Veriu i Kosovës – marrëveshje apo ndeshje?

Veriu i Kosovës – marrëveshje apo ndeshje?

Serbia është e rrethuar në të gjitha anët me vendet e NATO-s, me përjashtim të Bosnjës e Kosovës (ku po ashtu NATO ka prani ushtarake). Një lëvizje ushtarake e Serbisë do të ngjante me thyerje kokës për muri. Por, Serbia gjithnjë mund të luajë me lojën e bandave brenda Kosovës. Këto banda nuk do të ishin problem për një shtet të konsoliduar, ta zëmë si Sllovenia ose Kroacia.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Në një intervistë për një televizion kroat, në pyetjen “Përse shoqëria kosovare deri më tani, për 23 vite rresht, ka paguar gjysmë miliardi euro për shpenzimet e energjisë elektrike dhe ujit që kanë shpenzuar serbët në veri të Kosovës?”, u përgjigja: “Ky është çmimi i sovranitetit fiktiv të shtetit tonë mbi veriun e Kosovës”. Pasoi pyetja se “Çfarë u duhet sovraniteti fiktiv?”. Për këtë thash se derisa e kemi sovranitetin fiktiv, gjithmonë na mban shpresa se një ditë do ta shndërrojmë në sovranitet real. “Përse nuk përpiqeni ta bëni tani?”, vazhduan ata. “Ende jemi të pafuqishëm, por shpresojmë se një ditë do ta kemi këtë fuqi. Një ditë, ne do të jemi të fuqishëm, ndërsa Serbia do të jetë e dobësuar dhe sovranitetin mbi veriun e Kosovës do ta shndërrojmë në realitet o me marrëveshje politike o me ndeshje direkte me bandat e Vuçiqit.”, u përgjigja.

Fatkeqësia e Kosovës është se erdhi dita kur pozicioni i Serbisë u dobësua për shkak të luftës në Ukrainë, por institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të lëngështa. Një vit më parë, Qeveria e Kosovës provoi reciprocitetin me targat e automjeteve. Bandat e Vuçiqit u angazhuan në barrikada, por policia e Kosovës e zotëroi situatën dhe kjo bëri që në Bruksel të nënshkruhet marrëveshja për stikersat në tabelat e automjeteve, gjë që ishte një hap përpara për Kosovën.

Por, vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga 1 gushti 2022 të aplikohet reciprociteti edhe me letërnjoftimet hasi në rezistencë të fortë. Mes këtyre dy vendimeve të Qeverisë, strukturat paralele të Serbisë në veri të Kosovës na qenkan forcuar aq, sa më 31 korrik 2022 e zotëruan situatën në terren dhe e detyruan ambasadën amerikane t’i sugjerojnë Qeverisë së Kosovës shtyrjen e afatit deri më 1 shtator 2022.

Kjo bëri që presidenti Aleksandar Vuçiq të ndjehet më i fuqishëm përballë Albin Kurtit, por në të njëjtën kohë të rritet presioni amerikan ndaj tij. Në vigjilje të takimit të tij më 18.08.2022 me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, atij ia mblodhën betë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe diplomati amerikan, Gabriel Escobar. Përkundër këtij presioni, Vuçiqi nuk u dorëzua dhe nuk bëri asnjë marrëveshje me Albin Kurtin.

Por, gjykuar në bazë adresimit që presidenti i Serbisë i bëri kombit serb më 21.08.2022, duket ashiqare që ai po hamendet të lëshojë pe para presionit të madh të Perëndimit. Sidoqoftë, nëse deri më 1 shtator 2022 nuk ka marrëveshje, atëherë Qeveria e Kosovës ndodhet para sfidës së madhe: ose do të poshtërohet serish, duke e shtyrë afatin e reciprocitetit për një datë të më vonshme ose Policia e Kosovës do të përleshet me bandat e Vuçiqit në veri të Kosovës. Fituesi i kësaj beteje do ta përcaktojë fatin e mëtutjeshëm të Kosovës.

Në këtë vigjilje të sfidës, shumë nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës pretendojnë se problemin do ta zgjidhë KFOR-i. Këtë mund ta dëgjosh nëpër kafene, studio televizive etj. Shqiptarët e kanë shprehi që t’ia bëjnë qefin vetes, duke ushqyer iluzione se tjerët ua kryejnë punët.

