VAZHDIM I LUFTËS SË KLASAVE

VAZHDIM I LUFTËS SË KLASAVE

Shkruan: Zef Zeka

Pata rastin të lexoj në shtypin e ditës, për datën e 5 Majit, ditë e shpallur simbolike për sakrificat dhe heroizmat e popullit shqiptar kundër pushtuesit të Atdheut tonë në periudhën e luftës së dytë botërore. U befasova kur në kryefjalët e këtij artikulli, në vend të fjalëve të lavdisë së shqiptarëve, pashë edhe fjalë që nuk lejohen të fliten në një ditë të shenjtë për humbjen e mijëra jetëve njerëzore.

Në fillim të këtij shkrimi përmendeshin fjalët ndaj shqiptarëve turp, feudalë, mekatarë, përpjekje për të ndarë Shqipërinë etj.

Në brendësi të këtij artikulli ndodhen edhe fjalët: E vetmja forcë politike dhe e vetmja organizatë që e bëri të veten programin e luftës pa kompromis kundër okupatorëve nazi-fashistë, ishin Partia Komuniste dhe F.A.N.Ç. …

Për këtë thënie kemi përgjigjen: Asnjë nga shqiptarët nuk mund të quhet më antifashist se Mujo Ulqinaku. A ishte ky komunist? A ishte komunist Safet Butka me forcat e tij balliste, për të cilët e mirënjohura botërisht anglezja Mari Edit Durham si korrespondente në luftën e dytë në Janar të vitit 1944 shprehet: Forcat balliste të Safet Butkes po bëjnë kërdinë kundër forcave gjermane në Grykat e Këlcyrës.

Shprehje të disa shkruesve na kujtojnë shpikjen më të shëmtuar në Shqipëri, atë të luftës së klasave, e cila ishte në shërbim të armiqve të popullit tonë, për të shtypur e sunduar më lehtë këtë popull të shumë vuajtur në shekuj.

Si ishte e mundur që ideatorët e kësaj shpikjeje të mos i quanin si shqiptar ballistët, zogistët dhe nacionalistët antikomunistë, por vetëm komunistët. Ka disa vite që historia e jonë ka tjetërsuar vlerat e simboleve tona kombëtare. Figura e Qemal Stafës ishte ndër më të mirat në 21 trimoshat e grupit komunist të Shkodrës me në krye politologun e madh shqiptar Zef Mala.

Qemal Stafa ishte ndër figurat më të mira edhe në radhët e studentëve në Gjimnazin e Shkodrës. Na është dhënë rasti të lexojmë thënje për tradhti ndaj Qemal Stafës dhe për dhënien e jehonës së madhe për të mbulue tradhëtinë edhe kjo në qoftë e vërtetë Qemal Stafës i rriten vlerat se është eleminuar nga eprori i tij politik për arsye dominimi. Asnjë raport i kohës nuk gjendet që të dëshmojë se Enver Hocha ishte një person i dyshuar komunist, para 7 prillit 1939. Argumentet plotësohen edhe më tej në përforcimin e së vërtetës së madhe se Enver Hoxha ka qenë në fakt, informator i Zyrës Sekrete dhe nuk mund të kishte kurrfarë problemi prej saj. Pikërisht për këtë shkak, emri i tij nuk mund të ishte në listat e komunistëve të survejuar në atë kohë. Kastriot Dervishi, gazeta Dita, 28 shkurt 2005 – Dosier.

Në aktet më heroike në historinë e luftës antifashiste qe Mujo Ulqinaku i vdekur mbi mitralozin e tij në përballje me trupa fashiste italiane. Perlat Rexhepi me shokët e tij Branko Kadia ë Jordan Misja që dhanë jetën me vdekjen më makabre njerëzore duke u djegur bashkë me kullën ku strehoheshin. Asim Zeneli në grykën e Mezhgoranit me 2 korrik 1943 në mbrojtje të dhunimit të flamurit kombëtar. Akti suprem i Vojo Kushit me trimat Xhorxhi Martini e Sadik Stavaleci akt ky që jehona e kësaj lavdie e kaloi kufirin shqiptar në luftën e dytë botërore duke u flijuar mbi tankun e pushtuesit bashkë me tankistin me 7 tetor 1942 në kryeqytetin e Atdheut të tij.

