` . Vazhdojnë protestat në Bjellorusi, arrestohen qindra persona - TV SHENJA

Vazhdojnë protestat në Bjellorusi, arrestohen qindra persona

Në protestat që u zhvilluan dje kundër fillimit të detyrës së presidentit, Alexander Lukashenko në Bjellorusi pasi ai dha betimin janë arrestuar 364 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Olga Çemodanova deklaroi se mbrëmë në 59 rajone në mbarë vendin janë organizuar protesta pa leje, në të cilat kanë marrë pjesë rreth 5.000 protestues.

Ajo tha se protestat janë shndërruar në mënyrë agresive dhe se protestuesit në mënyrë të qartë janë përleshur me forcat e sigurisë, duke shtuar se kanë gjuajtur gurë dhe objekte të forta për t’i shkaktuar dëme fizike policisë.

Çemodanova tha se me policinë janë përleshur grupet e të rinjve, ndërsa ka të plagosur në mesin e forcave të sigurisë.

Në kryeqytetin Minsk, sipas saj, protestuesit kanë dalë në rrugë në grupe të vogla, disa prej të cilëve kanë penguar trafikun me automjetet e tyre ndërsa policia ka përdorur automjete dhe pajisje speciale për të parandaluar shkeljet e ligjit.

Ndërkohë në qytetin Vitebsk protestuesit janë organizuar nëpërmjet rrjetit social Telegram.

“Dje u arrestuan 364 persona të cilët shkelën ligjin në protestat pa leje. 252 prej tyre ndodhen në Minsk. 320 persona do të mbeten në paraburgim deri sa të dalin para gjykatës”, u shpreh Çemodanova.

Pasi presidenti aktual Lukashenko shpalli fitore në zgjedhjet presidenciale më 9 gusht, në Bjellorusi filluan protestat në të gjithë vendin me pretendimin për “mashtrime në zgjedhje”. Protestuesit, krahas zgjedhjeve të reja kërkuan edhe ndryshimin e kushtetutës së vendit.

Lukashenko nga viti 1994 e deri tani ishte zgjedhur 5 herë si president njëra pas tjetrës ndërsa dje filloi detyrën pasi dha betimin.