` . Veprimtarinë antikomuniste në Shqipëri në sytë e spiunit jugosllav? - TV-SHENJA

Veprimtarinë antikomuniste në Shqipëri në sytë e spiunit jugosllav?

Në këtë numër të revistës SHENJA e pamë të arsyeshme të botojmë një dokument me titull “Një pasqyrë dhe vlerësim i grupeve reaksionare-opozitare në Shqipërinë sot”, hartuar më 16 shtator të vitit 1946 nga i deleguari i plotfuqishëm jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja, i cili ishte me prejardhje shqiptare, përkatësisht arbëresh nga fshati Arbanas i Zarës së Kroacisë

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Siç është e njohur, marrëdhëniet midis regjimeve komuniste shqiptaro-jugosllave, deri në shpalljen e Rezolutës së Informbyrosë (1 korrik 1948), ishin vëllazërore. Tito dhe klika e tij komuniste jugosllave kishte arritur ta fusë nën sqetull tërë garniturën drejtuese të atëhershme komuniste shqiptare, në radhë të parë Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Ndikimi jugosllav te udhëheqja komuniste shqiptare nuk ishte vetëm politik, por edhe ekonomik, ushtarak, arsimor, kulturor etj. Në emër të “rindërtimit” të vendit, në Shqipëri, krahas misionarëve partiakë dhe diplomatikë, në Tiranë qëndronin qindra “ekspertë” jugosllavë të fushave të ndryshme, pa përjashtuar edhe atë ushtarake. Kështu, me vendim të Shtabit Suprem të LNÇJ-së, në gusht të vitit 1944 në Shqipëri u vendos Misioni Ushtarak me këtë përbërje: kolonel Velo Stojniq, shef i Misionit, major Vojo Todoroviq, zëvendësshef i Misionit, si dhe anëtarët e Misionit: Savo Stanojeviq, Petar Razhnjatoviq, Nijaz Dizdareviq dhe Marin Bërciq. Në janar të vitit 1945, Misioni Ushtarak jugosllav u përforcua edhe me disa instruktorë: kolonel Petar Kiler, nënkolonel Obrad Cicmil, nënkolonel Mijat Vuletiq, major Teodor Tominsek dhe Vojo Sërzentiq. Marrë në përgjithësi, shteti shqiptar qe shndërruar në njëprovincë jugosllave. Gazeta Bashkimi, më 23 shtator të vitit 1945, nënvizonte se “Shqipëria te Jugosllavia e re sheh mikun e vërtetë, që përbën garancën e fuqishme për ekzistimin e Shqipërisë demokratike”. Po kjo gazetë, në një artikull të botuar më 20 nëntor të atij, viti shkruante: “…Qeveria e Mareshalit Tito ka qenë qeveria e parë e cila e ka pranuar qeverinë tonë demokratike, ajo gjithmonë ka qenë me ne dhe neve na ka ndihmuar edhe pse edhe ajo kaqenë e rrënuar nga luftae madhe antifashiste. Jugosllavia përbën faktorin kyç për paqën dhe fitoren e demokracisë në Ballkan dhe mbështetëse për fitoren në Evropë…”.

Me rastin e festës jugosllave, 29 nëntori, Enver Hoxha i dërgoi një telegram J.B. Tito me këtë përmbajtje: “Populli shqiptar sot në ditën e çlirimit të vet me dashuri dhe falënderime të thella mendon për popujt vëllezër të Jugosllavisë, të cilët me një ndihmë aq të madhe kanë ndihmuar për fitoren e kësaj lirie, kësaj pavarësie dhe sovraniteti që sot e gëzon. Populli shqiptar te, Zotëri Mareshal, do të ruajë kujtimin e përjetshëm për ndihmën Tuaj të vendosur që e keni bërë për të drejtat tona të pakontestueshme në arenën ndërkombëtare. Në ndërtimin e vendit tonë të djegur e të shkatërruar nga lufta në ngritjen ekonomike dhe zhvillimin kulturor”.

