Ukrainë, universiteti në qytetin Irpin bëhet strehë për civilët pas sulmeve ruse

Ukrainë, universiteti në qytetin Irpin bëhet strehë për civilët pas sulmeve ruse

Universiteti shtetëror në qytetin ukrainas të Irpin u bë strehë për civilët gjatë sulmeve ruse.

Irpin, i cili është pjesë e rajonit të kryeqytetit Kiev, mban gjurmët më të thella të luftës që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Në qytetin, i cili u ekspozua ndaj sulmeve ruse në ditët e para të luftës, u dëmtua infrastruktura, universiteti dhe ndërtesat ku jetonin shumë civilë.
Universiteti shtetëror, i cili u bombardua, u përdor gjithashtu si strehë nga banorët e Irpinit.

Në universitet, ku rreth 700 njerëz janë fshehur në bodrumet e ndërtesave të tij, puna për heqjen e mbeturinave dhe riparimin vazhdon.

“Të gjithë ishim të mobilizuar në sulme”

Rektorja e Universitetit Shtetëror të Ukrainës në Irpin, Valentina Uninets-Hodakivska, për Anadolu Agency (AA) tregoi se çfarë përjetoi gjatë sulmeve.

Duke thënë se universiteti është 101-vjeçar dhe është një nga universitetet kryesore në Ukrainë, Uninets-Hodakivska theksoi se ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, është diplomuar në këtë universitet.
Duke informuar se rreth 5 mijë studentë studiojnë në 5 fakultete të universitetit, Uninets-Hodakivska tha se gjatë sulmeve janë mobilizuar me punonjësit dhe studentët në universitet.

“Gjatë sulmeve, disa po përpiqeshin të shpëtonin njerëzit. Disa po përpiqeshin të shuanin zjarrin në ndërtesa si rezultat i raketave të lëshuara. Disa po ruanin dokumentet e universitetit. Të gjithë bënë atë që u vinte në dorë. Që në ditët e para, restoranti jonë ka punuar dhe ka gatuar për civilët. Këtu vazhdon të funksionojë edhe qendra e ndihmës humanitare”, tha Uninets-Hodakivska.

“700 civilë u fshehën në bodrumet e universitetit gjatë sulmeve”

Duke shpjeguar se rreth 700 civilë po përpiqen të mbrohen nga sulmet në bodrumet e ndërtesave të universitetit, Uninets-Hodakivska tha se ata vendosën të evakuojnë punonjësit dhe studentët në degën e universitetit në Storojinets, që ndodhet në rajonin Chernivtsi, sepse nuk u hapën korridoret e evakuimit në Irpin.
“Ndërsa sulmet u intensifikuan, kuptova se njerëzit duhej të evakuoheshin. Ushtarët tanë thanë se trupat ruse po përparonin drejt qytetit. Kishim 1 orë për të lënë universitetin. Vendosa të evakuoj njerëzit me autobusë. Një autobus u nis, por ne po kërkonim karburant për të dytin, banorët e Irpinit na ndihmuan dhe arritëm në ‘degën’ tonë”, tha ajo.

Duke thënë se ata u kthyen në Irpin dhe vazhduan mësimet e tyre online, Uninets-Hodakivska deklaroi se po vazhdojnë përgatitjet e tyre për semestrin e vjeshtës, “Ne po pastrojmë mbeturinat. Po bëjmë analiza për riparimin e ndërtesave tona të dëmtuara. Ne kemi nevojë për ndihmë për këtë”, theksoi Uninets-Hodakivska.

“Planifikojmë të hapim një departament të Turkologjisë në universitet”

Duke informuar se universiteti ka një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Policisë në Turqi, Uninets-Hodakivska tha se, “Forumi i Sigurisë Ekonomike është dashur të mbahej më 25 shkurt. Ne prisnim një ekip nga Akademia e Policisë. Biletat e mysafirëve ishin rezervuar, por për shkak të luftës na u desh ta shtynim forumin. Ne po mendojmë ta mbajmë forumin online, por akoma shpresojmë që kolegët tanë turq të mund të na vizitojnë.”

Duke u shprehur se Turqia mbështet popullin ukrainas dhe ata e vlerësojnë atë, Uninets-Hodakivska tha se ata po planifikojnë të hapin një departament të Turkologjisë në universitetin e tyre.