Të gjithë ata që mendojnë se KFOR-i do ta zgjidhë problemin e veriut të Kosovës e kanë gabim. KFOR-i e zgjidhë vetëm një segment të këtij problemi – atë më të rëndësishmin – problemin ushtarak. Këtë problem KFOR-i e ka zgjidhur qe 23 vjet. Problemet policore me bandat e Vuçiqit duhet t’i zgjidhë policia e Kosovës. Problemet politike me Veriun duhet t’i zgjidhin institucionet politike të Kosovës. Secili e ka hisen e vet të problemit e të zgjidhjes.

Natyrisht, kur një institucion e kryen punën e vet si duhet, ia lehtëson punën institucionit tjetër dhe anasjelltas: kur një institucion dështon, atëherë ua vështirëson punën institucioneve të tjera. Këtu askush nuk mund të akuzojë KFOR-in për dështim në mandatin e vet.

Se a do të ketë ndeshje apo marrëveshje , kjovaret shumë nga gjendja në terren. Nëse institucionet e Kosovës janë të vendosura, të përgatitura e të shtrënguara mirë, këtë e merr vesh edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe lëshon pe në bisedime, se çdo gjë merret vesh në Kosovën tonë transparente.

Nëse nuk ka vendosmëri, përgatitje, mobilizim etj., por vetëm pritje se të huajt do të na e zgjidhin problemin, atëherë gjasat janë që ose të bëjmë marrëveshje poshtëruese ose të mos bëjmë fare marrëveshje e të sfidohemi me ndeshje me bandat e Vuçiqit. Por, për të fituar në ndeshje, duhet të jesh i përgatitur. Shteti që e ka diplomacinë e fortë e lidershipin e mençur e eviton ndeshjen, sepse paraprakisht ia di vetit hallin. Por, këtu shtrohet pyetja kush ia di vetit hallin më mirë: Kosova apo Serbia?

Serbia është e rrethuar në të gjitha anët me vendet e NATO-s, me përjashtim të Bosnjës e Kosovës (ku po ashtu NATO ka prani ushtarake). Një lëvizje ushtarake e Serbisë do të ngjante me thyerje kokës për muri. Por, Serbia gjithnjë mund të luajë me lojën e bandave brenda Kosovës. Këto banda nuk do të ishin problem për një shtet të konsoliduar, ta zëmë si Sllovenia ose Kroacia, ku ka prani të popullatës serbe po ashtu, por për Kosovën këto janë problem që 23 vjet i kushtojnë Kosovës vetëm me energji elektrike e ujë rreth gjysmë miliardi euro plus të tjera (kontrabanda, evazioni fiskal etj.).

Por, a ka mbledhur forcë të mjaftueshme policia e Kosovës që t’i neutralizojë këto struktura paralele, pa shkaktuar incidente në popullsi dhe pa bërë gjakderdhje të mëdha, kjo mbetet për t’u parë. 31 korriku ishte një fiasko para këtyre bandave. Alarmi i lëshuar nga këto banda i torturoi banorët e Mitrovicës (në veri dhe jug) për 6 orë rresht dhe policia e Kosovës nuk ishte në gjendje që ta ndalte atë dhe t’i arrestonte autorët për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Për të triumfuar në këtë betejë, shteti i Kosovës duhet të ketë njerëz në institucione të saj që e duan vendin, që rrezikojnë për interesa të tij dhe që nuk shohin atdhe rezervë dhe që, për më tepër, nuk shohin Kosovë më të vogël se kjo që është aktualisht.

Një rrëfim është ilustrues për mesazhin e këtij shkrimi. Dy të njohur nga Mitrovica, një serb e një shqiptar, po i tregonin një francezi se janë pajtuar mes vete që kufiri Kosovë-Serbi të jetë në Urën e Ibrit. “Por, kemi një dallim jo fort të vogël – tha shqiptari – ky serbi po thotë që kufiri duhet të jetë në urën e Ibrit në Mitrovicë, kurse unë po them që duhet të jetë në Urën e Ibrit në Rashkë”. Pyetja që u shtroi francezi këtyre dyve ishte: “Cili nga ju dashuron më shumë: ti shqiptar urën e Rashkës apo ti serb urën Mitrovicës?”.

 

* Ky shkrim është dorëzuar për botim më 22.08.2022