Vëllazëria e përçarë

Vëllazëria e përçarë

Ishte data 10 tetor 2019, kur Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u takuan në Novi Sad të Serbisë dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik, me qëllim të eliminimit të pengesave, për të nxitur lëvizjen e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve midis tre vende. Lansimi i kësaj ideje i çorientoi shqiptarët. Disa e përkrahën, por paria e Kosovës e kundërshtoi dhe po e kundërshton edhe më tej.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Të gjithëve na është e njohur legjenda e tregimit me thuprat. Thuprat e bashkuara nuk thyhen dot, por veç e veç ato thyhen shumë lehtë.

Në historiografinë shqiptare, posaçërisht pas rënies së Perandorisë Osmane, historia e përplasjes së liderëve shqiptarë na vjen e përsëritet herë si farsë e herë si tragjedi. Janë të njohura përplasjet krahinore, fjala vjen, mes deputetëve të parlamentit osman, Hasan Prishtinës nga Kosova, Esad Pashë Toptanit nga Shqipëria Qendrore dhe Ismail Qemalit, së bashku me Aziz Vrionin dhe Mufit Libohovën, nga Shqipëria Jugore, të cilët tok së bashku e anashkaluan dhe nuk e përfillën fare Hasan Prishtinën.

Kjo histori përplasjeje e dhimbshme rishfaqet në kohën e Ahmet Zogut, i cili për hir të marrëdhënieve të mira me fqinjët (lexo: Jugosllavinë) bëri kurban elementet “turbulluese” shqiptare që i sillnin kokëçarje (Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Elez Isufin e kështu me radhë…), për të bërë më pas apologjinë duke tentuar përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër shqiptare jashtë trungut amë, gjegjësisht me Ferat Dragën.

Motivet e ngjashme do ta shtynin edhe liderin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhën, që të shikonte me dyshim dhe urrejtje te kosovarët “elementin reaksionar”, e kësisoj të përzgjidhte për miq të zemrës Milladin Popoviqin, Dushan Mugoshën, Tempon dhe Tihomir Stojiniqin e kësisoj para interesit kombëtar të vinte interesin e pushtetit dhe të bashkëpunimit rajonal. Edhe Hoxha, njësoj si Zogu, do të bënte apologjinë më vonë, duke u rreshtuar në përkrahje të protestave të 1981-shit, e bile-bile duke i nxitur ato përmes shërbimeve të tij, për të rikuperuar atë që e kishte humbur, por më kot.

Përçarjet e krijuara do të vijonin edhe më tutje e po vijojnë edhe sot. Fjala vjen, e kemi të qartë se çfarë kanë hequr përfaqësuesit e gueriles shqiptare të UÇK-së nga përndjekja e Bashkim Gazidedes, me urdhrat e Sali Berishës. Po ashtu e kemi të freskët plasaritjen mes liderit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugovës, me Sali Berishën, kur ky i fundit i kërkonte me ngulm që të përkrahte protestat e opozitës së atëhershme serbe për ta rrëzuar Sllobodan Millosheviqin. Hidhërimi i Rugovës me Sali Berishën u dëshmua se ishte i arsyeshëm, sepse qëndrimin e Rugovës e dëshmoi koha si të drejtë dhe të gjykuar si duhet. Plasaritjet vijuan edhe në kohën e ardhjes së socialistëve në Shqipëri, atëherë kur Fatos Nano u takua me Millosheviqin në Kretë, duke shkaktuar një pezëm dhe hidhërim te klasa politike shqiptare në Kosovë, sepse në takim thuhej se ishte folur për një autonomi të Kosovës.

Plasaritja vazhdoi edhe pas riardhjes së Berishës në krye të Shqipërisë, e kur Kosova udhëhiqej nga Hashim Thaçi, pas pavarësisë së saj. Na kujtohen bisedat e dekriptuara të Hashim Thaçit, i cili ankohej tek amerikanët për përzierjen e tepruar të Berishës në punët e brendshme të Kosovës, e që u publikuan nga Wikileaks. E njëjta plasaritje u përsërit në formën edhe më të vrazhdë me ardhjen e Edi Ramës në krye të udhëheqësisë shqiptare në Shqipëri. Duke e kultivuar frymën paternaliste, me pretendimin e dominimit kulturor e gjuhësor të instaluar që nga viti 1972, të cilin e kishte pranuar elita politike dhe akademike e Prishtinës thjesht duke mos dashur të prekë në sedër udhëheqësit e shtetit amë e duke u përcaktuar fundja më mirë për Shqipërinë se për Jugosllavinë, e duke e ditur mirë këtë gjë, Edi Rama, i cili në planin e politikës së jashtme kishte bërë kalkulimet e duhura, duke e kuptuar viskozitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare, por që në raport me Kosovën ishte sjellë me një paternalizëm të pashoq, ndikoi në një turbullim të madh të marrëdhënieve mes shtetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Me gjithë deklaratat e tij gjatë vizitës së parë në Beograd, ku kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, e në dukje sikletosjen e Aleksandër Vuçiqit me këtë deklaratë, e ku u kundrua si baba i kombit, shumë shpejt baballëkut të tij do t`i dilte ngjyra. Përpos përzierjeve të vazhdueshme në Kosovë, duke etiketuar vet ai se kush ishin patriotët e kush tradhtarët, kush gomerët e kush projugosllavët, zënkën më të madhe e solli përqafimi i idesë së Minishengenit Ballkanik, që më vonë do të merrte idenë e Ballkanit të Hapur.

