` . Vetëvendosje si përmbysje e regjimit të vjetër - TV SHENJA

Vetëvendosje si përmbysje e regjimit të vjetër

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë përmban disa karakteristika të rëndësishme, të cilat japin sinjalin se mund të ketë implikime jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në rajon.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Partitë dhe lëvizjet politike kuptimësohen brenda kontekstit të caktuar të ngjarjeve, brenda një kodi të veçantë social e kulturor dhe një momentumi të caktuar historik. Një parti dhe lëvizje politike, në njëfarë mënyre, është përgjigje ndaj dinamikave sociale dhe politike të një entiteti shoqëror, shteti a kombi. Niveli me të cilën ajo parti arrin të përballet dhe të ofrojë zgjidhje për ato dinamika e përcakton edhe suksesin e saj. Partitë politike, ashtu siç kuptimësohen brenda kontekstit të përgjithshëm të ngjarjeve dhe dinamikave, modeli, baza ideologjike dhe karakteri i tyre përcaktohet edhe nga relacioni i tyre me aktorë të tjerë socio-ekonomikë lokalë (me biznesin, arsimin, medien, etj.) dhe me aktorë ose vegëza ndërkombëtare të ndikimit. Karakterin e një partie e përcakton edhe relacioni i saj me krimin e me nëntokën.

Lëvizja Vetëvendosje është produkt i një sërë ngjarjesh e përvojash të shoqërisë kosovare të pasluftës. Për një kohë të gjatë ajo u shndërrua në zërin më autentik opozitar kosovar. Si lëvizje e pakënaqur me mënyrën e trajtimit dhe perceptimit të ‘popullit’ nga pushteti, për vite të tëra ajo artikuloi premisa e kërkesa politike për një qeverisje ndryshe. Përkundër anatemimit e paragjykimeve të ndërtuara ndaj saj, kryesisht për shkak të orientimit të saj të majtë, ajo është ngritur në proces e sipër pikërisht duke u përballur si opozitë me zhvillimet politike e sociale në periudhën e shtetndërtimit, duke kundërshtuar vendime e procese me peshë në planin social e nacional.

Përmbysja e “regjimit të vjetër” si kthim shprese

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë përmban disa karakteristika të rëndësishme, të cilat japin sinjalin se mund të ketë implikime jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në rajon.

