Union i dobisë së ndërsjellë

Union i dobisë së ndërsjellë

Nëse jo për hir të “vlerave” dhe “standardeve”, Bashkimi Europian duhet ta pranojë në mesin e tij Ballkanin Perëndimor për arsyen e thjeshtë të pragmatizmit realpolitik!

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Ishte viti 2003 kur në Selanik u mbajt samiti Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor ku për të parën herë u vërtetua përkushtimi për anëtarësim në BE i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kohë me “Ballkanin Perëndimor” nënkuptohej edhe Kroacia që sot ofendohet nëse e konsideron Ballkan,madje edhe Europë Juglindore; Serbia dhe Mali i Zi ende ishin së bashku në një shtet; ndërsa në atë samit delegat i Kosovës ishte Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (shefi i UNMIK-ut) që kishte pushtet edhe mbi përfaqësuesit e Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga viti 2003: Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtete të ndara sovrane; shefin e UNMIK-ut më nuk e pyet askush për asgjë dhe nëpër samite ndërkombëtare Kosova përfaqësohet nga kosovarë; ndërsa Kroacia është anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Por dallimet rrënjësore përfundojnë pikërisht këtu, sepse mesazhi i Samitit të Selanikut të vitit 2003 u realizua vetëm në një pikë: vetëm Kroacia u bë anëtare e BE-së, ndërsa të gjitha shtetet tjera ende janë jashtë!

Prej samitit të Selanikut më 2003 e deri më sot janë mbajtur takim pas takimi ku është përsëritur zotimi për pranimin në BE të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, por në samitin e fundit, atë të Bërdos, krerët e Bashkimit Europian u shprehën hapur se as viti 2030 nuk mund të merret si vit i garantuar kur do të ndodhë anëtarësimi! 2003-2030, 27 vite distancë, sikur mos të ishte tragjike do të ishte qesharake!

 

Qëndrimet e kundërta brenda BE-së

 

Rënia e entuziazmit për zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor është i pritur, por ky skepticizëm nuk është universal. Fjala bie, shtetet e grupit të Vishegradit (Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria) vazhdojnë të jenë mbështetës të integrimit sa më të shpejtë në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor; ndërsa skeptikëve të zgjerimit iu prijnë Franca, Nederlanda, dhe Danimarka.

Ka disa arsye përse ekziston një ndarje e tillë në qëndrimin për zgjerimin në mes njërës dhe pjesës tjetër të BE-së, duke nisur nga pozita gjeografike. Shtetet e grupit të Vishegradit, si dhe Sllovenia, Kroacia, Rumania, dhe Bullgaria (madje edhe Austria), janë më shumë të interesuara për anëtarësim të shpejtë në BE të Ballkanit Perëndimor për shkak se gjeografikisht janë më afër rajonit kështu që më shumë shohin interes te një Ballkan stabil dhe i pasur, ndërsa shtetet e Europës perëndimore dhe veriore më pak shohin interes të drejtpërdrejtë nga një Ballkan brenda BE-së. Por një faktor tjetër me rëndësi që kontribuon te skepticizmi për Ballkanin në BE është se anëtaret themeltare, super të pasura, stabile, dhe të avancuara, kanë përvojë të keqe me shtetet e pranuara më 2004 dhe 2007. Në këto shtete ish-komuniste, ende mund të haset autoritarizëm, përzierje të politikës në gjyqësor, presione ndaj mediumeve, ndërsa dallimet vlerore në mes këtyre shteteve dolën në pah me krizën e refugjatëve sirianë më 2015 kur shtetet si Hungaria, Sllovakia, etj. në mënyrë shumë vulgare u shprehën se nuk i duan refugjatët sirianë për të vetmen arsye që janë muslimanë! Kohëve të fundit Polonia i ka prekur edhe aty ku iu dhemb më së shumti: te të drejtat e komunitetit LGBT+.

Kur sot e kësaj dite ekzistojnë dallime të mëdha në mes shteteve më të përparuara të BE-së kur i krahason me shtetet që u bënë anëtare më 2004 dhe 2007, atëherë le ta paramendojmë se çfarë hendeku gjigand ekziston në mes shteteve më të përparuara të Bashkimit Europian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor që synojnë një ditë të bëhen anëtare!

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të mbushura me nepotizëm dhe klientelizëm, ka mungesë meritokracie; prej edukatoreve për foshnjore e deri te drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore konkursi është vetëm farsë sepse gjithçka është e kurdisur prej më herët; vende-vende mungon uji dhe rryma 24/7; rrugëve gropa-gropa lëvizin vetura rrangalle që mezi se e çojnë vetveten, e ndotin ambientin dhe njerëzve ua dëmtojnë shëndetin; shkollat publike janë të segregura në bazë etnike – turni i parë nxënësit e njërit grup etnik, turni i dytë nxënësit e tjetrit grup etnik, ose të ndarë tërësisht në objekte shkollore të ndryshme.

