Vardari edhe një sezon tjetër në Ligën e Dytë, Voska Sport do të luajë në balotazh

Voska Sport ka arritur qëllimin për të mos humbur në Kratovë, duke barazuar 1:1 me Sileksin dhe duke siguruar pozitën e dytë në Ligën e Dytë – Perëndim.
Skuadra shqiptare në këtë mënyrë fiton të drejtën për të luajtur në ndeshjen e balotazhit të 22 majit, ku për kundërshtarë mund të ketë njërën prej skuadrave Tikveshit ose Skopjes.
Sa i përket takimit të sotëm me Sileksin në Kratovë, ishte Riste Ilijovski që kaloi në epërsi skuadrën e Voska Sport me golin e shënuar në minutën e 51-të, ndërsa Gjorgji Tanushev në të 78-tën arriti që të barazojë shifrat në 1:1.
E kotë ishte fitorja 1:2 e Vardarit në Dibër përballë Korabit, më këta të fundit që vitin tjetër do të luaj në Ligën e tretë. David Velkovski dhe Filip Petkovski shënuan golat për Vardarin në pjesën e parë, ndërsa në të dytën golin e vetëm për Korabin e realizoi shkupjani, Erkan Shaip.
Besa e Dobërdollit në ndeshjen e fundit para tifozëve të saj demoloi Kadinon me shifrat 7:2, Gostivari si mysafir mundi Veleshtën me shifrat 2:1, ndërkohë Ohrid Lihnidos në terren vendas shënoi fitore 2:0 ndaj Teteksit.
Sileksi me 66 pikë në fund u rendit në vendin e parë, duke lënë pas vetes me 59 pikë ekipin e Voska Sport, që do të luaj në balotazh, ndërkohë nga liga e dytë – perëndim do të largohen, Korabi, Veleshta dhe Kadino.