Fitorja e saj ndodhi në kohën kur pati një zhgënjim të madh të qytetarëve të Kosovës ndaj zhvillimit të gjithëmbarshëm, ndaj papunësisë, izolimit, krimit e korrupsionit, pasurimit të shpejtë e të paligjshëm të politikanëve, mungesës së perspektivës, cilësisë së dobët në arsim, punësimeve në baza partiake e familjare dhe mungesës së profesionalizmit e meritokracisë, të gjitha këto të matshme në shumë sektorë të jetës publike. Mjafton të shikohen shpërnguljet e dhjetëra mijëra qytetarëve kosovarë gjatë viteve të fundit për në vendet perëndimore për të kuptuar se qytetari i Kosovës e humbi shpresën se mund të bëhet mirë ndonjëherë. Se për çfarë zhgënjimi bëhet fjalë e kupton shumë mirë secili qytetar e secila familje kosovare që në një mënyrë ose tjetër nuk ka përfituar direkt privilegj e shërbim nga njëra prej partive të ‘pushtetit të vjetër’ (në krye të tyre PDK, AAK, Nisma e LDK). Zaten imunë ndaj këtij zhgënjimi kanë qenë vetëm hisedarët e ‘regjimit të vjetër’, të cilët edhe ashtu kanë jetuar “në një univers paralel”, ngase kanë gëzuar një tjetër standard jetese, duke ndërtuar kështu edhe stil jetese të ndryshëm nga qytetari i rëndomtë. Ata as nuk i kanë pasur pengesat e qytetarit të rëndomtë: kanë gëzuar autoritet përmes pushtetit e parasë, kanë lëvizur jashtë vendit lirshëm, kanë pasur bazë të mirë ekonomike për t’ia dalë mbanë secilës sfidë në jetën e tyre të karrierës, në atë familjare dhe personale. Më e keqja, duke u shtuar zhgënjimi me regjimin e vjetër, në vend se të zvogëlohen gjasat që ata të qeverisin sërish, zvogëlohej besimi se dikush mund të ndryshojë diçka: njerëzit filluan të besojnë se ‘regjimi i vjetër’ kontrollon gjithçka e, përmes mekanizmave të kontrollit në secilin sektor, do të pamundësojë edhe fitoren e një subjekti të ri, siç është Lëvizja Vetëvendosje. Dhe, ndodhi ajo që ndodhi: fitorja e Vetëvendosjes e bëri të pamundurën të mundur – guximi, vendosmëria dhe insistimi i saj u përkthye në fitore. Ajo e qiti hapin e parë, e dha modelin se zhgënjimi mundet e shpresa kthehet kur qytetarët e duan njëmend këtë.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje u rikonfirmua fakti se kosovarët kanë kujtesë të shëndoshë dhe janë të vendosur për ndryshim dhe ëndërrojnë për një shtet ku lulëzon meritokracia, edukimi cilësor, barazia, mirëqenia sociale, zhvillimi ekonomik e ngritja e gjithmbarshme kombëtare, qe i bën ata të jenë vetja në planin historik e aktual, qe integritetin e tyre moral, social e shpirtëror ua kthen në program politik autentik. Prandaj votuesi e provoi, veproi sipas vullnetit të vetë politik, e provoi ndryshimin dhe e bëri atë. E si mund të reagojë ndryshe një shoqëri e izoluar? E si mund të reagojë ndryshe një shoqëri që e sakrifikon mirëqenien e pret, që i “mirëkupton” qeveritë e veta për mbrapshti, që pret dy dekada për hir të “projektit politik” të cilin “e kuptojnë” vetëm politikanët, një herë të pavarësisë, e pastaj edhe njohjet, pastaj bisedimet me Serbinë, pastaj e pastaj. Nga ky aspekt fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është mrekulli. Ajo është më e pakta çka ka mundur të bëjë votuesi kosovar. Por, duke e ditur praninë edhe kontrollin e “regjimit të vjetër” në secilin segment të jetës politike, ekonomike e kulturore, fitorja e saj ishte triumf i habitshëm, por ende jo i mrekullueshëm, ngase është veç një fillim, jo edhe aq i thjeshtë. E në këtë fillim shfaqen treguesit realë se çka e pret qeverinë e re në përballje me mospunën dhe punën e gabuar në të kaluarën dhe me pengesat që do t’i shkaktohen në të tashmen nga kundërshtarët.

“Vonesa” e ardhjes së saj në pushtet nuk e pakëson nevojën për të ndryshuar mentaliteti dhe praktika qeverisëse. Përkundrazi, ajo vetëm rikonfirmon nevojën e kosovarëve për një qeveri të udhëhequr nga një lëvizje politike që asnjëherë s’e ka pasur në dorë pushtetin qendror e për sa kohë ka qenë opozitë, ka qenë vërtet opozitë (imagjino spektrin politik në Kosovë pa Lëvizjen Vetëvendosje, sa uniform do të ishte: aq sa bizneset dhe nëntoka e partive të mëdha të regjimit të vjetër shpesh takohen e rrallë konfrontohen) dhe u ka dhënë kuptim zhvillimeve e na ka bërë të ndjehemi se mund të jemi shoqëri normale.

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje mund të konsiderohet edhe si triumf i zërit që kërkon mirëqenie e jetë më të mirë, që kërkon drejtësi e perspektivë për të gjithë njësoj. Mungesa e vendeve të punës për të rinjtë, punësimet jomeritore, mungesa e politikave zhvillimore, korrupsioni, gabimet në planin nacional (bisedimet pa kushte me Serbinë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe e demarkacioni) e deri te pritjet e gjata e mungesa e kushteve elementare në spitale janë probleme që kërkojnë zgjidhje. E ato janë lënë pas dore nga pushteti qendror, për shkak se bartësve të tij më shumë se kujtdo tjetër u ka shkuar për shtati status-quoja: ata kanë gëzuar privilegjet vetëm në saje të kësaj status-quoje, e para qytetarëve arsyetimi ka qenë gati teologjik: janë të zënë me projektin politik, shtetndërtimin e të cilin ata dhe vetëm ata e kuptojnë mirëfilli: pra, imazhin e të tjerëve për neve. Por, sikur nuk e dinin se shteti ndërtohet nga brenda e jo nga jashtë, madje pikërisht duke e rehabilituar e dhënë të drejtën që i takon secilit qytetar të secilës kategori e, mbi të gjitha, të drejtën për të gëzuar mirëqenie, për të gëzuar shërbim efikas shëndetësor, për të studiuar, për të gëzuar barazi në kushte dhe shërbime, për ta ruajtur e zhvilluar jetën. Në njëfarë mënyre, ani pse vitet shkojnë e gjërat nuk ndryshojnë, “duhet të presim”, e zërat që lypin perspektivë e shtet ligjor etiketohen si destabilizues që s’ia duan të mirën Kosovës, madje ata nuk “i don as Amerika dhe Evropa”, e “i paguan Rusia”.