Në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd ekzistojnë me mijëra dokumente të proviniencës diplomatike e partiake jugosllave, të cilat hedhin dritë mbi vasalitetin e servilizmin e skajshëm të udhëheqjes komuniste shqiptare ndaj Beogradit zyrtar. Në këtë numër të revistës SHENJA e pamë të arsyeshme të botojmë një dokument me titull “Një pasqyrë dhe vlerësim i grupeve reaksionare-opozitare në Shqipërinë sot”, hartuar më 16 shtator të vitit 1946 nga i deleguari i plotfuqishëm jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja, i cili ishte me prejardhje shqiptare, përkatësisht arbëresh nga fshati Arbanas i Zarës së Kroacisë. Nga vet titulli i dokumentit shihet qartë se autoritetet e atëhershme komuniste jugosllave e konsideronin opozitën shqiptare si “reaksionare”, pjesa më e madhe e së cilës asaj kohe, për shkak politikës së dhunshme të regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës dhe klikës së tij, qe detyruar ta braktisë vendin për t’u vendosur në Greqi dhe Itali, nga ku – me ndihmën e aleancës anglo-amerikane – shpresonte se një ditë do të arrijë jo vetëm ta rrënoj regjimin diktatorial të Hoxhës, porse shtetit shqiptar t’ia bashkojë tokat e ripushtuara nga ushtria komuniste jugosllave, përkatësisht Kosovën dhe trevat lindore shqiptare (Maqedoninë e sotme Veri-Perëndimore). Ndërkaq një pjesë tjetër qe vrarë gjatë luftës civile, e cila shpërtheu pas prishjes së Marrëveshjes kombëtare të Mukjes (1 gusht 1943) dhe zgjati deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Ajo u nxit nga misionarët jugosllavë, Popoviq, Mugosha, Vukmanoviq-Tempo, ndikimi i të cilëve ishte shumë i fuqishëm tek kreu i PKSH-së.

Përveç kësaj, diplomati jugosllav e vlerësonte opozitën shqiptare si “shumë të prapambetur”, e cila, siç thuhet, “vepron sipas interesave personale, fisnore, grupore e regjionale”. Është me rëndësi të theksohet fakti se një etiketë të tillë asaj kohe, nga ana e komunistëve jugosllavë, përdorej ndaj të gjithë veprimtarëve shqiptarë, pa marrë parasysh se pjesa dërrmuese e tyre ishin shkolluar në universitetet më prestigjioze botërore. Për ta mjaftonte se ata për nga bindja ishin antikomunistë, antijugosllavë, përkatësisht pro anglo-amerikanë. Dokumenti prej 6 faqesh gjendet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi KQ i LKJ-së (507). Këtu po publikohet i plotë dhe për herë të parë.

“LEGATA E REPUBLIKËS POPULLORE FEDERATIVE TË JUGOSLLAVISË

Proc. Nr. 46/46

16.IX.1946

NË TIRANË

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME – Dhomës politike – BEOGRAD

 

Lënda: Një pasqyrë dhe vlerësim i grupeve reaksionare-opozitare në Shqipëri sot.

 

Vlerësimi i grupimeve reaksionare-opozitare, fuqia, ndikimi, organizimi dhe veprimi i tyre për momentin është i një interesi të lartë, kur në Konferencën e Paqes nga ana e monarko-fashistëve grekë, të përkrahur nga imperialistët anglo-amerikanë, në mënyrë shumë serioze parashtrohet dhe shqyrtohet çështja e integritetit territorial të Shqipërisë ose, më saktë, çështja e ekzistimit të shtetit të ri shqiptar. Momenti i tanishëm njëherazi është më i përshtatshmi për sjelljen e pasqyrës dhe vlerësimit më të qartë – për arsye se elementet reaksionare, që është edhe e natyrshme, në mënyrë më të guximshme dhe më të hapur dalin në sipërfaqe me kartat e tyre, duke e menduar atmosferën e tanishme ndërkombëtare më të favorshme për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, me çka vëzhguesit ia lehtësojnë shumë dhënien e vlerësimit të saktë të fuqive, metodave punës dhe organizimin e tyre.

Në këtë narrativ të shkurtër do t’i paraqesim vetëm momentet e përgjithshme, karakteristikat themelore të atyre forcave në Shqipërinë e tanishme, duke e parë problemin si tërësi të rrumbullakuar. Në narativat e tjera, me të cilat do të angazhohemi në përpunimin e detajuar e konkret të grupeve ose të çështjeve të caktuara, do ta plotësojmë këtë narrativ të tanishëm, të cilin e konsiderojmë si më të nevojshëm dhe deri-diku të mjaftueshëm, që të mund të orientohemi në këtë çështje.