Cilat nga këto data duhej të ishin më simbolike në përjetësimin e lavdisë dhe sakrificave të popullit tonë në mbrojtje të Atdheut? Më poshtë në lidhje më kohën e luftës në këto shkrime thuhet: Forcat e djathta të quajtura “nacionaliste” e antikomuniste kishin bashkëpunuar hapur me gjermanët.

A bashkëpunonin më shumë antikomunistët me gjermanin, a komunistët me armikun më të madh shekullor të atyre sllavo-jugor prej të cilëve Enver Hoxha mori pushtetin shqiptar.

Ka një shprehje në këtë artikull që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën historike: Gjatë luftës, ideologjinë e përçarjes Veri-Jug e mbollën pikërisht përfaqësuesit e qeverive kuislinge dhe të ashtuquajturit “krerë nacionalistë” dhe nuk përbën një çudi fakti, që në këto vitet e fudnit përçues të kësaj ideologjie vrastare janë bërë pinjollët gjenetikë të kuislingëve e kolaboracionistëve të djeshëm.

Çuditemi sot që këta letër shkrues që marrin guximin për të shkruar të panjohurën e këtyre ngjarjeve në veri të Shqipërisë. Nga fushat e Niklit të Krujës e në Dragobi të Tropojës e Hanin e Hotit në Malësi të Madhe gjatë periudhës gusht e deri me 27 nëntor 1944 me masakren e tretë barbare kur u pushkatuan 10 bij të pafajshëm.

Në 24 brigadat partizane (brigada 13, 21 dhe 26 nuk kanë ekzistuar). Brigada e parë, e pestë dhe e gjashtë ishin më aktivet dhe në numër efektivi më të madh. A mund të quhet luftë Jug-Veri, toksë-gegë apo shqiptaro-shqiptare kur nga këto brigada, pesë dhe gjashtë, u derdh gjaku i qindra shqiptarëve brenda territoreve shqiptare, Mirditë, Mat, Dibër, Pukë, Kukës, Shkodër dhe Kosovë, ku nuk ekzistonte asnjë uniformë e ushtrive pushtuese. Këto shprehje bien në kundërshtim me të vërtetat e shkruara nga gazetari, shkrimtari dhe studiuesi i historisë, i mirënjohuri Dashnor Kaloçi që me shkrimet e tij bën lexuesit të përloten për ngjarjen tragjike të masakrës së përbindshme të forcave të brigadës së pestë të komanduara nga Shefqet Peçi, ku me datë 25 shtator 1944 u ekzekutuan mizorisht 21 burra nga mosha 19 deri 53 vjeç, duke lënë 59 fëmijë jetimë për babat e tyre. Vlera e Dashnor Kaloçit nuk ishte për saktësimin e ngjarjeve, por edhe që ky historian është nga jugu e jo nga veriou që të shtyhej nga haterdheqet.

Për të shkruar gjithë ato ngjarje që ndodhen në tragjeditë e veriut të Shqipërisë, nga datat 25 shtator deri 27 nëntor 1944 duhet një vëllim i posaçëm dhe voluminoz, por si dëshmi ne po marrim vetëm krahinë e Dukagjinit në Malësitë e Shkodrës, krahinë kjo ndër më të varfërat në Shqipëri dhe që nuk kish qëndruar kurrë nën pushtime të huaja.

Lidhur me fillimin e sulmit ndaj kësaj krahine në Historikun e brigadës 6, faqe 277 thuhet: Që në urdhrin e operacionit të datës 2 tetor dërguar nga shtabi i korparmatës për divizionin e II-të, detyra e brigadës së gjashtë për fazën e tretë përcaktohej kështu: Brigada e 6 të vazhdojë me shpejtësi veprimet e saj nga veriu të kalojë Drinin dhe të çirojë Shalën e Shoshin.

