` . Vepër që ndriçon historinë shqiptare - TV-SHENJA

Vepër që ndriçon historinë shqiptare

“Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”

Vepra është përpiluar me kujdes të madh, duke shtjelluar lëndën në mënyrë sistematike mbështetur në metodologji shkencore-bashkëkohore të përmbledhur në 358 faqe, që ndahen në gjashtë kapituj, sipas një renditjeje kronologjike me sqarime dhe plotësime përcjellëse, me dokumente, faksimile, fotografi, harta, bibliografi, indeks të emrave, që këtë monografi e bëjnë joshëse jo vetëm për studiuesit e historisë dhe gjurmuesit, por edhe për ata që ushqejnë simpatinë dhe dashurinë për studimin e të kaluarës.  

Shkruan: Alban DOBRUNA, Prishtinë

Aqif Blyta është një personalitet i njohur i historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX. Vlerësimi i kësaj figure historike ka pasur nuancë të ndryshme në historiografi, që në rastin më të mirë është portretizuar si një figurë e pandriçuar mirë, që është portretizuar nga studiuesit dhe politika me qëndrime të ndryshme lidhur me personalitetin e tij. Mirëpo, kohët e fundit ndjehemi me fat, që na ka rënë në dorë një libër i mirë i autorit Ismet Azizi, siç është “Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”, i botuar nga shtëpia botuese “Logos-A”, 2019, i cili paraqet pa dyshim një kontribut të madh jo vetëm për historiografinë shqiptare dhe boshnjake, por edhe për historiografinë e Ballkanit në përgjithësi. Prof. Ismet Azizi, i diplomuar për gjeografi në Universitetin e Prishtinës, si dhe me master në Administratë Publike dhe Diplomaci, autor i artikujve të shumtë me karakter studimor dhe publicistik në revista dhe gazeta ditore, ndërkohë që është pjesëmarrës dhe kontribuues në veprimtari të shumta dhe të larmishme arsimore dhe social-kulturore në tubime, tryeza dhe konferenca shkencore, tash i erdhi lexuesve me monografinë “Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”.

Meqë pata kënaqësinë ta kem në dorë punën dhe hulumtimin disavjeçar të mikut tim, Ismetit, mund të them se njohja, përgatitja dhe vullneti i tij për të ndriçuar dhe nderuar figurën e Aqif Blytës, për të cilin kisha dëgjuar të flitej me admirim për të dhe për origjinën e Blytajve në Gjakovë, qysh në fëmijërinë e hershme në vendlindjen time më ka entuziazmuar jashtë mase, duke menduar dhe depërtuar thellë në personalitetin dhe karakterin e autorit se këto vlerësime nuk i bënë thjesht për ta nderuar emrin dhe veprën e subjektit në libër, të cilin e ka studiuar me vite të tëra, por edhe që lexuesit dhe opinioni i gjerë të mësojë për këto vlera, qofshin ato të shkruara, ose të tjera që shfaqen nëpërmjet shembujve personalë, nismave dhe veprimeve që e nxisin ose shtyjnë përpara zhvillimin dhe shoqërinë e një vendi siç ishte Pazari i Ri.

