` . UEFA e bën zyrtare, skuadrat me nga 26 futbollistë në Europian - TV SHENJA

UEFA e bën zyrtare, skuadrat me nga 26 futbollistë në Europian

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s aprovoi normat e veçanta për fazën finale të Euro 2020, me synimin për të garantuar zhvillimin sa më normal të kompeticionit pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia e Covid-19.

Ashtu siç ishte kërkuar nga shumë trajnerë u zyrtarizua rregulli që lista e lojtarëve që do të grumbullohen do të jetë me 26 lojtarë dhe jo me 23, gjithsesi në stol, mund të shkojnë maksimumi 23 lojtarë, 3 prej të cilëve portierë.

Pasi skuadrat të prezantojnë listat e lojtarëve në 1 qershor 2021, rregullat në fuqi lejojnë zëvendësime të pakufizuara në listë në rast të dëmtimeve të rënda apo sëmundjeve para se të luhet ndeshja e parë e Europianit, me kusht që zëvendësimet të certifikohen nga aspekti mjekësor.

Për ta sqaruar më mirë, lojtarët që kanë rezultuar pozitivë ndaj Covid-19 apo që janë deklaruar si konstante të ngushta të një personi të infektuar dhe për këtë arsye vihen në izolim, konsiderohen si raste të sëmundjes së rëndë, dhe për këtë arsye mund të zëvendësohen nga lojtarë të tjerë me aprovimin e UEFA-s.

Rregullorja e re do të lejojë tani edhe zëvendësimin e portierëve para çdo ndeshjeje gjatë turneut në rast të mungesës së aftësisë fizike, edhe nëse një apo dy portierë në listën e lojtarëve janë ende të disponueshëm. Për të garantuar integritetin e kompeticionit, një lojtar që është zëvendësuar në listë, natyrisht që nuk mund të rifutet sërish aty.