  1. Pasi në jetën e përgjithshme të popullit shqiptar deri në Luftën Nacional-Çlirimtare sundonte fuqishëm sistemi i marrëdhënieve feudale, rrjedhimisht ai fakt ka lënë përshtypje bukur të dukshme në jetën e përgjithshme dhe në zhvillimin e popullit, prandaj është e kuptueshme edhe zhvillimi, përbërja, orientimin dhe aktiviteti i forcave reaksionare-opozitare. Një ndër linjat më të rëndësishme dhe më me interes të atyre forcave në këtë vend, që gjithsesi se është produkt i fakteve të nënvizuara të atyre forcave, është p.sh. ajo se veprimtaria dhe grupimi i atyre forcave nuk kryhet ekskluzivisht dhe në radhë të parë në planin politik-klasor, porse edhe në planin regjional, fetar, madje edhe në interesat primitive fisnore. Prandaj, për nga struktura e kësaj force si tërësi duhet karakterizuar në një pasqyrë shumë heterogjene, e cila duket si vijon:

Bejlerët e shpronësuar – kryesisht në bregdetin perëndimor të Shqipërisë / Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë/.

Përndryshe me politikën e regjimit të tanishëm janë shpronësuar elementet borgjeze /tregtarët dhe industrialistët e vegjël nëpër qytetet Korçë, Tiranë, Durrës, Shkodër etj./.

Pjesa më e madhe e inteligjencës, në radhë të parë ata me tituj publikë, pjesa dërrmuese me prejardhje nga familjet borgjeze-bejlere, me shkollim dhe pikëpamje perëndimore. Një pjesë e bejlerëve të Zogut e më pas të aparatit shtetëror okupator fashist dhe ushtria – burokracia e lartë, oficerët etj., janë përjashtuar nga ndikimi shtetëror dhe janë “nëpërkëmbur”.

Kleri katolik në tërësinë e tij, me qendër në Shkodër dhe me ndikim bukur të lartë në Shqipërinë Veriore, në mesin e komunitetit katolik, si dhe pjesa dërrmuese e klerit ortodoks.

Individë dhe familje të privilegjuara nga fiset-gjeniale – bajraktarët e ngjashëm, në mbarë Shqipërinë veriore dhe verilindore / jashtëzakonisht të prapambetur, kryesisht elementë malësore, të cilët deri më sot ende nuk janë përfshirë as në organizim të pushtetit shtetëror e as në politikën e Frontit – Mirditë, Dukagjin, Malësi etj./.

Ngjashëm si pasqyra strukturore sociale e heterogjene, që u nënvizua më lart, qëndron edhe pasqyra në pikëpamjen ideologjike të prejardhjes dhe të kaluarës politike-partiake të grupeve reaksionare-opozitare në Shqipëri. Nga ky këndvështrim neve na ofrohet pasqyra si vijon:

Elementet zogiste – klikë e elementeve borgjeze dhe feudale, si dhe të Oborrit të oficerëve burokratë të Zogut, përkatësisht grupacione të ngushta, të cilat gjatë kohës së Zogut kanë marrë pjesë në plaçkitjen e popullit.

Klika feudale, borgjeze antizogiste, me orientim ekskluzivisht antizogist dhe vetëm për faktin se u qe pamundësuar pjesëmarrja në pushtet dhe në plaçkitje / bejlerë të mëdhenj jashtë rrethit të Shqipërisë së Mesme – Zogiste, pastaj borgjezët e jugut dhe veriut, të grupuar sipas interesave lokale e regjionale / p.sh. grupi i Mustafa Krujës – “i Zarës”, grupi i beut të pasur Shefeqet Vërlaci, “Bashkimi Kombëtar” në Paris në krye me tregtarin Ali Klysura, Qazim Koculli, Rexhep Mitrovica, Kol Tromara, Bahri Omari etj.

Orientimi klerikal-fashistë, bartës i të cilit është kleri katolik në Shkodër dhe Durrës me grupet borgjeze e feudale rreth atyre qendrave dhe me ndikimin e dukshëm në bashkësinë primitive e fisnore në veri. Këta, ndër të parët, para pushtimit të Shqipërisë 7 prill 1939, qenë përcaktuar për Musolinin, ndërsa gjatë kohës së pushtimit shpeshherë përbënin shpinën dhe thuajse gjithnjë trurin e organizimit okupator-fashist, të institucioneve etj., si p.sh. “Partia Fashiste Shqiptare”…

Familjet udhëheqëse – grupe të individëve dhe familjeve nga “fiset” e prapambetura, të cilat varësisht nga rrethanat u kanë shërbyer atyre, të cilët kanë ofruar më shumë, shpesh të udhëhequr nga kleri katolik, e shpesh edhe nga agjentët e imperializimit italian e serbomadh, në të cilin drejtim, sipas linjës së njëjtë fetare, është orientuar edhe një pjesë e klerit ortodoks, ndërsa pjesa tjetër pikëpamjet e veta, gjoja për të njëjtat interesa, i ka orientuar kah Greqia.

