Ulet pezullimi i terrenit të Shkëndijës nga 4 në 2 ndeshje

Ulet pezullimi i terrenit të Shkëndijës nga 4 në 2 ndeshje

Sezonin e ri garues 2022/2023 Shkëndija dihej prej më parë se do ta nisë jashta Tetovës për shkak të ngjarjeve para, gjatë dhe pas ndeshjes me Shkupin, mirëpo vendimi i fundit është se në vend katër, kuqezinjtë do të zhvillojnë dy ndeshje 100 kilometra larg stadiumit të tyre. Pas vendimit të Komisionit të Disiplinës së FFM-së për gjobë në vlerë prej 5 000 eurove dhe pezullim të terrenit vendas për 4 ndeshje, Shkëndija u ankua në adresë të federatës. Komisioni për Gara dhe ai i Disiplinës pranuan ankesën dhe kthyen rastin te Komisioni i Shkallës së Parë, ku pas rishikimit të të giitha fakteve dhe materialeve, vendosën që pezullimi i terrenit nga 4 të ulet në 2, ndërsa mbetet aktive gjoba në vlerë prej 5 000 eurove.
E gjithë kjo procedurë u nis për shkak të ndodhive në takimin e sezonit të shkuar Shkëndija-Shkupi e luajtur në Tetovë kur nga ana e publikut u hodhën gjësende të forta në terren, ku si pasojë u godit edhe arbitri anësorë i takimit, ndërsa për tu krijuar kushte për lojë ndeshja disa herë duhej të ndërpritet.
Dueli në fjalë përfundoi me barazim 0:0.