Vetëvrasja e opozitës maqedonase

Vetëvrasja e opozitës maqedonase

Pavarësisht, sfidave në nivel global, krizës, luftës në Ukrainë, tensioneve botërore, orientimi i vendit dhe i rajonit drejt vlerave euro-atlantike mbetet e vetmja derë. Qoftë kjo edhe nëse ndonjë subjekt politik (lexo këtu: LSDM-ja maqedonase), humb terren politik ose kur ndonjë kërkesë e miqve ndërkombëtarë partive shqiptare mund t`u duket e përçudnuar. Jemi thjesht tejet të vegjël dhe mbase i vogli mund të bëzajë ndonjëherë diçka, por në fund bën si i thotë i madhi.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Pas zgjedhjeve të vitit 2016, kur në bllokun politik maqedonas partia që më së shumti kishte marrë vota, gjegjësisht VMRO-ja, priste me padurim bashkëngjitjen e partisë fituese nga radhët e shqiptarëve, përkatësisht BDI-në, për ta formuar koalicionin bashkëqeverisës të radhës, diplomacia amerikane dhe europiane i përveshën mëngët, për të mos lejuar këtë koalicion të radhës, për shkak të kursit të rrezikshëm nacionalist të qeverisë së mëparshme, që e shquante partinë maqedonase VMRO, dhe për shkak të përfarimit të vendit me shtete me demokraci të vdirrshme e pa të fare. Kësaj radhe, zotimin për ta realizuar këtë mision e kishte marrë diplomacia franceze, e cila dukej deri në atë kohë se ishte jo edhe aq aktive në nënqiellin tonë.

Kësisoj, më 21 dhjetor 2016, ambasadori francez i asaj kohe filloi misionet e tij të radhës, çdoherë në konsultim me miqtë dhe homologët europianë, si dhe ambasadorin amerikan të asaj kohe, për t`i takuar krerët e partive politike shqiptare. Meqë kisha fatin ta bashkëshoqëroja në cilësi të përkthyesit të tij personal në gjuhën shqipe dhe frënge, e pa pasur drojë se do të shpalos fshehtësi të pathëna, mesazhet ngulmuese, tonaliteti i përcjellë me atë “force tranquille” të diplomacisë franceze (lexo: europiane), udhëzonte partitë shqiptare dhe krerët e BDI-së dhe PDSH-së, se cili opsion ishte proeuropian dhe shpinte vendin drejt kursit europian-amerikan, pa mos e thënë as edhe një fjalë se me kë të bëhej koalicioni, por thjesht se me kë nuk do të ishte e pëlqyeshme të mos bëhej koalicioni. Na kujtohet se si ish-kryetari i asaj kohe i VMRO-së, ish kryeministri i Maqedonisë, tani i ikur në Hungari, priste me padurim sihariqin e radhës dhe PO-në e partisë(ve) shqiptare PO-ja nuk i erdhi asnjëherë dhe e zhgënjeu atë dhe enturazhin e tij. Gjasme do të jetë edhe më tej duke e mallkuar JO-në e partisë(ve) shqiptare.

Pas formimit të qeverisë së radhës, ku bartëse e pushtetit nga radhët e palës maqedonase do të ishte LSDM-ja me kryetarin e saj, Zoran Zaev, e ku në dukje ngjante se koalicioni me partinë shqiptare, BDI, nuk do të ishte i mundur, për shkak të së kaluarës së tyre që vinte nga publikimi i përgjimeve dhe bisedave telefonike, inatet dhe mëritë u fashitën, ndërsa muaji qeverisës i mjaltit ia nisi për së mbari. Sepse, kumbari ishte i vendosur në mbarëvajtjen e martesës. Edhe sikur palët të donin ndarje. Dashuri, edhe sikur të kishte kafshime.

Me angazhimin e paepur të diplomacisë europiane (bartëse ishte ajo franceze) dhe asaj amerikane, u arrit Marrëveshja e Prespës, e kësisoj u tejkalua bllokada greke, e vendi hapëroi dhe u fut në NATO, ndërkaq Maqedonia mori pagëzimin “Maqedoni e Veriut”. Gjërat dukeshin se shkonin si është më së miri. Në anën tjetër, opozita maqedonase, për lëshimin pe të shtetarëve të këtij shteti para Greqisë, fajësoi, shpifi dhe akuzoi shqiptarët. Sërish “kletite shqiptari” i kishin atyre faj.

