` . Uniteti i Perëndimit dhe mosmarrëveshjet e Ballkanit - TV SHENJA

Uniteti i Perëndimit dhe mosmarrëveshjet e Ballkanit

Uniteti i Perëndimit duket se funksionon mirë në Ballkan. Por, konfirmimi për këtë duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Prishtinë-Beograd, zhbllokimi i rrugës së Shkupit dhe Tiranës për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe bërja e BeH-së shtet funksional me një perspektivë të qartë europiane.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Kur në rend dite kishte ardhur qasja e Perëndimit ndaj Kinës dhe Rusisë, në sallën ku kanë qenë liderët e shtatë vendeve më të zhvilluara në Botë (G7) ishte ndalur interneti. Samiti i G7-tës, i pari me prani fizike që nga shpallja e pandemisë, u mbajt në fillim të qershorit në qytetin bregdetar Cornwell të Britanisë së Madhe.

Tema e nxehtë që e kishte hapur presidenti i SHBA, Joe Biden, ishte formësimi i strategjisë për një përgjigje të fortë të Perëndimit ndaj Rusisë dhe Kinës. Biden-i, nëpërmjet turnit të tij evropian, të emëruar si “SHBA po kthehet”, paralajmëroi një ngjeshje të Perëndimit dhe rikthimin e Amerikës në krye të udhëheqjes botërore, pas tërheqjes që kishte bërë pararendësi i tij, Donald Trump, në kuadër të doktrinës “Amerika e para”. Biden-i kishte kërkuar qartë sanksione ndaj Rusisë shkaku i arrestimit të liderëve të opozitës, si Aleksej Navalni, aktiviteteve agresive dhe keqdashëse në kufij të BE-së, si dhe për ndikimin gjithnjë e më problematik në Ballkan, Ukrainë, Baltik dhe në vendet e tjera perëndimore nëpërmjet aktiviteteve hibride.

Deri këtu liderët e Britanisë, Kanadasë, Gjermanisë, Francës, Italisë, Japonisë dhe BE-së disi edhe ishin pajtuar. Por, në momentin kur Biden-i kishte kërkuar një përgjigje të ashpër edhe ndaj Kinës, vetëm BorisJohnson i Britanisë, Emmanuel Macron i Francës dhe Justin Trudeau i Kanadasë ishin rreshtuar pas Biden-it. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri italian Mario Draghi dhe kryetarja e Komisionit Europian, Usula von der Layen, nuk janë pajtuar. Biden-i kishte kërkuar sanksione ekonomike ndaj Kinës përderisa nuk e përmirëson gjendjen me të drejtat e njeriut dhe punën e detyruar të miliona të burgosurve. Biden-i, Trudaeu dhe Macron-i e kanë theksuar nevojën për një veprim të unifikuar ndaj Kinës, me qëllim që të ndalet hovi ekonomik i saj, i cili kryesisht bazohet në mosrespektimin e rregullave ekonomike dhe financiare globale.

 

Kina dhe Rusia – si të ndalen?

 

Pas samitit u tha se Perëndimi tashmë flet me një zë kur bëhet fjalë për rendin botëror. Doktrina e Biden-it “Rend botëror i bazuar në rregulla” e nënkupton edhe ndaljen e ekspansionit ekonomik të Kinës në Botë, pikërisht duke mos i respektuar rregullat. Pas samitit të G7-tës dhe atij të NATO-s, Biden-i u takua në Gjenevë të Zvicrës për herë të parë me presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin. Plani i turnit europian ishte që paraprakisht t’i bindë të gjithë liderët e NATO-s dhe të flasë me Putin-in në emër të Perëndimit. CNN-i vlerësoi se Biden-i nuk ka nxjerrë gati asgjë nga Putin-i, përveçse e ka rikthyer atë në skenën e politikës globale pas një izolimi disavjeçar. Por, analistë të tjerë amerikanë thonë se rezultatet e takimit do të mund të shihen në periudhën që vjen. Tregues do të jetë numri i sulmeve kibernetike “ransomware”, me të cilat së fundmi u ballafaquan kompanitë amerikane. Këto sulme, për të cilat akuzohet Moska, kanë të bëjnë me vjedhjen e të dhënave të koduara të kompanive, të cilat më pastaj detyrohen të paguajnë miliona me qëllim që t’i kthejnë prapë. Pagesa e zhvatjes ndaj hakërreve bëhet nëpërmjet kriptovalutave, me qëllim të pamundësimit të ndjekjes së gjurmëve të parave. Shumë kompani amerikane dhe europiane ishin cak i këtyre sulmeve gjatë periudhës së fundit, gjë që ka shqetësuar Biden-in dhe liderët europianë. Në rast se ky numër bie, atëherë takimi Biden-Putin mund të llogaritet edhe si i suksesshëm.

