` . Vetura për një person, e gatshme për tregun e madh (FOTO) - TV SHENJA

Vetura për një person, e gatshme për tregun e madh (FOTO)

Për dekada veturat më të shitura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë furgonët. Modelet e rënda e me benzinë, të prodhuara nga “Ford”, “Ram” e “Chevrolet” kanë pasur kontrollin mbi tregun, madje sa dukeshin të pathyeshme.

Por gjithmonë do të ketë kompani që provojnë të hyjnë në treg, të bazuar në idetë idealiste dhe me xhepa të thellë. Një kompani e tillë pritet të godasë verës, me modelin e quajtur “Solo”. Ai ka vetëm një ulëse, shkruan NYT, transmeton KOHA.

Modeli i vogël me tri rrota e motor elektrik do të jetë në dispozicion në Los Angeles më vonë, gjatë 2020-s.

“Aq shumë vetura po përdoren nga vetëm një person”, ka thënë Paul Rivera, shef ekzekutiv i prodhuesit të “Solos”, “ElectraMeccanica” me bazë në Vancuver. “Përse të gjithë mendojnë se duhet të vozisin përreth dhe të lënë tri apo katër ulëse të zbrazëta?”.

Mikroja përballë gjigantëve

Rreth 90 për qind e amerikanëve ngasin automobilin, kamionin apo motoçikletën, të vetëm sipas “Census Bureau”. Duke e pozicionuar veten si alternativa e duhur mes automjetesh me tonelata, “Solo” shfrytëzon vetëm një të katërtën e hapësirës që shfrytëzojnë SUV-at tipikë. Po ashtu duket sikur një veturë – të paktën nga përpara – me kofanon e zakonshme, grillën e dritat. Por po të shikohet prapa ngushtohet në vetëm një rrotë.