Vedat Muriqi shënon gol në fitoren e Rizesporit ndaj Denizlisporit

Vedat Muriqi shënon gol në fitoren e Rizesporit ndaj Denizlisporit

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka shënuar gol në fitoren e skuadrës së tij Rizespor në një ndeshje miqësore ndaj skuadrës tjetër turke Denizlispor, të shtunën.

Rizespori e mposhti 2-1 skuadrën e TTF 1. League, niveli i dytë i futbollit turk, në një ndeshje përgatitore para fillimit të stinorit pranveror, shkruan Gazeta Express.

Mysafirët nga Denizli e befasuan ekipin e Muriqit duke kaluar në epërsi herët në pjesën e parë, kur Recep Niyaz shënoi për 1-0.

Muriqi, megjithatë, i ktheu vendasit në lojë duke realizuar nga penalltia për 1-1. Kosovari e detyroi portierin kundërshtar të hidhet në krahun e gabuar, derisa shënoi në këndin e tij të majtë.

Eren Karadag shënoi një çerek para fundit, duke ia siguruar fitoren Rizesporit.

Rizespori duhet t’i përvishet punës fort për të shpëtuar nga rënia prej ligës elitare turke në pjesën e mbetur të kampionatit, për shkak se renditet e fundit me 12 pikë pas 17 javësh.

Muriqi ka pasur një stinor vjeshtor relativisht të mirë personalisht, pasi i ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 4 asiste në 17 paraqitje në Superligën turke.

Skuadra e Muriqit është katër pikë larg vendit të fundit që siguron mbetjen në ligë, Akhisarsporit, skuadrës që renditet e 15-ta më 16 pikë. /Gazeta Express/