E nga kush të të çliroheshin Shala e Shoshi? Nga “reaksionarët” që punonin tokën me parmendë druri dhe çobanët që ruanin bagëtit maleve të larta në këto zona të lira në shekuj? Ky lloj çlirimi derdhi gjakun e 29 shqiptarëve për 11 ditë nga data 16 deri në 27 nëntor 1944, nga ana e partizanëve 6 të plagosur dhe 6 të vrarë, nga Gjirokastra, Saranda, Permeti dhe Tepelena dhe 17 dukagjinas duke përfshirë dhe të mitur. Brigada e gjashtë e komanduar nga Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska e mbyllen me 27 nëntor 1944 në vendin e quajtur Qafë Thanë në Pult të Dukagjinit me pushaktimin e 10 personave duke përfshirë edhe 14 vjeçarin Mhill Vocrri nga Shoshi i Dukagjinit i ndodhur rastësisht në grupin e të pushkatuarve që po vinin nga tregu në qytetin e Shkodrës si hakmarrje për vrasjen e Çelo Nazif Sinanit nga Picari Gjirokastër, që për këtë vrasje nuk ishin fajtor asnjëri nga të pushkatuarit se Çelon e pati vrarë një person tjetëri cili qëndroi 1 vit i pa zbuluar dhe kur u diktua u arratis jashtë vendit. Për këtë ngjarje, naten e 27 nëntorit u arrestuan edhe 37 burra nga fshati Xhan i Pultit – Dukagjin për t’u pushkatuar për këtë ngjarje. Të shoqëruar nga forca të shumta partizane, të 37 burrat udhëtuan naten e 27 nëntorit drejt fshatit Linaj të Malësisë së Madhe ku ndodhej komanda e divizionit të dytë me komandant Gjeneral Gjin Marku i cili porsa u takua me ta dha menjëherë urdhër duke thënë: Boll kemi vrarë 10 për një, por të lirohen se nuk duhet ta festojmë ditën e çlirimit me gjak shqiptarësh.

I vetmi shkak i gjakderdhjes mes shqiptarëve ishte tradhtia e Enver Hoxhës ndaj popullit dhe komunistëve shqiptarë. Ai hapi një luftë të ashpër brenda Partisë Komuniste me nxitjen e stafit Titist të përbërë nga Miladin Popovic, Dushan Mugosha, Vukmanovic Tempo, Velimir Stoinic, Niaz Diadarevic, Bllazhdo Ivanovic, që ishin bërë me kohë zotërues të punëve tona. Atëherë lind pyetja: A ishte tradhti lidhja me armikun tonë shekullor me krime të pa ndërprera që nga Stefan Dushani në shekullin XIV e deri në shekullin XX? A ishte patriotike kur gjatë luftës të gjithë aktivitetet e ndryshme politiko-organizative zhvilloheshin me simbolin rus draper e çekan e jo me shqipen dy krenare? A lejonte patriotizmi shqiptar mbulimin e varrit të heroit të madh shqiptar në luftën antifashiste, me flamurin draper e çekan pa flamurin shqiptar naten e 5 nëntorit 1942 një muaj pas vdekjes së tij heroike?

Në vëllimi e dytë të historisë së luftës, faqe 214 thuhet: Lufta me armë kundër reaksionit të brendshëm e pa ndarë nga lufta kundër pushtuesit. Dëshmia e luftës së brendshme janë edhe 2 thënie në vëllimin nr. 4 të Historisë së luftës. Në faqen 528 thuhet: Rrethi i Pukës dhe Krahina e Dukagjinit ishin 2 zona, ku reaksioni i brendshëm kishte mëvarur shpresa të mëdha. Në faqen 841: Shoku Enver Hoxha porsa mori njoftimin se forca të divizionit të dytë, po humbisnin kohë duke luftuar me reaksionerët në Dukagjin, i nisi një urdhër me radiogram, shtabit të korpoarmatës së tretë me anën e të cilit urdhëronte, që të luftohej për qëllimin kryesor, Shkodrën dhe rrugën Shkodër – Podgoricë.

Pasojat e tradhtisë me një flamur të huaj na dolën më të rënda se ato të 100 flamujve shkruar në shtypin e sotëm. Në veprën e tij nr. 2 Enver Hoxha shprehet: Të mos hezitojmë të godasim edhe me armë ata njerëz që përpiqen të na pengojnë, si për shembull në Dibër, ku zogistët hëngrën një dru të shëndoshë nga forcat tona. Edhe 8 nëntori si datë e themelimit të Partisë ishte fallso, e kurdisur nga stafi titist, përmendur më lart në bashkëpunim me Enver Hoxhën.