Situata e krijuar dhe ndryshimi i kursit

Në situatën e krijuar pas zgjedhjeve, me gjithë fitoren e madhe, duket se Vetëvendosje nuk mund të lëvizë pa LDK-në. Kjo ia jep LDK-së rolin e aktorit kyç në krijimin e qeverisë së re. Me gjithë neglizhimin e LDK-së për të formuar koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, ajo tani e ka rastin e dytë për t’i përmirësuar gabimet e mëdha që i ka bërë në të kaluarën, duke i shërbyer PDK-së sa herë që është kërkuar e kundërta prej saj për hir të parimeve dhe për hir të votuesve. Opsioni me LDK-në është opsioni më i mirë i mundshëm: Vetëvendosjes i mundësohet pushteti për herë të parë, LDK-së i mundësohet të kthjellet e t’i dëshmojë principet e qeverisjes së mirë, të shkurorëzohet nga PDK-ja njëherë e përgjithmonë (nga e cila e mbajnë të varur disa komponentë të rëndësishëm të saj): të lë prapa gabimet e ta kapë perspektivën.

Nëse koalicioni në fjalë tashmë llogaritet si punë e kryer, mesazhi do të jetë shumë domethënës. Partitë vijnë nga dy blloqe të ndryshme politike, Vetëvendosje, si parti e parë nga qendra e majtë, ndërsa LDK-ja si parti e dytë nga qendra e djathtë. Duke i lënë dallimet në rend të dytë, do të ndërtohet qeveri për të cilën primare është mirëqenia e qytetarëve (dallimet programore mbase mund të harmonizohen), punësimi, luftimi i krimit dhe korrupsionit, përmbyllja e bisedimeve me Serbinë (me mendësi dhe principe të reja, në një format të pranueshëm edhe për bashkësinë ndërkombëtare), liberalizimi i vizave, etj., e jo orientimi ideologjik. Nuk do të jetë e lehtë as pastrimi i institucioneve të vendimmarrjes dhe administratës shtetërore nga vegëzat e regjimit të vjetër, ngase ai e humbi pushtetin politik përmes votës, por jo edhe ndikimin përmes parasë dhe shantazhit, kërcënimit e skenarëve destruktivë.

Qeveria e re Vetëvendosje-LDK duhet ta ndryshojë krejtësisht kursin mbi liberalizimin e vizave dhe Evropën: etjen kolektive për liberalizim vizash (e cila është e drejtë elementare e kosovarëve për të cilën po diskriminohen haptazi, pos tjerash edhe për faj të politikanëve të korruptuar) e shpërngulje drejt perëndimit, në mungesë të perspektivës, ta shndërrojë në shpresë dhe vullnet për ta ndërtuar mirëqenien, barazinë, lirinë e mirëfilltë e shtetin ligjor brenda Kosovës: pra, së pari “ta ndërtojë Evropën” brenda Kosovës. Në hapjen e vendeve të reja të punës, me transparencë e qeverisje të mirë, do ta ketë edhe përkrahjen e shteteve mike dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare për asistencë ekonomike.

