Trump bën thirrje popullore për ndërtimin e murit me Meksikën

Trump bën thirrje popullore për ndërtimin e murit me Meksikën

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump gjatë një fjalimi ka bërë thirrje popullore për ndërtimin e murit me Meksikën, gjë që shkaktoi mbylljen e qeverisë federale, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ka një cikël në të cilin njerëzit atje po vuajnë. Jam i vendosur ta ndaloj këtë. Një nga tre gra përdhunohen gjatë rrugës së tyre nga Meksika për në SHBA. Viktimat më të mëdha të sistemit tonë të prishur janë gratë dhe fëmijët. Ky është një fakt tragjik i emigracionit të paligjshëm në kufirin tonë jugor”, tha Trump duke shtuar se në kufirin jugor të SHBA-ve po përjetohet një krizë njerëzore.

Duke kujtuar se demokratët kanë kundërshtuar ndarjen e fondeve në buxhetin e përkohshëm për murin, Trump ka bërë përgjegjës demokratët për mbajtjen e qeverisë federale të mbyllur që prej dy javësh për shkak të krizës buxhetore.

“Qeveria është e mbyllur për vetëm një arsye: demokratët nuk ndajnë fonde për sigurinë e kufirit. Kjo situatë mund të zgjidhet në një takim prej 45 minutash. Nesër kam ftuar emrat kryesorë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë për ta zgjidhur këtë”, tha Trump.

Ai në fjalimin e tij përsëriti se kostoja e murit do të mblidhet nëpërmjet një marrëveshjeje të re tregtare me Meksikën.

Reagojnë demokratët

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe senatori i New York-ut, Chuck Schumer pas fjalimit me thirrje kombëtare kanë reaguar ndaj presidentit amerikan Trump.

Ata vënë në dukje se Trump po përdor viktimizimin e miliona amerikanëve. “Asnjë president nuk duhet të godasë tryezën me grusht dhe të kërkojë ose të shkohet në rrugën e tij ose mbylljen e qeverisë. Presidenti Trump duhet të ndalojë mbajtjen peng të popullit amerikan, të ndalojë prodhimin e krizës dhe të hapë qeverinë”, tha Pelosi.

Ndërsa senatori Schumer ka bërë të ditur se siguria kufitare dhe kriza e buxhetit që ka shkaktuar mbylljen e qeverisë duhet të shqyrtohen në mënyra të ndara nga njëra tjetra. “Ekziston një projekt-ligj i mbështetur nga dy partitë, demokratët dhe republikanët, që lejon vazhdimin e debatit mbi sigurinë kufitare dhe që siguron hapjen e qeverisë. Nuk ka asnjë justifikim për viktimizimin e miliona amerikanëve nëpërmjet dallimeve politike”, tha senatori Schumer.