Pas shfaqjes së ngërçit tjetër të radhës me Bullgarinë, sërish, me këmbënguljen franceze (europiane) mu në fund të udhëheqësisë së saj me Këshillin e BE-së, me bekimin e tutorit amerikan, u vu në qarkullim propozimi francez, me qëllim të hapjes së negociatave me dy vendet kandidate, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky propozim, që parasheh tejkalimin e bllokadës bullgare, u pranua nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, u miratua në parlament, e kësisoj vendi ia doli të shpëtonte sërish nga qorrsokaku e të hapëronte tutje. Sërish, atë e shpëtoi këmbëngulja dhe ndihma perëndimore. Faktori ndërkombëtar, të cilin pala nacionaliste maqedonase e quan faktor që i shërben shqiptarëve dhe që është i interesuar t`ua prishë atyre shtetin. Këtë e dëshmon edhe libri më i ri i James W. Pardew “PAQEBËRËSIT – LIDERSHIPI AMERIKAN DHE FUNDI I GJENOCIDIT NË BALLKAN”, ku rubrika për konfliktin e vitit 2001 e përshkruan saktë çmendurinë nacionaliste sllavo-maqedonase për të mos lëshuar pe para kërkesave legjitime shqiptare.

Në anën tjetër, gjatë kohës kur ky proces i vënies në qarkullim të propozimit francez ishte bërë punë e kryer, e që qeveria e MV-së kishte vetëm një mundësi, atë të pranimit të tij, sepse për të bërë refuzimin e tij duheshin këllqe, përsëri kori nacionalist prorus, i udhëhequr nga opozita maqedonase, me në krye VMRO-në dhe Levicën e Apasievit, e kundërshtoi këtë propozim me çakmak e me grisje, organizuan protesta, madje protestuesit maqedonas, me gjithë faktin se ngërçi ishte me palën bullgare ose, më herët, me atë greke, i mallkonin “shqiptarët e mallkuar”, duke i sharë dhe ofenduar, e duke provokuar edhe incidente që mund të çonin në përplasje etnike mu në sheshin “Skëndërbeu”.

Me këto protesta dhe me këtë rreshtim antiperëndimor të partive opozitare maqedonase, përpos faktit se u dëshmua për të satën herë me radhë që të njëjtat parti edhe më tej do ta shohin vetëm në ëndërr “qeverisjen e shtetit” me partitë shqiptare në këtë vend për shkak të miopisë së tyre dhe shovinizmit të pashëruar, e mbi të gjitha për shkak të kursit të tyre dhe përqasjes antiperëndimore dhe antiamerikane, u dëshmua edhe se sa i brishtë është ky shtet dhe sa lehtë mund të bjerë në grackën e qarqeve të errëta, që e shpijnë ujin në mullirin rus e që mund ta devijojnë vendin në kurs të gabuar dhe në rrjedha destabilizuese, nëse nuk do të ishte i pranishëm faktori ndërkombëtar europian dhe amerikan.

Se si do të rrjedhin punët më tutje, mbetet të shohim. Na presin ndryshimet kushtetuese, proces ky jo i lehtë. Megjithatë, pavarësisht, sfidave në nivel global, krizës, luftës në Ukrainë, tensioneve botërore, orientimi i vendit dhe i rajonit drejt vlerave euro-atlantike mbetet e vetmja derë. Qoftë kjo edhe nëse ndonjë subjekt politik (lexo këtu: LSDM-ja maqedonase), humb terren politik ose kur ndonjë kërkesë e miqve ndërkombëtarë partive shqiptare mund t`u duket e përçudnuar. Jemi thjesht tejet të vegjël dhe mbase i vogli mund të bëzajë ndonjëherë diçka, por në fund bën si i thotë i madhi.

Vetëvrasja e partive opozitare maqedonase, përmes çirrjeve antieuropiane, antiamerikane dhe antishqiptare, e dëmton tejmase këtë opozitë, e cila në vend se të kujdeset për kultivim dhe përmirësim të raporteve me palën shqiptare, palë kjo që ka qenë, është dhe do të jetë vendimtare për këtë shtet, si dhe ta përmirësojë imazhin e rrënuar para bashkësisë ndërkombëtare, e humbi edhe atë pak partneritet që e kishte, qoftë kjo me faktorin euro-perëndimor, qoftë me partitë opozitare shqiptare, e kësisoj i dogji gjasat për të ardhur në qeveri në një të ardhme të afërt.

Shekulli amerikan (koncepti i Henry Luce), me multiplexin europian, në këtë nënqiell, është edhe më tej i pacenueshëm. Megjithëqë ëndrrat, përpjekjet dhe dëshira e ariut rus, apo miniaturave të tij, shestojnë destabilizim dhe devijim të kursit euro-perëndimor. Këto çapitje të tyre titanike janë rrënuar, po rrënohen, e gjasme do të rrënohen edhe më tutje, pavarësisht korit dhe britmave shovinistë të surrogatëve, që u ka rënë sëmundja e niktalopisë.