Ursula von der Leyen: Putin duhet të japë llogari për veprimet e tij

Ursula von der Leyen: Putin duhet të japë llogari për veprimet e tij

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha se presidenti i Rusisë Vladimir Putin duhet të humë luftën e tij në Ukrainë dhe duhet të japë llogari për veprimet e tij, transmeton AA.

Në një deklaratë për gazetën Bild, Von der Leyen ndaj pyetjes nëse “do të jetë apo jo e lumtur nga vdekja e Putin”, është shprehur se “asnjëherë nuk duhet me qenë të lumtur kur një njeri vdes dhe kjo është e vlefshme për çdo njeri, por Putin duhet të humë këtë luftë dhe duhet të japë llogari për veprimet e tij, kjo është e rëndësishme për mua”.

Duke vënë theksin se në Ukrainë janë kryer “krimet më serioze të luftës” Von der Leyen tha: “Për këtë nuk ka dyshim. Për këtë arsye mbështesim mbledhjen e provave dhe mundësinë e hapjes së një gjykimi në prani të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Ky është themeli i rregullit tonë të përbashkët ligjor ndërkombëtar dhe ne duhet të ndëshkojmë këto krime”.

Ndërsa në lidhje me furnizimin e tankeve që Ukraina ka kërkuar dhe që ka nevojë urgjente, Von der Leyen tha:

“Nëse them se ka nevojë për tanke në mënyrë urgjente, kjo duhet të merret seriozisht dhe ne duhet t‘i furnizojmë ata me këto tanke. Unë jam pro që shtetet evropiane të furnizojnë gjërat që Ukraina ka me të vërtetë nevojë. Në fund të fundit ukrainasit e kanë provuar se mund të mbrojnë veten e tyre në rast se kanë mjetet e duhura ushtarake. Ukraina po lufton në këtë luftë për të gjithë ne. Ajo që nevojitet është fitorja e demokracisë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që vendi të ketë të gjitha armët e nevojshme”.