Prandaj, kur i kujton mangësitë që hasen në shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kupton ngurrimin e disa qarqeve në Bashkimin Europian mbi pranimin e këtyre shteteve si anëtare me të drejta të plota të organizatës që duhet të jetë “klub elitar” i shteteve europiane.

Por nuk është gjithçka në disfavor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, sepse janë disa gjëra me të cilat shtetet e Ballkanit Perëndimor mund t’iu mbajnë ligjërata edhe shteteve më të përparuara të Bashkimit Europian! Fjala vjen, në Serbi secili minoritet e ka të a.q. “Këshill Kombëtar” ku i koordinon aktivitetet e tyre kulturore, pra edhe një shtet si Serbia mund t’iu mbajë ligjërata anëtarëve të BE-së si Franca, Greqia, dhe Bullgaria, që fare nuk e njohin zyrtarisht ekzistimin e minoriteteve. Një shtet si Franca edhe më shumë mund të mësojë nga Republika e Kosovës ku minoritetet gëzojnë të drejta përtej çdo standardi europian dhe botëror!Ndërkaq, Maqedonia e Veriut me Komunën e Shutkës është i vetmi shtet në Europë me njësi të vetëqeverisjes lokale ku romët e përbëjnë shumicën e popullsisë.

Më tej, si rezultat i kuotave, por jo domosdoshmërisht prej tyre, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë tendencë të kenë edhe përfaqësim më të mirë të grave në politikë. Për shembull, në zgjedhjet e 2019-s në kuvendin 120-anëtarësh të Kosovës u zgjodhën 39 gra si deputete, dhe vetëm 13 prej tyre këtë e kanë arritur si rezultat i kuotës! Në Republikën e Shqipërisë, e kemi qeverinë më të fundit të Edi Ramës ku gratë nuk janë baras me burrat por janë shumicë! Edhe hendeku në pagesë midis burrave dhe grave (ang.: “gender pay gap”) është më ulët në disa shtete të Ballkanit Perëndimor sesa të Bashkimit Europian.

Si rezultat i standardit më të ulët ekonomik, shtetet e Ballkanit Perëndimor në raport me shtetet e Bashkimit Europian i kanë edhe disa avantazhe të krijuara vetvetiu në lidhje me mbrojtjen e ambientit, duke nisur nga më “banalja” që është terja e teshave në mënyrë natyrore nga era në vend se me terëse kondenzuese që harxhon rrymë. Viteve të fundit, është pranuar se gazi natyror nuk është aq ekologjik sa është menduar, prandaj Nederlanda ka marrë vendim për heqje graduale të së njëjtës, por shtetet e Ballkanit Perëndimor për këtë çështje po ashtu e kanë një përparësi sepse ata asnjëherë s’e kanë pasur gazin në përdorim rutinor në amvisëri si shtetet e pasura europiane! Ndërkaq, kur jemi te amvisëritë, në Ballkanin Perëndimor shumica dërrmuese e familjeve jetojnë në shtëpi ose banesë që është në pronësi të tyre në vend se të jetojnë me qira.

Pra, janë disa gjëra me të cilat shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të krenohen edhe para anëtareve më të përparuara të Bashkimit Europian!

 

Mangësitë morale të BE-së

 

Prandaj, kur vendos në peshore pak më shumë gjëra, bëhesh edhe më cinik ndaj ndjenjës së superioritetit me të cilën disa europianë pretenciozë i shohin ballkanasit “e pacivilizuar”. Dhe këtu nuk e kam fjalën për atë që në Bashkimin Europian është një shtet si Greqia që e mohon çështjen çame (ndërsa edhe një shtet si Bashkimi Sovjetik e ka pranuar se dëbimi i tatarëve nga Krimea që e ka bërë Stalini është gabim, dhe e ka lejuar kthimin e tyre në Krime), nuk e kam fjalën as për moskokëçarjen e Bashkimit Europian për përndjekjen politike që Spanja ua bën udhëheqësve katalanë të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli katalan, dhe nuk e kam fjalën as për atë që njëra nga shtyllat e Bashkimit Europian është një shtet si Franca që sot e kësaj dite zhvillon aventura neokoloniale në Afrikë, por fjalën e kam për raportin moralisht të kalbur të Bashkimit Europian edhe ndaj vet Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, në Bashkimin Europian janë pesë shtete që sot e kësaj dite nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pra, në BE janë 5 shtete që mendojnë se Serbia vazhdon të ketë të drejtë të sundojë mbi shumicën shqiptare të Kosovës përkundër gjitha monstruoziteteve që Serbia i ka bërë ndaj shqiptarëve nga 1912 e deri më 1999. Pastaj, i kemi raportet partiake që e minojnë qëndrimin e unifikuar të BE-së ndaj çështjeve kontroverse në shtetet e Ballkanit Perëndimor – Socialistët dhe Demokratët e Europës bëhen kinse nuk shohin për disa shkelje të standardeve europiane që i bëjnë qeveritë e udhëhequra nga partitë simotra në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Popullore Europiane asnjëherë nuk i ndërprenë raportet me një parti si “VMRO”-DPMNE-ja të zhytur në mëkate! (Në zgjedhjet e 2016-s, në miting të “VMRO”-DPMNE-së që atë kohë ende udhëhiqej nga Nikolla Gruevski, mori pjesë jo më pak se Sebastijan Kurci!) Dhe a thua, a i ka hije Bashkimit Europian të luajë “i hapim”/“nuk i hapim” kur vjen puna te hapja e negociatave për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut?