Por, pse vendet anëtare të BE-së refuzojnë të rrezikojnë marrëdhëniet ekonomike me Kinën me sanksionet që i propozon Uashingtoni? Sipas të dhënave zyrtare, Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i BE-së, kurse Europa tani është destinacioni më i rëndësishëm për investimet e huaja direkte të kompanive kineze. Kina është gjithnjë e më e pranishme edhe në Ballkan me praninë e saj ekonomike, por edhe politike. Kina ka rëndësi për BE-në më shumë se kurrë, gjë që është pasojë e këtij zhvillimi të hovshëm ekonomik. Marrëdhëniet tregtare me Kinën paraqesin mundësi të mëdha për BE-në, veçanërisht në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në Europë.

Të gjitha analizat në Bruksel thonë se interesi për marrëdhënie të mira ekonomike është i dyanshëm. Edhe Kina ka rëndësi për BE-në, edhe BE-ja ka rëndësi për Kinën. Për më tepër, edhe BE-ja është partneri më i madh i Kinës në tregti. Këtu përfshihen importet e mallrave, eksportet dhe investimet e drejtpërdrejta. Kina, gjithashtu, duhet të fitojë shumë nga përvoja nga Bashkimit Europian.

Sipas studimit të paraqitur ditë ma parë nga Instituti për Kinën “Merics” në Berlin dhe Grupi “Rhodium”, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë ende destinacionet kryesore për investime të drejtpërdrejta kineze në Europë. Gjermania është në vendin e parë, ndërsa Britania e Madhe është në vendin e tretë, ku investimet kineze në këtë vend kanë rënë 77 për qind. Vendet e BE-së ngelin destinacion atraktiv për investimet kineze, edhe pse pandemia ka shkaktuar një rënie të dukshme të tyre.

Në një ndërvarësi të tillë ekonomike dhe si treg më i madh me ekonominë e dytë më e fuqishme në botë, BE-ja do të jetë e vështirë t’ia imponojë rregullat Kinës për ta ribërë rendin e ri botëror. Aq më tepër kur Kina tanimë paraqet ekonominë më të fuqishme në botë.

 

“Lista e zezë” amerikane për Ballkanin

 

Procesi i unifikimit të Perëndimit, megjithatë, është një proces i cili sapo ka filluar. Ky unifikim domosdo të prodhojë dobësimin e pozicioneve të Rusisë dhe Kinës në skenën globale, gjë që është edhe qëllim i Biden-it. Ballkani duket se është rajoni i parë ku Brukseli, Londra dhe Uashingtoni po testojnë nëse ky unifikim do të prodhojë rezultate.

Rusia, shpesh edhe haptazi, ka kundërshtuar integrimin e vendeve të Ballkanit në NATO. Në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, madje, kishte edhe tentim që ky integrim të pengohet nëpërmjet puçit – ndërrimit të qeverisë nëpërmjet trazirave. Sa i përkeq qasjes ndaj integrimit në BE, Rusia nuk ka qenë agresive në kundërshtimin e shteteve. Mëë 2012 Serbia, bashkë me Malin e Zi, filluan negociatat e anëtarësimit, por deri më tani ka pak përparime me mbylljen e vetëm dy ose tre nga 35 kapitujt. Strategjia e Moskës në raport me integrimin në BE të Ballkanit është ngadalësimi i procesit nëpërmjet mbajtjes hapur të problemeve të brendshme dhe atyre ndërfqinjësore. Zgjatja e zgjidhjes së problemit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për temën e historisë, i Prishtinës me Beogradin rreth njohjes së ndërsjellë dhe i përçarjes etnike në federatën së Bosnjës e Hercegovinës, i mundëson Moskës dy favore: i pari ka të bëjë me rritjen e ndikimit, kurse i dyti me forcimin e narrativit se BE dhe Perëndimi nuk janë partneri i duhur i vendeve të rajonit.