Synimi kryesor, siç e thotë edhe vetë autori në hyrje të librit, ka qenë analiza shkencore hulumtuese dhe ndriçuese e rolit diplomatik të Aqif Blytës, në njërën anë dhe e veprimtarëve tjerë të shquar të Sanxhakut, Kosovës dhe më gjerë. Për personalitetin e Aqif Blytës dhe rezistencës së tij ndaj serbëve, që popullit shqiptar i sollën shtypje të madhe kombëtare, deri tani është shkruar pak e shpesh edhe gabimisht. Natyrisht, këtë e bëri mungesa e burimeve dhe dokumenteve adekuate të kohës, që deri vonë nuk ishin zbuluar. Andaj pa dyshim se ky studim i Ismet Azizit do ta plotësojë këtë zbrazëtirë në historiografinë tonë dhe do të jetë shtytje për hulumtimet dhe studime të mëtejme të kësaj periudhe. Autori arriti të zbulojë dhe publikojë një numër të madh burimesh relevante për këtë problematikë, duke bërë që në studim të trajtohet në mënyrë të gjithanshme, si pozita territoriale dhe gjeopolitike e rajonit të Sanxhakut, ashtu edhe pretendimet territoriale të Serbisë, por edhe që të zbërthehet deri në  maksimum roli i punës dhe veprimtarisë së Aqif Blytës, se deri ku shkonte bashkëpunimi i tij me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, roli  për mbrojtjen e Pazarit të Ri në vjeshtën e vitit 1941, si dhe mendimi aktual i figurave kyçe politike në Sanxhak, Kosovë, Shqipëri dhe Serbi për figurën e Aqif  Blytës.

Vepra është përpiluar me kujdes të madh, duke shtjelluar lëndën në mënyrë sistematike mbështetur në metodologji shkencore-bashkëkohore të përmbledhur në 358 faqe, që ndahen në gjashtë kapituj, sipas një renditjeje kronologjike me sqarime dhe plotësime përcjellëse, me dokumente, faksimile, fotografi, harta, bibliografi, indeks të emrave, që këtë monografi e bëjnë joshëse jo vetëm për studiuesit e historisë dhe gjurmuesit, por edhe për ata që ushqejnë simpatinë dhe dashurinë për studimin e të kaluarës.

Hulumtuesi i zellshëm, prof. Ismet Azizi, në kapitullin e parë me titull “Sanxhaku i Pazarit të ri në fokusin e historisë” bën fjalë për emërtimin dhe historikun, gjeografinë e Sanxhakut të Pazarit të Ri, lashtësinë, Pazarin e Ri dhe Kongresin e Berlinit, Pazarin e Ri dhe Luftërat Ballkanike dhe Sanxhakun në Luftën e Parë e Botërore.

Kapitulli i dytë bën fjalë mbi “Aqif Blytën dhe origjinën familjare”. Këtu vihen në pah vendosja e Aqif Blytës në Izmir si nxënës e pastaj vendosja e tij në Stamboll. Përvç tyre aty trajtohen edhe temat: Kapiten i Ushtrisë Osmane: Viti 1919 – kthimi në vendlindje; Njëri nga themeluesit e Xhemijetit; Aqif Blyta si deputet në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene; Aqif Blyta si kolumnist në gazetën “Hak”; vitet 1925, burgosja e Ferhat Dragës dhe vrasjet politike në Pazarin e Ri; Shpërndarja e Xhemijetit; Mbledhja e Komitetit Shqiptar në Pazarin e Ri; Aqif Blyta e Shaban Polluzha zbulues të planit të Drazha Mihajlloviqit; Lufta e Kolloshinit; Hapja e shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Pazar të Ri dhe Aqif Blyta nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943) dhe ekzekutimi i tij.

Kapitulli tretë i kushtohet temës “Sanxhakut në mes dy luftërave botërore”. Këtu nënvizohen ngjarjet me rëndësi të madhe, si: formimi i Xhemijetit, terrori dhe dhuna shtetërore kundër lëvizjes shqiptare dhe qëndresa e shqiptarëve.

Kapitulli i katërt titullohet “Sanxhaku lindor-Lufta e Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në mbrojtjen e Pazarit të Ri”. Aty trajtohet hyrja e trupave gjermane në Pazarin e Ri dhe vendosja e pushtetit të ri; ambiciet e italianëve, gjermanëve, kroatëve dhe serbëve për tokat e Sanxhakut; rreziku i Sanxhakut Lindor nga sulmet dhe shfarosja çetnike, si dhe mbrojtja e Sjenicës; periudha pas mbrojtjes së Pazarit të Ri; hapja e shkollave në Pazarin e Ri; Aqif Blyta dhe NDSH-ja; Bikë Pazari-Dreshaj pjesëmarrës i Kuvendit të Dobërdollit të organizatës “Besa Kombëtare” dhe vendosja e pushtetit serbo-komuniste në Pazarin e Ri.

