrin e stafit, ndërsa 17.7%
thonë se nëse nuk marrin ndihmë nga shteti, do të detyrohen që edhe ata të bëjnë
këtë. Kështu thonë rezultatet e anketës së Odës Ekonomike të Maqedonisë
Veri-Perëndimore të realizuar me bizneset e vendit. Sipas anketës 27% janë
përgjigjur se veprimtaria e tyre ende ka vazhdimësi normale, 33.3% janë
përgjigjur se punojnë me orar të shkurtuar, ndërsa 31.7% thonë se punojnë me
kapacitet të reduktuar. Kjo sipas Odës Ekonomike tregon për rrezikun që
ballafaqohen kompanitë në funksionimin e tyre. Sipas anketës, 57.1% e të
anketuarve kanë bindjen se masat nuk ndihmojnë bizneset, ndërsa vetëm 6.3%
mendojnë se masat janë të qëlluara. Prandaj OEMVP propozon masa të menjëhershme
që siç thonë ata, do të ndihmojnë ekonominë dhe biznesin që të jetë likuid në
këtë fazë të krizës.

Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP

“Duke pasur parasysh urgjencën e situatës,
OEMVP-ja propozon këto masa: Borxhet e shtetit ndaj kompanive private të
kthehen me prioritet, pasi që likuiditeti i shumë kompanive është në rrezik në
këtë periudhe krize; Kthimi i TVSH-së të realizohet me prioritet për prodhuesit
dhe ata që janë të orientuar ndaj eksportit; Shfuqizimi i akontacionit mbi
tatimin në fitim, pasi që 2020-ta do jetë vit me humbje për shumicën e
kompanive, dhe avancimi i fitimit gjithsesi do të ndikojë në likuiditetin e
tyre; Produktet që Qeveria i konsideron si esenciale për jetën e qytetarit, të
cilat importohen të kenë 0% kosto të doganës, pasi që çmimi hyrës i të njejtave
është rritur, ndërsa kompanitë kanë kufizim të rritjes së çmimeve; Subvencionim
i pagës së punëtorëve në vlerë minimale mesatare prej 20,000 den neto”

Nga OEMVP thonë se këto
masa do të sigurojnë ruajtjen e vendeve të punës, që paraqet interes të
përbashkët të vendit dhe kompanive, do të ulin kostot operative të kompanive,
do të ndihmojnë kompanitë të marrin huazime të reja për të shlyer detyrimet nga
palët e treta dhe po ashtu do të siguron konsumin, që është baza e ekonomisë
vendore.
Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP
“Sipas OEMVP-së, realizimi i masave
duhet të realizohet sipas këtyre parimeve: Masat të aplikohen me prioritet në afat sa më të shpejtë; Të
përkrahen të gjitha kompanitë dhe masat të jenë inkluzive për të gjitha
përshkak se të gjithë njëlloj janë të goditur nga situata; Përkrahja për
subvencionim të pagave të zgjasë minimum 3 muaj; Kreditë me normë interesi
0-0,30% të kenë minimum grejs periudhë prej 6 muajsh; Partitë politike të mos shërbehen me krizën e COVID19 për
poena politike.”

Nga OEMVP kërkojnë  që norma minimale e interesit të mbulohet nga ana e shtetit, përkatësisht Qeveria, ndërsa kërkojnë mundësi për kredi me normë interesi minimale dhe procedurë të thjeshtëzuar për kompanitë që kanë projekte zhvillimore. Ajnur Bafqari /SHENJA/