Partia Komuniste në Shqipëri është formuar me 25 korrik 1939 nga Zef Mala dhe Ali Kelmendi. Në studimet e më vonshme arshivore nuk është gjetur asnjë proçesverbal që pasqyron asnjë organ drejtues të kësaj Partia me 1941. Këtë mund ta pranojmë shumë qartë duke lexuar parathënien e veprës nr. 2 të Enver Hoxhës ku shkruan: Në vëllimin e parë të veprave mungojnë disa dokumente me rëndësi të madhe, si fjala e shokut Enver Hoxha në mbledhjen e grupeve komuniste shqiptare, nëntor 1941.

Këtu del në dritën e diellit tradhtia e grupit jugosllav dhe Enver Hoxhës për të shuar grupet komuniste dhe për të emëruar Enverin në krye, i cili nuk e kishte emrin në 73 komunistët e parë, drejtuar nga Parti e cila quhej nga Enveri, Partia e Zef Malës, e jo komuniste.

 

KUSH QE REZULTATI I PAS LUFTE PËR SHQIPTARËT

 

Parulla e përdorur gjatë luftës: “Vdekje Fashizmit, Liri Popullit”, ishte një shprehje që bëri mijëra shqiptarë të rroknin armët për lirinë e shumë dëshiruar si popull që kish përjetuar pushtimet më jetëgjata në popujt e Europës. Të gjithë atyre që sakrifikuan dhe dhanë jetën për realizimin e fitores së lirisë, u qoftë lavdia e përjetshme si komunistë dhe jo komunistë. Lufta brenda llojit, është lufta më e pa moralshme në gjithë njerzimin. Këtë luftë së pari në Shqipëri e shkaktoi uzurpimi i politikës shqiptare nga jugosllavët, me pasojat e një gjakderdhje të madhe. Komunizmi si ideologji përflitej të ishte për barazi njerëzore, por kjo në Shqipëri nuk gjeti kurrë zbatim.

Mohimin e kësaj lirie e shpalli vetë kryetari i partisë që në vitin 1943 në një bisedë me Gjeneralin anglez Hoxhson në përgjigjen e pyetjes: A do ketë grup opozitar përballë Frontit në zgjedhjet e ardhshme, të cilen e mohoi me përgjigjen: Nuk ka pse të ketë se nuk është e thënë se po s’pati opozitë nuk ka demokraci. (rreziku Anglo-Amerikan, faqe 367)

Kjo përgjigje bëri që gjatë sundimit të tij në 13 zgjedhjet që u bënë nga 2 dhjetori i vitit 1945, e deri me 1 shkurt 1987 nuk pati zgjedhje me liri shprehje me përjashtim të 2 dhjetorit ku Enver Hoxha e Ollga Plumbi paten vota kundër më shumë se kandidatët e tjerë. Kjo qe arsyeja që këto zgjedhje shkaktuan gjakderdhje në radhët e deputetëve kundërshtarë edhe megjithëse qysh me 10 nëntor 1945, 22 ditë para zgjedhjeve përfaqësuesit amerikanë dhe anglez në Shqipëri Harri Fultz dhe Hoxhson i përsëriten zyrtarisht Enver Hoxhës, si kryeministër dhe kryetar Frontit Demokratik që ishte në atë kohë, kërkesën e qeverive të tyre për të siguruar në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të fshehta dhe shtypin e lirë për të ndjekur zgjedhjet nga gazetarë të huaj dhe vendas.

Gjatë diktaturës populli shqiptar e kishte të kufizuar edhe lirinë e qarkullimit brenda kufirit të gjeografisë Shqiptare në disa kilometra ku çdo qytetari, jo banor i këtyre zonave nuk i lejohej hyrja naten pa dokument identiteti dhe kjo ishte një dëshmi mos besimi ndaj popullit. Nenet 37 dhe 55 të Kushtetutës së kohës, ishin më antinjerëzorët.