Pika ku Rusia nuk dëshiron të arrijnë vendet e Ballkanit Perëndimor në negociatat anëtarësuese është Kapitulli 31, i cili është emëruar si “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”. Aty thuhet: “Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë (CFSP) dhe politika europiane e sigurisë dhe mbrojtjes (ESDP) bazohen në akte ligjore, duke përfshirë marrëveshje ndërkombëtare detyruese ligjore, dhe në dokumente politike. Acquis përbëhet nga deklarata politike, veprime dhe marrëveshje. Shtetet Anëtare duhet të jenë në gjendje të zhvillojnë dialog politik në kuadrin e CFSP, për t’u rreshtuar me deklaratat e BE, për të marrë pjesë në veprimet e BE dhe për të zbatuar sanksione dhe masa kufizuese të dakorduara. Vendeve aplikuese u kërkohet që të përafrohen në mënyrë progresive me deklaratat e BE dhe të zbatojnë sanksione dhe masa kufizuese kur dhe kur kërkohet.”. Me mbylljen e këtij kapitulli, në fakt, mbyllet edhe dera e fundit e ndikimit të mprehtë rus në çdo vend aspirant për anëtarësim në BE.

Për të arritur deri te ky kapitull, vendet aspirantë duhet të jenë të sinqerta dhe të punojnë më me efikasitet në mbylljen  e 30 temave paraprake. Shkaku i pranisë së madhe të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo shpejtësi mbetet vetëm një ëndërr për qytetarët e këtyre shteteve. Kjo gjendje ka ndezur alarmin për një përfshirje më të drejtpërdrejtë të administratës së re amerikane, e cila në binom me diplomacinë europiane po punojnë me intensitet të lartë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërfqinjësore dhe në luftimin e korrupsionit. Vendosja në “listën e zezë” amerikane e ish-liderit të PD-së dhe kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha, po ashtu edhe të dy bashkëpunëtorëve të afërt të ish-kryeministrit bullgar Bojko Borisov – oligarkun dhe pronarin e mediave, Dejlan Peevski, dhe ish-drejtorin e shërbimit inteligjent, Vasil Boshkov – janë sinjal i qartë për të gjithë penguesit e luftimit të korrupsionit dhe të pajtimit në rajon. Aq më tepër kur në urdhrin e fundit ekzekutiv u paralajmërua se në listën e sanksioneve do të vendosen edhe figurat që e rrezikojnë Marrëveshjen e Dejtonit, të Ohrit, të Prespës, Rezolutën 1244 dhe çdo fqinjësi të mirë. Ky proces nuk ndërlidhet vetëm me Biden-in, pasi që në vitin 2017 lista e sanksioneve u përditësua me udhëheqësin etnik serb në BeH, Milorad Dodik dhe me ish prokurorin shtetëror të Shqipërisë, Adriatik Llalla. Dodik-u u penalizua për pamundësim të funksionimit të federatës boshnjake, kurse Llalla – për pengim të vetingut në drejtësi. Një muaj pasi ky i fundit u gjet në listë, prokuroria shqiptare hapi rast për pastrim parash dhe krim financiar, kurse në maj të këtij viti atij iu shqiptua dënimi me burg prej dy vitesh.

Uniteti i Perëndimit duket se funksionon mirë në Ballkan. Por, konfirmimi për këtë duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Prishtinë-Beograd, zhbllokimi i rrugës së Shkupit dhe Tiranës për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe bërja e BeH-së shtet funksional me një perspektivë të qartë europiane.