Turqia brenda 10 muajve shpëtoi në Egje 18.487 emigrantë të braktisur drejt vdekjes nga Greqia

Turqia brenda 10 muajve shpëtoi në Egje 18.487 emigrantë të braktisur drejt vdekjes nga Greqia

Ekipet e rojës bregdetare turke brenda dhjetë muajve të fundit shpëtuan 18.487 emigrantë të parregullt të shtyrë në ujërat territoriale turke nga elementët grekë, raporton Anadolu Agency (AA).

Shumë prej emigrantëve të parregullt, të cilët lundruan me familjet e tyre me shpresën e një jete të re, shtyhen në ujërat territoriale turke pasi keqtrajtohen dhe dhunohen nga elementët grekë.

Shpresa e fundit e emigrantëve, të cilët kanë mbetur në mes të detit me skafet me motorë të çmontuar janë ekipet e rojës bregdetare turke. Ekipet e rojës bregdetare turke që punojnë në Detin Egje po i përgjigjen thirrjes për ndihmë të emigrantëve të keqtrajtuar, të prangosur dhe të cilëve u konfiskohen bizhuteritë e tyre.

Sipas informacioneve të AA-së, midis 1 janarit dhe 31 tetorit 2022 ekipet e Komandës së Rojës Bregdetare shpëtuan 18.487 emigrantë të parregullt, të cilët u shtynë në ujërat e Çanakkalas, Balıkesir, İzmir, Aydın dhe Muğlas.

Numri më i madh i emigrantëve të braktisur është regjistruar në muajin gusht me 3.259 emigrantë të parregullt.

Në të njëjtën periudhë, 11.541 emigrantë të parregullt u kapën nga Komanda e Rojës Bregdetare teksa tentonin të dilnin jashtë vendit.

Në këtë periudhë kohore u gjetën trupat e 18 emigrantëve të parregullt në detin Egje. Gjithashtu në organet e drejtësisë janë dorëzuar edhe 111 kontrabandistë emigrantësh.

Nga emigrantët theksohet keqtrajtimi

Keqtrajtimi nga elementët grekë i emigrantëve të parregullt, që prisnin të dëshpëruar ndihmë në mes të detit, përfshihet në deklaratat që ata dhanë në forcat e sigurisë.

Një pjesë e emigrantëve kanë deklaruar se pas rrahjes atyre ua morën sendet me vlerë dhe u lanë në det me duar në pranga, ndërsa disa thonë se edhe janë torturuar.