Sa u përket bisedimeve me Serbinë, sa do të jetë sfiduese, po aq është edhe i nevojshëm ndryshimi i qasjes: rishikimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe implementimit të tyre. Themi sfiduese, ngase në bisedime nuk janë dy palë të thjeshta, por tri palë të komplikuara: Kosova, me njëlidership deri më tani jo fort serioz, që dialogun e sheh më shumë si procedurë teknike sesa si investim e proces kompleks që ka implikime politike nacionale e rajonale me peshë historike, Serbia, e cila në mungesë të çfarëdo trysnie as që e mendon të respektojë sovranitetin e integritetin e Kosovës (p.sh., ajo ende ka një ministri “për Kosovën dhe Metohinë”!), dhe bashkësia ndërkombëtare, si ndërmjetësuese dhe garantuese, e cila kërcënon se po e humb durimin me këto dy palë “të lazdruara”, që s’po arrijnë të merren vesh mes vete dhe e cila s’është e interesuar të shohë nga e kaluara, por vetëm nga “e ardhmja”. Madje refuzimi që iu bë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut (kur kjo e fundit e ndërroi edhe emrin si kusht për integrim) për hapjen e negociatave për integrim në Bashkimin Evropian dëshmoi për një dimension të ri në arenën ndërkombëtare: qëndrimi dhe premtimi aktual i BE-së për integrim nuk mund të merret si i mirëqenë e me garanci e plotë as për neve, ngase kompromiset për hir të integrimit mund të shkojnë huq dhe aktualisht të mbesim pa asnjërën, pa integritet e pa integrim: pa integritetin e plotë nacional, historik e shtetëror dhe pa integrim në BE. Prandaj Kosova nuk mund të heqë dorë nga parimet e ta zhbëjë kështu subjektivitetin e vetë shtetëror. Kushtëzimet në dialog, që i ka parashtruar Vetëvendosje (zbardhja e fatit të të pagjeturve, kthimi i fondit pensional, dëmshpërblimi për dëmet e luftës, etj.) janë kruciale për ta afirmuar integritetin shtetëror, historik e shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës.

VV si shprehje e vazhdimësisë së mendimit e veprimit politik

Lëvizja Vetëvendosje, për nga ligjërimi politik dhe shkolla e të mendimit politik, nuk është vetëm projekt politik: ajo më mirë se çdo subjekt a lëvizje tjetër i përbrendëson idetë dhe vizionin e Rilindjes Kombëtare në këtë shekull. Ajo është zgjatim konceptual dhe vleror i projektit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kkjo edhe e bën të ketë themel të fortë historik e ideor. E po ashtu është afirmim e shkollë e mendimit të Ukshin Hotit për shtetin, politikën, lirinë, kombin, Evropën, ekonominë e fenë. Shikuar nga ky aspekt, ajo po bën artikulimin e kërkesave, halleve aktuale të qytetarëve kosovarë bashkë me kultivimin e vlerave historike që e afirmojnë kombin e shoqërinë si të tërë, si subjekt historik, që ka një vazhdimësi, ka vetëdijen për veten (e kundërta me konceptin “new born”, të cilin përmes organeve të shtetit e zbatuan partitë e regjimit të vjetër), ka rezonim për botën dhe tjetrin. Ndërkaq partitë e vjetra e kanë konsideruar veten dhe subjektin që e përfaqësonin (pra popullin) si subjekt aktual më shumë së gjithçka tjetër, një frymor të përkohshëm që duhet të konfirmohet, të presë e të heshtë derisa ata të na i zgjidhin punët e mëdha. Në të kundërtën rrezikon të zhbëhet, çnjihet e humb: e kjo është shkolla pasive e pritjes dhe frikës.

Ligjërimi politik i prodhuar nga partitë e regjimit të vjetër e ka ngarkuar mendjen tonë me punë të cilat në kushte normale do të duhej t’i përkisnin vetëm burokracisë së shtetit. E me qeverinë e re, tashmë “është” një kryeministër që flet me rezonim historik për veten dhe kombin e vet, që projektin e Kosovës nuk e sheh si dhuratë e si fund, por si proces, si pjesë të çështjes shqiptare të arritur me sakrificë e mund. Kështu e bën bashkimin e idealeve mes disa gjeneratave, pra “është” kryeministër i disa gjeneratave, ani pse atë e solli në pushtet kryesisht shtresa e të rinjve.

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dha sinjal edhe në rajon, përkatësisht në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut: ardhja në pushtet e partive me program të ngjashëm, që ngrihen duke artikuluar politikisht hallet e gjendjen sociale të qytetarëve, rikthimin e rezonimit nacionalist për veten, është pra i realizueshëm tashmë, e jo vetëm ëndërr. Pushtetit të vjetër po i troket në derë dinamika e re e votuesit të ri. Pushteti i vjetër nuk është tashmë i paprekshëm. Atij iu luhatën themelet, e këtë më së miri do ta hetojnë vegëzat e regjimit të vjetër kosovar në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut.

