Turravrap për ta njohur veten më mirë përmes vrapit

Turravrap për ta njohur veten më mirë përmes vrapit

Shkruan: Iljasa Salihu, Shkup

Në kohën kur muzgu dhe agimi bëjnë gara se cili më shpejtë po ia mbathë, njeriu që gjendet mes dallgëve të kësaj kohe, çdo ditë e më tepër po kërcënohet me mosnjohjen e vetes dhe me degdisjen e pranisë së tij nga vetë qenia e tij. Sot njeriurrallë ka mundësi të takohet me veten e t’ia sheh hallet egos së tij, ngaqë tashmë me rolin e ri që e ka trajtësuar atë në mjet që i shërben qëllimeve imagjinarenë vend se si qenie që duke i përdorur mjetet e shumta t’i arrijë qëllimet, qofshin ato edhe të thjeshta, ai po rrezikohet dukshëm me humbjen e vetes në pikë të ditës dhe pastaj me vajtimin se psenuk po mund ta gjejë veten në vlug të natës. Duke qenë të bindur se nuk ka sëmundje që nuk ka ilaç, këtë herë do të përsiasim për rolin e vrapit, apo pjesëmarrjen në gara maratonike si mundësi tepër e mirë për ta zbuluar anën e mirë të njeriut, kuptohet duke mos i anashkaluar edhe çështjet tjera, sidomos ato shpirtërore që ia mundësojnë njeriut mbajtjen e baraspeshës në jetë.

Maratona paraqet pjesën e drejtë të jetës. Aty fiton më meritori dhe jo ai që e njeh organizatorin e garës. Aty ia del i vendosuri dhe i përgatituri e jo ai emrin e të cilit ia jep dikush nga jashtë. Përgjatë vrapit, trupi ndërron shumë gjendje, kurse koka ka vetëm një qëllim, t’ia del mirë e mbarë maratonës. Në maratonë nuk mund të shtiresh, sepse duhet të vraposh. As nuk mund të bëhesh kinse po vrapon, sepse fillimin dhe mbarimin duhet ta lidhësh me përpjekje dhe me djersë. Vrapi nuk është aktrim, por është vepër origjinale. As nuk është film i mbështetur në ngjarje të vërtetë për arsye se është vetë ngjarja dhe është ndodhi më vete. Vrapi nuk e duron hipokrizinë, madje duke ia treguar vendin egos, hipokrizinë e mbanë larg, ngaqë kemi të bëjmë me një veprimtari burimore. Kësodore, përgjatë vrapit, njeriu e sheh veten pikërisht dhe plotësisht ashtu siç është. Vrapiështë pasqyra që edhe po e kërcënove me thyerja, ajo sërish nuk e tradhton funksionin e saj besnik. Pasqyra nuk të gënjen, as nuk të dëshpëron, por të rrëfen vetëm drejtë, madje tërthorazi të fton në përmirësim. Duke vrapuar mund të njihesh më mirë me veten, me gjendjen shëndetësore, me kondicionin, me peshën dhe me fuqinë tuaj të vërtetë. Madje, në këtë kohë të shpejtë (dinamike), ku rrallë na bie të takohemi me qenësinë tonë, mund ta takosh veten e të bashkëmendosh me veten, ngaqë prangat e kësaj kohe nuk i ke me vete përgjatë kohës së vrapit. Nuk të vjen inat se pse tjetri të kalon turravrap, por me veten përsiat se pse nuk je përgatitur edhe më shumë, duke lënë të nënkuptohet se herën tjetër do të përgatitesh më mirë.  Para garës vrapuesi djersitet, po ashtu edhe përgjatë garës, duke e përvijuar kështu tërë veprimtarinë me djersitjeje. Jo rastësisht, mbarimi i ushtrimeve dhe i garës është tepër i ëmbël, ngaqë mirësisë, shëndetit e shijimit të së bukurës, djersa di t’i paraprijë për mrekulli. Kësisoj, aty ku kemi djersë, kemi dinjitet dhe meritokraci. Sa më shumë djersë në tokë, aq më pak gjak nëpër udhë e nëpër dysheme. Djersa është çlirim, është dëshmi e një veprimtarie tejet fisnike. Në heshtje djersa rrëfen për madhështinë e lëvizjes. Eaty ku kemi lëvizje kemi gjallëri, kurse aty ku mugullon gjallëria kemi zhvillim, vetëdijesim e përparim.

Ka lloje të sportit ku jo gjithsecili mund ta gjejë veten, mirëpo vrapi është urë ku çdo sport tjetër patjetër kalonpërmes kësaj ure. Është shpirti i sporteve. Vetëm pak vullnet duhet dhe s’do mend se secili do të bëhet një vrapues, për asrye se vrapi është vetëm një hap përpara ecjes që natyrshëm, qoftë edhe nënvetëdijshëm secili e bënë. Kush di të ecë, tepër tëlehtë e ka të vrapojë, sikurse ai që di të lexojë nuk e ka të vështirë të shkruajë. Ecja është leximi, kurse vrapiështë shkrimi. Sa të përafërt që janë! Ndonëse, secili hapin e parë drejt vrapit e kemi hedhur, tani duhet vetëm edhe një hap për ta përjetuar një botë të magjishme, botë që gjendet brenda secilit njeri, mirëpo duhet vetëm pak nxitje për t’i sheshuar tërë ato margaritarë që gjenden te secili, mu sikurse dimri dhe pranvera që gjenden brenda secilit njeri, mirëpo po prej njeriut varet se cilën stinëmë shumë dëshiron ta ujisë dhe ajo stinë natyrshëm do të shfaqet në përditshmëritë dhe përnatëshmëritë e tij.