Grupet liberale-borgjeze dhe intelektuale, të lindur dhe të krijuar në taborin e Fan Nolit gjatë kohës së trazirave serioze në Shqipëri nga viti 1920 e deri më 1925. Ky tabor,me kalimin e kohës u nda në gupe të ndryshme, prej të cilëve krahu djathtistë dhe i qendrës kaloi kah forcat tjera reaksionare, ndërsa majtistët deri para kryengritjes përbënin në radhë të parë opozitarizmin më majtist antizogist dhe antiokupator “Çlirimi Kombëtar”, “Sazani” etj., që më vonë të përfshiheshin gjithnjë e më shumë në krahun djathtist të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, i cili sot përbën lidhjen jo të shëndoshë të opozitës dhe të tendencës reaksionare jashtë LNÇ-së (Boshnjaku, Maleshova, Dishnica, Shtylla, Nishani, etj.).

Të gjitha nuancat “politike” të nënvizuara më lart gjatë kohës së Luftës Nacional-Çlirimtare qenë përfshirë në dy rryma të gjëra: Balli Kombëtar dhe Legaliteti – të cilët, të udhëhequr nga urrejtja e thellë antiitaliane nga 7 prilli e deri te kapitullimi i Italisë, sa për sy e faqe kanë qenë të detyruar ta mbajnë pozitën dhe programin antiitalian – që me forcimin e vazhdueshëm të LNÇ-së dhe dobësimin e Italisë fashiste deri te kapitullimi – gjithnjë e më shumë ranë dhe e zbuluan fytyrën e tyre, gjë që veçmas erdhi në shprehje të plotë, kur – me rënien e Italisë dhe pushtimin gjerman – kryengritja mori përmasa të gjëra, me çka edhe këta grupe e kishin të domosdoshëm të marrin vendin e tyre të saktë nga ana e njërit ose taborit tjetër.

Balli Kombëtar – Fronti Kombëtar – përbën frontin shumë të besueshëm të bashkimit të pjesës së madhe të reaksionit feudal-borgjez shqiptar – me përjashtim të elementit zogist. Është themeluar në vitin 1942 në krye me Mithat Frashërin. Linja e tyre ka qenë “pritja” dhe përgatitja për aksionin vendimtar. /Parullat bazë “Vdekja e tradhtarëve” – “Shqipëria e Shqiptarëve” përfshi edhe Çamërinë dhe Kosovën – që paraqet shprehjen e shovinizmit të tyre të hidhur.

“Legaliteti” është lëvizje e përkrahësve të mbretit legal dhe “pushtetit legal”, përkatësisht të bejlerëve të Zogut, në krye me Abaz Kupin, që vjen nga zona e ndikimit në krahinat e Zogut – Mat dhe Krujë, por me përkrahës nga radhët feudale e borgjeze edhe nëpër qytetet e Shqipërisë.

Në Konferencën e njohur në Pezë 17/IX 1942, kur me nismën e PPSH-së është vendosur themeli i Frontit të vetëm dhe të programit të luftës së popullit shqiptar, për arsyet e shumta të cilat u nënvizuan më lart, qenë prezent edhe përfaqësuesit e Ballit Kombëtar e të Legalitetit. Atyre nuk u ka penguar – siç theksuam, që të afrohen me okupatorët, dhe me ardhjen e gjermanëve të përfshihen në mënyrë të hapur në taborin e tyre. Ata formuan qeveri dhe njësi kuislinge për luftë kundër “komunizmit”, “anarkisë” etj.