Ishte data 10 tetor 2019, kur Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u takuan në Novi Sad të Serbisë dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik, me qëllim të eliminimit të pengesave, për të nxitur lëvizjen e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve midis tre vende. Lansimi i kësaj ideje i çorientoi shqiptarët. Disa e përkrahën, por paria e Kosovës e kundërshtoi dhe po e kundërshton edhe më tej.

Kohëve të fundit, ky projekt edhe në syrin e bashkësisë ndërkombëtare, për arsye konjukturale dhe për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi rus, po shikohet si diçka e mirë, paçka se Serbia nuk e ka në mendje ta njohë shtetësinë e Kosovës, nuk ka bërë denacifikimin, edhe më tutje liderët e saj i glorifikojnë kriminelët e luftës, edhe më tej ajo i qëndron besnike Rusisë.

Por, si të veprohet më tutje nga klasa politike në Kosovë? Edward P. Joseph, ish zëvendës shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, i emëruar nga SHBA-ja gjatë viteve 2010-2012, gjithashtu ligjërues mbi menaxhimin e konflikteve në “Johns Hopkins School” për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, rishtazi në një analizë të thuktë të tij shpjegoi me një largpamësi të mprehtë naivitetin ose moskokëçarjen e Shqipërisë (Ramës), si dhe planet e djallëzuara hegjemonike të Serbisë (Vuçiqit) me Ballkanin e Hapur. Me të drejtë, sipas tij, Ballkani i Hapur kërcënon ta çimentojë dominimin e Serbisë autoritare në Ballkanin Perëndimor, pa mekanizmin mbikombëtar të ndërtimit të besimit të Procesit të Berlinit.

Tërë kjo argumentohet lehtë nëse e marrim PBB-në e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që nuk i afrohen askund PBB-së së Serbisë. Kjo do të thotë se nga kjo nismë Serbia është shteti i vetëm që përfiton më së shumti. Më tutje, tregu serb është më i madh krahas tregjeve të shteteve të tjera të Ballkanit. Ky treg do të ishte në gjendje të absorbonte shumë më shumë investime se cilido qoftë treg i cilitdo qoftë shteti tjetër ballkanik.

Me Ballkanin e Hapur promovohet një regjim tregtar i udhëhequr me entuziazëm nga një autokrat, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili e minon rendin perëndimor për rajonin.

Sa herë duhet rikujtuar që Beogradi është në kundërshtim të hapur ndaj detyrimeve të tij ndaj BE-së si një kandidat për të aplikuar sanksione ndaj Rusisë, duke refuzuar me forcë të sanksionojë Moskën, e duke e kultivuar në mënyrë aktive partneritetin e tij strategjik të vazhdueshëm me Vlladimir Putinin?! Mandej, rishtazi, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Laurov, në terma të prerë, afirmoi mbështetjen e Moskës për Ballkanin e Hapur.

Media kryesore e Rusisë në Serbi, Sputnik Serbia, ka promovuar në mënyrë të përsëritur “Ballkanin e Hapur”, si një projekt që – sipas Vuçiqit – do të funksionuaka shumë mirë, vetëm sepse askush tjetër përveç serbëve nuk e kishte menduar atë.

Çdoherë në këtë vijë, fundja Ballkani i Hapur, i ofron mundësi Aleksandar Vuçiqit për ta realizuar iluzionin e stabilitetit bashkëpunues në Ballkan, duke ndërtuar kushte për destabilitet në Kosovë dhe në Bosnjë.

Projektet bashkëpunuese në rajon, nëse nuk bazohen në frymën franko-gjermane, nuk kanë nevojë as të përqafohen e as të promovohen.

Është e vërtetë se në rajon nevojitet frymë e bashkëpunimit, e dorështrirjes dhe e pajtimit (paqtimit). Por, për këtë duhen parakushte ? Dihet se çfarë u detyrua të bënte Gjermania para se të krijohej Bashkësia Ekonomike për Thëngjill dhe Çelik (BE-ja e sotme). Ajo u denacifikua, pagoi reparacione luftarake dhe u bë motori ekonomik i Europës.

Nisma e Minishengenit, e cila do të emërtohej më 29 korrik të 2021 me emërtimin e ri “Open Balkan” (shq. Ballkani i Hapur), del të jetë projekt i mëhershëm i panballkanizmit, edhe pse mund ta mbajë në dukje edhe ambalazhin europian.

Panballkanizmi, si ide, është hedhur së pari nga Ilija Grashanini më 1844, me moton “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Panballkanizmi, si koncept i djeshëm, ishte ide ruse, e shpikur nga ish ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Adam Czartoryski, i cili përmes kësaj formule donte të siguronte nxitjen e ballkanasve për luftë kundër Perandorisë Osmane, për të zaptuar më pastaj këto territore, pas largimit eventual osman, duke e sllavizuar dhe ortodoksizuar këtë rajon në tërësi.

Në vend të këtyre nismave, duhet shtyrë, nxitur dhe promovuar nismën e europianizimit, që nënkupton paqtimin, pajtimin e kërkimfaljen. Kjo frymë përfshihet në Procesin e Berlinit. Çdo nismë tjetër alternative zëvendësuese është keqdashëse dhe jo e mirëfilltë.