` . (VIDEO) 25 vjet nga gjenocidi serb në Srebrenicë - TV SHENJA

(VIDEO) 25 vjet nga gjenocidi serb në Srebrenicë

Sot janë bërë 25 vjet, që kur në Srebrenicë, ndodhi masakra që tronditi të gjithë botën. Pikërisht, më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB-së. Edhe pse  më shumë se 7 000 trupa të pajetë janë gjetur dhe identifikuar, sot e kësaj dite më shumë se 1 000 njerëz akoma mungojnë dhe janë të paidentifikuar.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në vitin 2007 është njohur si gjenocid.Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje. Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid. Ndërkaq, udhëheqësit e tanishëm serb e mohojnë që aktin e pahijshëm dhe mizor që ka ndodhur në Srebrenicë ta quajnë gjenocid. Radio Evropa e Lirë ka kujtuar deklaratat e tyre.

Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:  (14 nëntor, 2018)

“Jo, nuk mendoj se masakra e tmerrshme në Srebrenicë ishte gjenocid. Ishte një krim i rëndë. Një krim lufte”.

Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë:    (14 korrik, 2019)

“Në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm dhe nuk ka asnjë arsyetim për atë krim. Disa njerëz nuk e kanë të rëndësishme që Serbia të tregojë nderim për viktimat e këtij krimi të tmerrshëm, por ata duan formulim ligjor”.

Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë:  (13 maj, 2019)

“Parlamenti ka miratuar një deklaratë që pranon aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por gjithashtu i dënon të gjitha krimet e tjera kundër serbëve”.

Përndryshe, 25 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari. Para masakrës, Srebrenica, ishte një qytet me 36 mijë banorë, ku myslimanët përbënin 75 për qind të popullsisë.

Emine Ismaili /SHENJA/