Kapitulli i pestë me titull “Qëndrimet e personaliteteve aktuale politike për Aqif Blytën” i ka tetë pjesë: Qëndrimi i PAD-it (SDA) të Sanxhakut dhe liderit të saj Dr. Sulejman Ugljanin; Rasim Ljajiq, zëvendëskryeministër aktual në qeverinë e Serbisë dhe ministër i Tregtisë dhe Turizmit; Aleksandar Vuçiq – kryetar i Serbisë; Ivica Daçiq – kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë dhe aktualisht zëvendëskryeministër; Muamer Zukorliq – Lider i Bashkësisë Demokratike Boshnjake (BDZ) dhe deputet i Parlamentit të Serbisë; Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu; Hashim Thaçi – presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Azem Vllasi – ish-lider politik i Kosovës (1984-1988).

Kapitulli i gjashtë titullohet “Dokumente, faksimile, fotografi, harta”, i cili ka pjesën përmbyllëse të librit si: përfundimi, bibliografia, literatura, artikujt dhe revistat, burimet arkivore, burimet nga interneti dhe indeksi.

Nga këndvështrimin e historianit mund të them se nga ky libër ne marrim mjaft informacione historike, trajtuar me një gjuhë që mund ta kuptojë lexuesi, shkruar me një kulturë dhe pedanteri profesionale, që duket se është produkt i një pune të gjatë.

Pavarësisht se tematika e librit përfshin Aqif Blytën dhe ngjarjet kur ai jetoi dhe veproi, duket qartazi se në fokus është Sanxhaku i Pazarit të Ri, i cili është dashuria më e madhe e autorit! Megjithatë, Azizi është realist dhe nuk rrëmbehet nga pasionet, duke u treguar i kujdesshëm kur i përshkruan marrëdhëniet e shqiptarëve dhe boshnjakëve me serbët, si dhe diskriminimin që kishin përjetuar ata deri në ato përmasa, saqë ishte krijuar bindja se cilido pushtues që do të vinte nuk mund të ishte më i egër se ai serb.

Ismet Azizi e sheh Aqif Blytën në çdo ngjarje të Sanxhakut, në çdo proces, në kontekstin historik, politik e social shqiptar e boshnjak, por edhe transnacional – si një personalitet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm, i çmuar dhe i denjë për respekt si nga bashkëkombësit edhe nga  bashkatdhetarët e tij, ashtu edhe nga kundërshtarët objektivë dhe realë, të cilët janë marrë dhe kanë studiuar pak a shumë jetën, veprën dhe kontributin e tij si një ushtarak dhe strateg, i cili me vizionaritetin e tij i ka vlerësuar realisht rrethanat dhe kushtet shoqërore dhe i ka parandaluar rreziqet nga qarqet e errëta nacionaliste, shoviniste e hegjemoniste serbomëdha, që i kërcënoheshin popullatës shqiptare dhe boshnjake të Sanxhakut.

Ky libër ka vlerë dhe rëndësi të madhe shkencore e profesionale, shoqërore dhe politike, pasi për t’u marrë me një personalitet të tillë nuk është edhe aq lehtë, aq më shumë kur përfshihet një periudhë e gjatë historike, me burime të shkapërderdhura në arkiva të ndryshme të rajonit. Nga ana tjetër, as literatura nuk është e mjaftueshme, sepse me çështjet e Sanxhakut janë marrë fare pak studiues në Kosovë. Prandaj në fund e shohim të rrugës të theksojmë se vepra “Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri” e Ismet Azizit, e punuar me përkushtim të duhur, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të rëndomtë, por me një vepër serioze që e plotëson këtë fushë të dijes.