Udhëtimi i Pelosit drejt Tajvanit, fluturimi më i ndjekur në histori

Udhëtimi i Pelosit drejt Tajvanit, fluturimi më i ndjekur në histori

Udhëtimi i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nga Kuala Lumpuri drejt Taipeit, është bërë fluturimi më i ndjekur në historinë e “Flightradar24” të martën.

Sipas “Flightradar24”, e cila gjurmon fluturimet në kohë reale, mbi 708 mijë njerëz rreth botës po ndiqnin fluturimin e Pelosit me “SPAR19” në Tajvan në kohë reale.

Pelosi u nis nga Malajzia. Teksa ishte në Indonezi, fluturimi i saj po ndiqej nga mbi 200 mijë njerëz, por shifra u rrit kur ajo përgatitej të ateronte në Tajvan.

Vizita e kryedemokrates amerikane në Tajvan ka qenë arsye e rritjes së tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditëve të fundit.

Kina ka këmbëngulur që Pelosi nuk duhet ta vizitojë Tajvanin pasi do të kishte “ndikim skandaloz në politikë”, ndërsa SHBA-ja ka thënë se Kina nuk duhet të përshkallëzojë situatën.

Tajvani është një ishull i vetëqeverisur, por i pretenduar nga Kina, e cila e sheh atë si një provincë të shkëputur. Pekini ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Pelosi e viziton atë.

Ndërsa SHBA-ja e ruan atë që e quan një “marrëdhënie të fortë, jozyrtare” me Tajvanin, ajo ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kinën dhe jo me Tajvanin. Mirëpo, për SHBA-në, Tajvani është nga aleatët kryesor në Azi. /Koja.net/