` . BE u bën thirrje palëve në Iran për vetëpërmbajtje - TV-SHENJA

BE u bën thirrje palëve në Iran për vetëpërmbajtje

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje në protestat që filluan në Iran pas rritjes së çmimit të karburanteve, transmeton AA.

Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, nëpërmjet një deklarate ka tërhequr vëmendjen në humbjen e jetëve dhe plagosjeve gjatë protestave të zhvilluara në Iran.

“Vështirësitë socio-ekonomike zgjidhen me dialog gjithëpërfshirës dhe jo me dhunë. Presim që forcat iraniane të sigurisë të distancohen nga dhuna dhe protestuesit të zhvillojnë protestat e tyre në mënyrë paqësore”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se “Dhuna e çdo lloji është e papranueshme” dhe se duhet të garantohet liria e shprehjes dhe tubimit.

Gjithashtu në deklaratë u bëhet thirrje zyrtarëve iranianë që të sigurojnë qasje në internet dhe qasjen e lirë të informacionit.

Rritja e çmimit të karburantit në Iran shkaktoi protesta të dhunshme

Populli iranian i cili nga ndikimi i sanksioneve të SHBA-ve po kalon ditë të vështira nga pikëpamja ekonomike, nisi protestat në shumë qytete të vendit pas njoftimit më 15 nëntor për rritjen e çmimit të karburanteve për trefish më shumë.

Gjatë protestave u shkatërruan ndërtesat publike në shumë qytete. Qeveria e Teheranit, pas rritjes së protestave të shtunën ndërpreu qasjen në internetit në të gjithë vendin.

Autoritetet njoftuan se deri më tani si pasojë e ngjarjeve që ndodhën kanë humbur jetën 6 forca sigurie dhe 1 protestues ndërsa lidhur me protestat numri i të arrestuarve ka tejkaluar mbi 1.000 persona.

Organizata “Amnesty International” njoftoi se në protestat e zhvilluara në 21 qytete kanë humbur jetën të paktën 106 persona. Qeveria iraniane mbron idenë e saj se protestat organizohen nga jashtë vendit.