 

  1. Përveç fakteve të nënvizuara për njohuritë dhe kuptimin e plotë të çështjes qenësore dhe të veprimit të forcave reaksionare-opozitare në Shqipëri, nevojitet të kihen parasysh këto momente, të cilat ua përcaktojnë disa karakteristika specifike:

Populli shqiptar është zhvilluar në një popull modern vetëm pas Luftës së Parë Botërore, që ky proces të formohet përfundimisht vetëm gjatë LNÇ-së e deri më sot. Gjatë atij zhvillimi kanë qëndruar urrejtjet e partive e të organizatave politike, në përgjithësi lëvizje masive as që ka pasur – sidomos të formës bashkëkohore. Tërë jeta politike e vendit, jeta shtetërore dhe e luftës politike, është zhvilluar pa dhe kundër popullit, në rrethet e ngushta të feudalëve dhe borgjezëve, të cilët janë përcaktuar ndaj forcave të caktuara imperialiste dhe sipas interesave të veta personale, familjare, grupore e regjionale. Për sa e pamë më sipër, mund të konstatohet se as shtresat e gjera të popullit, e as klika borgjeze e feudale, në fakt, nuk kanë kaluar përmes shkollës politike jetësore, e cila përbën fazën e stuhisë së luftës ndërpartiake te një populli. Natyrisht, kjo jep përshtypje të veçantë si te grupimet feudale-borgjeze, ashtu edhe te shtresat e gjera popullore – për pjekurinë, organizimin, metodën e veprimtarisë së tyre politike.

  1. a) pra, karakteristika e parë dhe themelore e forcave reaksionare-opozitare në Shqipëri është ajo se ata thuajse nuk kanë kurrfarë përvoje politike e organizative, që është veti dhe përparësi e kolegëve të tyre në të gjitha shtetet e Ballkanit e ato danubiane, të cilat sot përjetojnë thuajse procesin e njëjtë të rregullimit të brendshëm sikurse edhe Shqipëria /Rumania, Jugosllavia, Bullgaria, Çekia, Polonia ej./. Nisur nga kjo, të gjitha forcat në Shqipëri nuk janë në gjendje ta ndërtojnë një front më kompakt në suazat e një platforme të unifikuar. Grupimi i vetëm, i cili nuk i ka mungesat e mësipërme, është kisha katolike, mirëpo momentet fetare, si dhe ato gjeografike dhe dobësitë e shumta, paraqesin pengesën e dukshme në përpjekjen e sërishme të saj, që t’i lidhë dhe bashkojë të gjitha forcat reaksionare-opozitare në planin politik të unifikuar kundër republikës së re popullore.
  2. b) karakteristika e dytë është, se përveç klerit katolik dhe bajraktarët, asnjë grupim tjetër nuk ka ndikim më të rëndësishëm në shtresat e gjera popullore. Prandaj është e pamundur të llogaritet në një mbështetje të sigurt të masave në ndërmarrjet e tyre jo vetëm nga ajo, që interesat e tanishme nuk janë identike ose ndoshta nga ajo, se me vetëdije këtë ua pamundëson qeveria politike dhe Fronti, por në radhë të parë për shkak se elementet feudale-borgjeze në të kaluarën e tyre nuk kanë pasur kurrfarë lidhje të ngushta me aspiratat, lëvizjet ose interesat e shtresave të gjera popullore, nuk e kanë pasur atë, që sot përbën kapitalin e dukshëm në duart e partive borgjeze ose të borgjezisë së imët reaksionare në demokracinë ballkanike-danubiane. Në këtë bën një përjashtim të vogël kleri katolik, andaj pikërisht për shkak bartjes së një tradite të tillë te masat katolike kisha katolike është kundërshtare e gjallë dhe e hapur kundër regjimit të tanishëm, rreziku i së cilës përkufizohet kryesisht dhe mbi të gjitha në momentet tashmë të theksuara.
  3. c) është fakt se pasoja e drejtpërdrejtë e dobësive të nënvizuara të forcave reaksionare-opozitare në Shqipëri është ajo që këto forca sot dhe gjatë periudhës së pasluftës në përgjithësi, nuk kanë arritur të ndërtojnë një platformë, orientim dhe perspektivë të unifikuar. Ndoshta më shumë se në ndonjë vend tjetër me zhvillim të ngjashëm, në Shqipëri këto forca, si tërësi, në mënyrë të dukshme përfaqësojnë masën e demoralizuar, e cila në pjesë të caktuara të saj pa krye kërkon çfarëdolloj zgjidhjeje. Pjesë të tilla në jug janë Korça- Gjirokastra, me orientim kryesisht kah Greqia, pastaj është Vlora, Durrësi, Tirana, kryesisht kah Italia, ndërsa një numër më i madh në vendet e tjera janë kah Anglia; në mesin e klerit katolik dhe një pjese të inteligjencës katolike dhe jokatolike ka me rrymën franceze, madje edhe austro-gjermane; ekziston një rrymë e caktuar bullgare-antijugosllave e me “rivendikimin” homonim ndaj Jugosllavisë / Maqedoni – Kosmet /; e, madje, ka edhe elemente, të cilët do ta përshëndesnin dhe do e kishin për qejfi politikën imperialiste jugosllave sipas modelit të së kaluarës. Marrë në përgjithësi, mund të konkludohet se të gjitha forcat reaksionare-opozitare të këtushme janë kundërshtarët e pakontestueshëm të gjendjes ekzistuese, prandaj e dinë se çfarë nuk duan, mirëpo nuk do të mund të thuhet me saktësi, çfarë dhe kë e duan.