Përçarja e popullit bëhej me urdhër nga lart, përmes luftës së klasave si shpikja më e shëmtuar në historinë shqiptare. Dëgjimi i lajmeve dhe këngëve të huaja mund ti paguaje me pasoja të rënda, qofshin ato edhe nga vende të fqinjëve tanë. Edhe pse ne i kishim prishur marrëdhëniet me Bashkimi nSovjetik simboli i tyre <Draper e Çekan> vazhdonte në kryefjalën e shtypit shqiptar të ditës, gazeta Zëri i Popullit. Gjatë gjithë sundimit Enverian në asnjë zyre lokale as qendrore nuk ekzistonte simboli i figurës së heroit tonë kombëtar, në asnjë aktivitet politik as shoqëror, para e pas luftës kur jehona e tij ishte në shumë shtete të botës, kur edhe kryefashisti Benito Musolini me 27 tetor 1940, kur forcat e tij kishin pushtuar trojet e Gjergj Kastriotit, ai ngrinte monumentin e tij në Romë.

Pas luftës Shqipëria e vogël kish pasuri natyrore dhe nëntokësore të veçanta për të jetuar një popullsi më e madhe, por gjatë gjithë sundimit të diktaturës ajo iu nënshtrua racionit në bukë e çdo ushqim.

Shumë martesa që dëshiroheshin nga të dyja palët nuk lejoheshin nga lufta e klasave, ku edhe vetë familja e kryeministrit u diskutua për probleme të tilla. Në radhët e Ushtrisë Shqiptare, pabesia do bënte kërdinë me dënimin e 65 gjeneralëve dhe kolonelëve, pa llogaritur më vonë Mehmet Shehun, Kadri Hasbiun e Feçor Shehun, duke shkatërruar brezin e luftëtarëve Mehmet Shehut i shpëtoi jeta në përballje me fashizmin në luftën e Spanjës. Në përballjen kundër tyre si pushtues të tokës Shqiptare, por më në fund do gjente vdekjen nga tradhtia e bashkë atdhetarit të vet për të vetmen arsye, kundërshti politike. Këto ngjarje katastrofale do ishin të rënda edhe për një shtet me popullsi më të madhe se Shqipëria.

Dhjetramijë shqiptarë u internuan, burgosën, vdiqën në burgje dhe u pushkatuan. Si mund të bëhet fjalë për liri njerëzore kur shumë shqiptarë derdhnin lot gjatë jetës së tyre, më shumë për varret e humbura se për vdekjen e të afërmve të tyre. Të dënuarit e shumtë në 23 burgje dhe 48 kampe, në punën e tyre të detyruar, në ndërtimin e fabrikave, uzinave e kombinateve dhe në miniera, duke përfshirë dhe rininë shqiptare në ndërtimin e qindra kilometra hekurudhë me punë “vullnetare” i dhanë Shqipërisë miliarda lekë kontribute. Enver Hoxha bënte luftë edhe me të vdekurit që i kish patur kundërshtar për së gjalli, duke i zhvarrosur e hedhur në lumin Drin, ku valët e tij i përcillnin në Adriatik. Në Shkodrën “reaksionare” ku vetëm 2 muaj pas mbarimit të luftës, me 26 nëntor 1945 u pushkatuan në sy të shumë qytetarëve para bashkisë së qytetit 8 vetë, fajet e të cilëve nuk u njohën kurrë. Kjo masakër ishte më masivja e pas luftës. Si mund tu përgjigjemi zotëri historishikues pyetjeve nga ishin urdhër dhënësit e masakrës dhe nga ishin viktimat? Çdo dënim pa gjykim është dëshmi e krimit çnjerëzor. Enver Hoxha u shpalli luftë ideologjike gjithë shteteve aleate duke e lënë Shqipërinë të veçuar nga gjithë bota dhe këtë e vërtetoi mos pjesmarrja e asnjë përfaqësie, të shteteve të botës në ceremoninë mortore të vdekjes së tij 11 prill 1985.

Të gjithë ata persona, që në bisedat dhe shkrimet e tyre përgjithësojnë komunistët për negativë, janë me mungesë logjike dhe humanizmi, siç janë edhe ata që bëjnë të njëjtën gjë ndaj gjithë antikomunistëve.