“Ukraina po përgatitet për sulm bërthamor”, Zelensky i përgjigjet Moskës: Vetëm ju mund të përdorni bomba të pista në Europë

“Ukraina po përgatitet për sulm bërthamor”, Zelensky i përgjigjet Moskës: Vetëm ju mund të përdorni bomba të pista në Europë

Vetëm Rusia mund të përdorë armë bërthamore në Europë. Kështu i përgjigjet presidenti Vlodymyr Zelensky sugjerimeve të ministrit të Brendshëm rus, Sergei Shoigu, se Kievi po përgatitet të përdorë eksplozivë me materiale radioaktive në konflikt.
Presidenti Zelensky dënoi ashpër pretendimet, që siç tha, tregojnë se vetë Moska po përgatit një sulm të tillë.

“Kur ministri i Mbrojtjes në Rusi foli për të ashtuquajturat “bomba të pista bërthamore”, të gjithë e kuptuan shumë mirë. E kuptuan burimin e të gjitha gjërave të pista në këtë luftë. Është Rusia që nisi shantazhet bërthamore në Zaporizhia. Është trajektorja që ndjekin raketat ruse, të cilat bien edhe mbi objekte bërthamore. Janë trupat ruse që kanë minuar hidrocentralin e Kakovkës dhe që kanë përdorur bomba me fosfor dhe armë të tjera të ndaluara kundër civilëve”, deklaroi presidenti Ukrainas.

Ministri i mbrojtjes në Rusi, Sergi Shoigu, i bëri deklaratat lidhur me mundësinë e përdorimit të pajisjeve radioaktive nga Kievi, gjatë një telefonate me homologun britanik Ben Wallace.

Ai tha se ishte i shqetësuar mbi provokime të mundshme nga Kievi që përfshijnë përdorimin e të ashtuquajturave “bomba të pista”.

Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe u shpreh se “ministri Shoigu tha se Ukraina po planifikonte provokime me ndihmën e shteteve perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, për të përshkallëzuar konfliktin në Ukrainë”. Sekretari i mbrojtjes refuzoi pretendimet, dhe kërkoi që akuza të tilla të mos përdoren si pretekst për përshkallëzime të mëtejshme.

Shoigu ia përcolli alarmin e Moskës edhe ministrave të tjerë të mbrojtjes në SHBA, Francë e Turqi, por pa ofruar prova. Por edhe këto shtete reaguan njësoj si Britania e Madhe duke hedhur poshtë ato që i quajtën akuza të rreme të Moskës.

Analistë ushtarakë thonë se akuzat e Rusisë vijnë pas disfatave të rënda të ushtrisë së Moskës në terren, teksa trupat ukrainase vijojnë kundërofensivën në lindje dhe jug të vendit.