` . (VIDEO) 125 të vdekur nga aksidentet e trafikut gjatë 2020-ës - TV SHENJA

(VIDEO) 125 të vdekur nga aksidentet e trafikut gjatë 2020-ës

Sipas të dhënave të Këshillit Republikan për Siguri në Rrugë viti 2013 ka pas më shumë viktima nga aksidentet  në dhjetëvjeçarin e fundit.  Nga Këshilli sqarojnë se siguria në rrugët e Maqedonisë ka shënuar trend të përmirësimit. Sipas tyre, vitin e kaluar 125 persona e kanë humbur jetën nga aksidentet në komunikacion.

KRSRR

“Nëse merret parasysh fakti se në periudhën 2002 -2020, numri i makinave të regjistruara është dyfishuar (prej 250 mijë ka arritur në 550 mijë makina të regjistruara), ndërsa numri i personave të vdekur nga aksidentet në trafik në vitin 2002 ka qenë 176, kurse në vitin 2020 ka qenë 125, atëherë mund të thuhet se siguria në komunikacionin rrugor ka shënuar përmirësim, por megjithatë nuk është arritur niveli i dëshiruar i sigurisë”.

Vitin e kaluar ka pasur 6.25 të vdekur nga aksidentet në 100 mijë banorë. Nga 125 të vdekurit vitin e kaluar, 57 kanë vdekur në vendbanime, ndërsa 68 jashtë vendbanimeve.  Prej tyre, 20 kanë qenë këmbësorë, 18 motoçiklistë, 5 çiklistë, 6 shoferë të traktorëve dhe të tjerë. Ndërsa sipas moshës, 41 persona kanë qenë të moshës 41 deri 51 vjeç,  3 persona deri në moshën 14 vjeçare, 7 të moshës prej 15 deri 19 vjeç dhe të moshave tjera.

Sipas statistikave të OBSH-së, në nivel botëror rreth 1.3 milionë njerëz në vit  e humbin jetën në aksidente trafiku, ndërsa rreth 50 milionë lëndohen në aksidente.

/SHENJA/