Ukrainë: Trupat ruse përpiqen të marrin kontroll të plotë në Luhansk dhe Donetsk

Ukrainë: Trupat ruse përpiqen të marrin kontroll të plotë në Luhansk dhe Donetsk

Trupat ruse po përpiqen të marrin kontroll të plotë mbi rajonet e Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainë, por përpjekjet e tyre kanë qenë të pasuksesshme deri më tani, tha të enjten Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Armiku ende po planifikon të bëjë një kalim mbi lumin Siverskyi Donets”, u tha gazetarëve Oleksii Hromov, zëvendës shefi i Drejtorisë kryesore Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ai theksoi se forcat ruse vazhdojnë të lançojnë operacionet sulmuese në lindje të Ukrainës dhe godasin thellë në linjat e mbrojtjes së forcave ukrainase.

“Pavarësisht numrit mbizotërues të personelit, municionit dhe pajisjeve ushtarake, armiku nuk ka arritur të arrijë qëllimin e tij deri më tani”, shtoi ai.

Të paktën 3.998 civilë janë vrarë dhe 4.693 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së. Numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.

Mbi 6.6 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera ndërsa më shumë se 7.7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.