Vazhdon gjykimi për vrasjen hendbollistit kroat, Denis Tot

Vazhdon gjykimi për vrasjen hendbollistit kroat, Denis Tot

Me paraqitjen e dëshmive materiale nga prokuroria në Gjykatën themelore penale Shkup sot vazhdoi gjykimi për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot, i cili ishte rrahur për vdekje para diskotekës në Parkun e Qytetit në Shkup.

Prokurorja Tanja Trajçevska në seancën e sotme paraqiti dëshmi materiale – xhirime të Rentgenit nga i dëmtuari Denis Tot, përgatitur nga Mjekësia ligjore.

Në seancën e kaluar u paraqitën video materiale nga kamerat e sigurisë në diskotekë dhe sistemi Sejf siti, ku shihen ngjarjet para diskotekës në natën makabre më 7 prill të këtij viti në periudhën prej 3:25 deri më 3:45.

Para gjykatës, gjithashtu u nxorën edhe dëshmi materiale, mes të cilave raporte nga operatorë mobil për disa numra të telefonit, raporte nga MPB-ja, udhëzime dhe raporte nga Urgjenca, Toksikologjia, Neurokirurgjia, Radiologjia dhe dokumentacion tjetër.

Prokuroria themelore publike Shkup i ndjekë të akuzuarit Anxhelo GJorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski për veprën penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 22 nga Kodi penal.

Në pajtim me aktakuzën, të akuzuarit ngarkohen se më 7 prill, para klubit të natës në Parkun e Qytetit në Shkup, bashkarisht e privuan nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.

“Pas një zënke të shkurtë, që të tre i shkaktuan disa goditje dhe lëndime të rënda trupore prej të cilave tek i dëmtuari fillimisht u krijua gjendja e komës, ndërsa ditën tjetër ndërroi jetë”, thuhet në kumtesën nga Prokuroria të shpallur më 21 korrik të këtij viti.

Procesin e udhëheqë gjykatësja Elena Ilievska Josifoviq, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është prokurorja Tanja Trajçevska.