US Open/ Triumfon Alcaraz, talenti spanjoll mposht Ruud dhe bëhet numri 1 i botës

US Open/ Triumfon Alcaraz, talenti spanjoll mposht Ruud dhe bëhet numri 1 i botës

Carlos Alcaraz është fituesi i madh në US Open 2022. Tenisti spanjoll mposhti në finale Casper Ruud me shifrat 3-1 ndërsa falë suksesit në tokën amerikane, ngjitet në vendin e parë të renditjes botërore të meshkujve.

Vetëm 19-vjeç e 129 ditë, Alcaraz shndërrohet në tenistin më të ri në moshë që bëhet numri një, ndërsa është edhe lojtari i dytë më i ri pas Nadal, që fiton një titull Grand Slam teksa idhulli i tij fitonte në Roland Garros në vitin 2005 kur ishte 19-vjeç e 3 ditë. Alcaraz ka nisur menjëherë të thyejë rekorde e të vendosë të reja teksa duket se përpara do të ketë një karrierë të mbushur me trofe, pasi talenti i tij është vërtetë premtues.

Sa i takon ndeshjes, e cila zgjati për 3 orë e 20 minuta, ajo ishte vërtet e luftuar. Në setin e parë të fituar nga Alcaraz, spanjolli e thyu njëherë në shërbimet e tij Ruud dhe kaq mjaftoi për ta mbyllur setin 4-6. Por, në setin e dytë norvegjezi reagoi dhe i fitoi në dy raste shërbimet spanjollit duke e fituar atë me shifrat 6-2, me sfidën që shkoi në barazim.

Gjithsesi, Alcaraz reagoi dhe e nisi mirë setin e tretë duke shkuar në 0-2, por më pas u barazua dhe vetëm “tie break” i dha avantazhin për të fituar setin 6-7. Ndërkohë, në setin e katërt, Alcaraz nuk gaboi dhe në fund triumfoi 4-6 për të fituar të gjithë ndeshjen me shifrat 1-3.

Nëse për Alcaraz ky ishte suksesi i parë në finalen e parë Slam, nga ana tjetër për Ruud kjo ishte disfata e dytë për një trofe Slam duke qenë se në muajin qërshor të këtij viti humbi përballë Rafael Nadal në Roland Garos, e megjithatë edhe norvegjezi është vetëm 23-vjeç dhe është një nga më të mirët e gjeneratës së re të tenistëve.