Në formimin dhe reflektimin e orientimit të këtillë të gjerë gjithsesi ndikon edhe tradita e elementeve feudale-borgjeze shqiptare, të cilat janë zhvilluar dhe shkolluar në kushtet koloniale dhe gjysmëkoloniale të Shqipërisë, ku gjithsesi se forcat imperialiste kanë pasur interesat, planet dhe eksponentët e tyre. Nisur nga kjo, vjen edhe përshtypja e servilizmit dhe vasalitetit te të gjitha grupimeve dhe mungesa karakteristike e çfarëdolloj orientimi për pavarësinë e vendit, në ndërtimin e një Shqipërie, qoftë kjo reaksionare, por megjithatë të pavarur.

  1. d) pa dyshim se, krahas të gjitha veçorive të nënvizuara, te forcat reaksionare-opozitare shqiptare është ndërtuar një sistem i veçantë në pikëpamjen e metodës së luftës, metodës së veprimit, në përgjithësi, për arritjen e qëllimeve të tyre. Këtu bazike është ajo se në mënyrë të hapur kryhet mbështetja në ndodhitë dhe ndihmës së jashtme. Qëndrimi, pak a shumë te të gjithë, është pritja e linjës mbisunduese dhe në këtë shihet tradita e tyre fatkeqe e rolit të piunit dhe vetëm të piunit, të grupeve imperialiste të huaja.

Mënyra e organizimit më së shumti është agjenture-mashtruese sesa e një organizimi dhe një aktiviteti politiko-partiake, duke u përkufizuar më së shpeshti në rrethet e ngushta të individëve dhe grupeve të vogla, të cilat për nga autoriteti i së kaluarës, nuk llogarisin as në rezistencë e as në mbështetje të popullit, e të cilat sipas bindjeve të tyre, sikurse edhe në të kaluarën, në mënyrë apatike do të pranojnë njëlloj çdo pushtet dhe çdo situatë të re.

Krahas veprimtarisë së spiunazhit dhe të punës përgatitore-organizative, zhvillohet thuajse vetëm propaganda gojore. Vetëm në Shkodër, kohë pas kohe, vjen në shprehje përdorimi i mjeteve teknike bashkëkohore të propagandës së shkruar.

Aksioni – orientimi është sikurse u nënvizua, mirëpo gjatë muajit gusht pati disa raste të aksioneve terroriste-individuale kundër aktivistëve të rinisë përparimtare në disa fshatra, që si duket është vepër e grupeve guerile. Pastaj është aksioni i rëndësishëm më 9/IX që ish ministri Jup Kazazi e kreu në Shkodër me përkrahësit e tij nga Postriba në afërsi të Shkodrës. A thua ai ishte aksion i izoluar terrorist i armatosur vetëm i disa individëve apo i disa grupeve apo duhet të nënkuptohet si rikthesë te të gjithë në lidhje me situatën ndërkombëtare – këtë ende nuk mund ta them me saktësi.

 

III. Linja politike themelore e orientimit dhe propagandës reaksionar-opozitare:

Orientimi themelor i reaksionit të jashtëm – anglez, amerikan, francez, vatikano-italiane dhe greke gjatë aktivizimit të elementit reaksionar-opozitar në Shqipëri është largimi i Shqipërisë nga Jugosllavia, krijimi i hendekut sa më të thellë, mosbesimit sa më i madh, për çka e shfrytëzojnë si çështjen e Kosovës, ashtu edhe imperializmin e kaluar serbomadh, si edhe gënjeshtrën e mjerë fashiste për rrezikun potencial të imperializmit jugosllav dhe të imperializmit sllav në përgjithësi ndaj Shqipërisë josllave, e cila si pika e ujit në det do të shkrihet në detin sllav përmes rrugës që e ka nisur. Nëse tash për tash ende nuk mund të thuhet se orientimi i mësipërm është miratuar dhe është vendosur në plan të parë te të gjitha grupet e forcave reaksionare-opozitare të Shqipërisë, është shumë e sigurt se kjo në të ardhmen do të kryhet, përsërisim, nëse këtu vërtet ekzistojnë kushtet për një platformë dhe aksion të përbashkët.

