Vazhdojnë protestat në Iran, të paktën 26 viktima

Vazhdojnë protestat në Iran, të paktën 26 viktima

Në Iran vazhduan protestat që shpërthyen pas vdekjes së një gruaje të re teksa ndodhej në paraburgim policor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Televizioni shtetëror iranian njoftoi se numri i të vdekurve nga trazirat arriti në të paktën 26.

“Për fat të keq, 26 persona, përfshirë edhe pjesëtarë të policisë, humbën jetën gjatë ngjarjeve”, njoftoi televizioni shtetëror në një transmetim të drejtpërdrejtë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Protestat shpërthyen javën e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u arrestua nga autoritetet e vendit për shkelje të dyshuar të kodit islamik të veshjes.

Policia mohon keqtrajtimin e Aminit, duke thënë se ajo vdiq nga një atak në zemër, por familja e saj tha se ajo më herët nuk kishte pasur asnjë sëmundje të zemrës. Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë për vdekjen e Aminit.

Incidenti ka shkaktuar dënimin nga shumë liderë botërorë dhe grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë SHBA-në, e cila ka sanksionuar policinë morale të Iranit në përgjigje të “abuzimit dhe dhunës ndaj grave iraniane dhe shkeljes së të drejtave të protestuesve paqësorë iranianë”.