Nuk është punë partie

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhet parë si shprehje e antagonizmit partiak. Nuk duhet lexuar si mundje “e jona” ndaj “atyre”, ngase duhet kuptuar mirë se “ne” nuk është anëtari i Vetëvendosjes, por është secili qytetar i Kosovës i njësuar me fatin e popullit të Kosovës qe 20 vjet, i indinjuar dhe që kërkon ndryshime të mëdha dhe perspektivë, një qeveri dhe kryeministër që e bën të ndjehet krenar dhe se “ata” janë një entitet partiak e klientelist që keqpërdorën vullnetin dhe mirëbësimin e qytetarëve. Prandaj edhe “ne” dhe “ata” nuk e kanë kuptimin e rëndomtë të identifikimit të dy-tri partive. Kjo edhe konfirmon përgjegjësinë e madhe morale e shtetërore që e ka qeveria e re përpara vetes.

Pritshmëritë janë të qarta: Vetëvendosje ta japë modelin se si kuptohet e ndërtohet një shtet modern, ta përmbysë rendin feudal të importuar në politikë nga pushtetet paraprake, të vë në rend të parë interesin qytetar dhe qytetarin si subjekt dhe ta riafirmojë konceptin e një qytetari të lirë, me rezonim politik e moral.

Vetëvendosje, në mungesë të përvojës në qeveri, mund të ketë vështirësi praktike në funksionim, ndërsa PDK në mungesë të përvojës në opozitë, mund të mos dijë e të mos dojë të sillet si opozitë. Shto kësaj faktin se komponentë të PDK-së, të emëruar në mënyra të dyshimta, ende mbajnë pozita të rëndësishme në institucione publike, madje edhe në ato të drejtësisë, të cilat do të duhej të ishin larg ndikimit politik e partiak.

Natyrisht, mjetet që i ka përdorur Vetëvendosje për të kundërshtuar vendime dhe ngjarje të caktuara (përkatësisht eskalimi i protestave dhe gazi lotsjellës, për çka rëndom akuzohet nga kundërshtarët), sado të jenë normale për një shoqëri demokratike dhe sado të ketë pasur të drejtë në kërkesat e saj, mund të krijojë precedentë që edhe opozita e re të ndërmarrë veprime të ngjashme ndaj vendimeve e ngjarjeve që për ta do të jenë “të dëmshme për Kosovën”.

Nga ana tjetër, Kosova nuk i ka zgjidhur problemet me ardhjen e Vetëvendosjes bashkë me LDK-në në pushtet. Pamundësia e realizimit të planit dhe premtimeve mund të rezultojë me zhgënjim të madh. Në atë rast nuk do të konfirmohet shpresa, por zhgënjimi, andaj regjimi i vjetër, do të bëhet, në rastin më të mirë, i përsëritshëm. Nëse ajo nuk i kthen në praktikë premtimet me të cilat erdhi në pushtet, do të hyjë në shportën e skenës së vjetëruar politike në Kosovë, ndërsa faturën e saj do ta paguajnë prapë kosovarët, ani pse zor se do të jetë më e shtrenjtë se fatura e regjimit të vjetër.

Por, edhe kur kjo qeveri që po vjen nuk mund t’i realizojë premtimet, qytetari duhet ta dijë se ajo po vjen në pushtet si kundërpërgjigje ndaj keqpërdorimit e korrupsionit, pra shtetin po e gjen në gjendje jonormale, në çdo sektor, prandaj trashëgiminë 20-vjeçare të disa hisedarëve nuk mund ta zhbëjë lehtë dhe e vetme. Dëmi i regjimit të vjetër nuk mbaron me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, por ai vazhdon. Madje, këtu fillon të shihet edhe më qartë, ngase ai nuk është më në pushtet që të mund ta mbulojë veten.

Subjektet tjera politike të pakorruptuara, aktorët e rëndësishëm me impakt në shoqëri, mediet, personalitetet e rëndësishme, shoqëria civile dhe ambasadat e vendeve mike (pasi që shpesh janë hisedarë e eprorë realë në zhvillim e vendimmarrje) që operojnë në Kosovë, nëse veç e kanë hallin e mirëqenies, do të duhej t’i ndihmonin, pra, Vetëvendosjes që ta zhbëjë punën e gabuar që e kanë zhvilluar pushtetet paraprake dhe t’i asistojnë nga pozitat e tyre për të vënë themelet e një qeverisjeje të mirë, transparente dhe produktive, sepse fitorja e saj nuk është punë subjekti, por punë e transformimit të madh shoqëror e politik për të cilin ndjehet thellë nevoja e konsensusit të gjithmbarshëm shoqëror e politik.