Varianti i dytë i mundshëm për një platformë të unifikuar zbulohet në tezat e belbëzuara të reaksionit, se është në prag të derës konflikti midis Lindjes dhe Perëndimit dhe se atëherë do u mundësohet rasti i vetëm për kthimin e gjendjes së vjetër edhe në Shqipëri, pasi forcat perëndimore pa dyshim se mbisundojnë. Për këtë qëllim gjoja se kryhen përgatitjet e nevojshme. Gjoja tërë puna përgatitore qëndron në atë, që ky rast të pritet në mënyrë sa më të përgatitur dhe të jenë sa më unikë për marrjen e pushtetit e të shtetit.

 

  1. Momentet e numëruara, të cilat e karakterizojnë forcën reaksionare-opozitare në Shqipëri e të cilat në përmasa të mëdha përmbajnë dobësi serioze të brendshme të këtyre forcave si tërësi, e arsyeton konkluzionin tonë të përgjithshëm, i cili vazhdon më poshtë. Por, para kësaj, duhet nënvizuar edhe atë se dobësitë dhe pavendosmëria për përforcimin e aksioneve të tyre, shtuar kësaj se vendosjen gjeografike të klerit katolik e të bajraktarëve më të vetëdijshëm, më të organizuar dhe më me përvojë, sipas veprimit të tyre – në fakt është “fatkeqësi”, përkatësisht në qendrat e tyre në veriun e skajshëm dhe në veri-lindje të Shqipërisë, ku vërehet presioni i vazhdueshëm dhe i fuqishëm i Jugosllavisë së re dhe ku në rast të çfarëdolloj aventure më të guximshme të reaksionit do t’i jepet grushti vdekjeprurës. Pa dyshim se për zhvillimin dhe veprimtarinë e përgjithshme të këtyre forcave në Shqipëri është me rëndësi edhe ajo se forcat e tyre qendrore, në radhë të parë janë shumë larg Greqisë, nga ku pandërprerë jehon ndikimi i propagandës dhe politikës monarko-fashiste e anglo-amerikane, por duke iu falënderuar faktit se pikërisht kah Greqia qëndron si shtyllë pjesa më e vetëdijshme dhe më e madhe e popullit shqiptar /bëhet fjalë e për të ashtuquajturat qarqe “kontestuese” të Korçës e Gjirokastrës/ – prandaj ajo jehonë ose fare nuk prek ose prek në mënyrë të padukshme në qarqet reaksionare të Shqipërisë së Mesme e Veriore. Këtu duhet ta përkujtojmë edhe politikën e regjimit shqiptar si faktori i fundit, por jo i fundit për nga rëndësia. Politika e regjimit shqiptar, në përgjithësi, e gjatë këtij viti në veçanti është shumë më e drejtë dhe më efikase në të gjitha sferat, përfshi edhe sferën e zmbrapsjes politike e policore të veprimtarisë reaksionare-opozitare në vend, gjithsesi se shumë ka ndikuar në çoroditjen e atyre forcave dhe në dezorganizimin e tyre. Burgosja e pesë-gjashtë grupeve më të mëdha në Shkodër, Tiranë dhe Korçë, në radhë të parë në grupimin më të rëndësishëm të klerit të bashkuar katolik me një farë Këshilli Qendror të elementeve balliste-zogiste në Tiranë, në krye të të cilit qëndron kundërshtari serioz i regjimit dhe me ndikim, Gjergj Kokoshi, pa dyshim se politika e regjimit e ka arritur atë qëllimin.

Nga të gjitha arsyet e nënvizuara mund të konkludohet se sot në Shqipëri forcat reaksionare-opozitare vetvetiu, efektivisht, nuk përbëjnë ndonjë forcë të rëndësishme dhe ndonjë rrezik potencial. Likuidimi i tyre ose së paku paaftësimi, duke i marrë parasysh të gjitha momentet e theksuara jo vetëm se nuk është problem i pazgjidhur, porse nuk paraqet as problem i cili do të shkaktonte kushedi se çfarë flijimesh dhe përpjekjesh. Këtu e përfshijmë edhe problemin e grupeve të armatosura, të cilat sipas të dhënave jo të plota, numërojnë midis 500 dhe 700 njerëz, e të cilat në mënyrat e ndryshme janë të lidhura me forcat dhe grupimet nëpër qytete dhe fshatra, për të cilat këtu ju raportojmë si problem themelor politik.