Sa mund t’i besohet sinqeritetit të Bashkimit Europian kur qytetarëve kosovarë nuk ua heqin vizat me pretekstin e mungesës së sundimit të ligjit në Kosovë, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe politikë sigurie i BE-së, Zhozep Borell, e kritikoi aksionin anti-kontrabandë të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës!

 

Meritat objektive të BE-së

 

Gjithsesi, nuk është gjithçka zi nga Bashkimi Europian. Nëse Zhozep Borelli doli kundër aksionit të Policisë së Kosovës në Veri, ishte Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola fon Kramon që doli në mbështetje të Kosovës duke i reaguar direkt Borellit! Në fakt, pikërisht nga Parlamenti Europian vinte mbështetje për shqiptarët e Kosovës edhe gjatë okupimit (1989-1999), duke kulminuar me dhënien e Çmimit “Saharov” Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës. Komisioni Europian ishte më i përmbajtur, por vlen të përmendet që në kohën e para pavarësisë (UNMIK-ut), Komisioni Europian apostafat për Kosovën e shpiku “Mekanizmin Gjurmues të Stabilizimit dhe Asocimit”, me qëllim që Kosova mos të ngelet mbrapa fqinjëve në plotësimin e standardeve europiane.

Bashkimi Europian e mbështet fortë integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa disa zyrtarë europianë duan edhe përfundim të gjendjes aktuale kaotike me dy entitete dhe tre popuj konstituivë, që do të çonte në transformimin e BeH në shtet funksional.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Bashkimi Europian qëndron fuqishëm pas Marrëveshjes së Ohrit që e garanton një pozitë shumë më të mirë të shqiptarëve në këtë shtet se ajo që ka qenë para vitit 2001 (plus që BE Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare asnjëherë nuk e ka quajtur organizatë terroriste), dhe sot Delegacioni i BE-së në Shkup relativisht mirë e respekton dygjuhësinë me shqipen.

Gjatë tërë këtyre dekadave, Bashkimi Europian në Ballkanin Europian ka injektuar fonde në vlerë të miliarda eurove që ua përmirësojnë jetën qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe përmes efektit të multiplikatorit mund të kenë ushtruar ndikim të madh në rritjen ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Jashtë Ballkanit Perëndimor, vlen të përmendet që Bashkimi Europian i ka vendosur sanksione Kinës për persekutimin e ujgurëve muslimane, përderisa shtetet me shumicë muslimane vazhdojnë të bëjnë “allishverishe” me Kinën sikur mos të ketë ndodhur asgjë! Po ashtu, mos të harrojmë se si në vitin 2000 anëtaret tjera të BE-së në atë kohë e bojkotuan Austrinë, dhe BE i vendosi de fakto sanksione, për shkak se në qeverinë e re të Austrisë u fut partia e djathtistit ekstrem famëkeq Jërg Hajder.

Këto të mira që u përmendën, dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur, meritojnë respekt, por disa momente tjera ku Bashkimi Europian është treguar i çalë, e vendosin në pikëpyetje tërë atë “mantrën” që Bashkimi Europian është “union i vlerave”.Për këtë arsye, nëse jo për hir të “vlerave” dhe “standardeve”, Bashkimi Europian duhet ta pranojë në mesin e tij Ballkanin Perëndimor për arsyen e thjeshtë të pragmatizmit realpolitik! Më saktë – si ia merr mendja Bashkimit Europian ta realizojë ambicien për t’u bërë superfuqi që ushtron ndikim gjithkund në botë nëse në fqinjësinë e drejtpërdrejtë që është Ballkani Perëndimor, lejon ta shtrojnë ndikimin e tyre fuqi tjera rivale?!