Çështje tjetër është se forcat reaksionare-opozitare në Shqipëri mund të paraqiten potencialisht, përkatësisht, se ato, duke i marrë parasysh rrethanat e ndryshme ndërkombëtare dhe duke e marrë parasysh dobësinë e dukshme të punës politike-administrative të pushtetit e të organizatave masive, si dhe disa lëshime të caktuara të Qeverisë dhe Frontit në këtë çështje në të kaluarën, mund të paraqesin dhe të bëjnë.

Kur themi kështu, në radhë të parë mendojmë në marrëdhëniet e acaruara anglo-amerikane ndaj Shqipërisë dhe në shtyrjen e tyre të monarko-fashistëve grekë në aksione provokuese dhe, eventualisht, në aventurë luftarake kundër Shqipërisë së re, mendojmë për luftën diplomatike në përgjithësi, e cila po zhvillohet kundër Shqipërisë së re dhe e cila është ose duke u përforcuar ose duke u shkuar deri te konflikti konkret, mund të kishte jehonë më të madhe në vend. Së dyti, mendojmë në dobësitë e shumta të kuadrit në aparatin shtetëror dhe në organizatat politike, që në përmasa të mëdha i bëjnë të paafta, që me suksesin e mundshëm ta thyejnë reaksionin, veçmas përpjekjet e tij rreth lidhjes dhe aktivizimit për të ashtuquajturën ditë e cila është në pritje. Së treti, duke folur për lëshimet nga e kaluara, në radhë të parë mendojmë në përbërjen e Kuvendit Popullor Shqiptar, në të cilën gjenden një numër bukur i madh i elementeve reaksionare-opozitare dhe elemente që u përshtaten atyre, ndërsa deri te kjo ka ardhur në atë mënyrë që nga ana e vet udhëheqjes politike të vendit, si rrjedhojë e parashikimeve të padrejta politike, konsideronte se në listën e Frontit detyrimisht duhet kandiduar edhe një numër të caktuar të njerëzve të dyshimtë e të huaj, me qëllim që edhe në atë mënyrë të manifestohej “gjerësia” dhe “demokratizimi” i Frontit, Kuvendit e të Shqipërisë së Re në përgjithësi. Me këtë reaksionit i është ofruar mundësia e jashtëzakonshme, të grupohet në pikat më të ndjeshme të pushtetit popullor dhe nga tribunat shumë delikate eventualisht të negociojë dhe ta çojë luftën “legale” kundër gjendjes së tanishme. Të gjitha këto momente, përkundër vlerësimeve të mëparshme, gjithsesi se duhet pasur parasysh për një rrezik të përhershëm dhe kjo imponon konkluzionin se do të ishte e rrezikshme dhe e gabuar të nënçmohet rreziku dhe mundësia e cila në momente të caktuara mund të jetë e hapur. Nëse ia shtojmë edhe atë se Shqipëria, në tërësinë e saj, është vend i prapambetur dhe se pjesa më e prapambetur e saj, pjesa veriore dhe veri-lindore, nuk është përfshirë në aparatin e pushtetit dhe në politikën e Frontit, si dhe përvoja nga e kaluara e afërt dhe e largët shqiptare ofron një sërë shembujsh, të cilat dëshmojnë se primitivizmi ka qenë një hapësirë jashtëzakonisht frytdhënëse për manovrime të ndryshme të imperializmit dhe aventurës politike të klerit e të bajraktarëve, atëherë është e qartë se mundësitë dhe rreziqet potenciale për një gjë të tillë duhet pasur parasysh mbi të gjitha.

 

*          *          *

 

Siç e theksuam në hyrje, këtë narativ të përgjithshëm do ta plotësojmë me përpunimin e rregullt të problemeve konkrete me rëndësi që përfshihen në të. Me postën e ardhshme do u dërgojmë narativin e përpunuar të momentit më të rëndësishëm politik, që këtu vetëm se e kemi prekur, përkatësisht narativin për Kuvendin e Parë Popullor ose Kushtetues Shqiptar, për punën dhe rëndësinë e tij – që gjithsesi se jo vetëm do ta zbardhte dhe plotësonte këtë narrativ, por edhe pasqyrën e situatës së përgjithshme dhe politikën e Shqipërisë dhe në Shqipëri.

I deleguari

Gjergja”