` . Triumfi i drejtësisë përballë politikës në rastin e Fata Orlloviqit - TV SHENJA

Triumfi i drejtësisë përballë politikës në rastin e Fata Orlloviqit

Në vitin 2019, domethënë pas njëmbëdhjetë vitesh sage gjyqësore, GJEDNJ-ja zgjidhi rastin, i cili është tejet i veçantë në disa aspekte. Rasti i familjes Orlloviq nxjerr në pah kapjen e sistemit të drejtësisë nga ana e politikës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe. Veçmas, në Republikën Srpska.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Në fillim të qershorit 2021, opinioni i gjerë publik e ka pritur me habi shkatërrimin e një objekti fetar ortodoks në entitetin Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës. Mbase edhe mund të jetë krijuar përshtypja se bëhet fjalë për qërim hesapesh mes bashkësive të ndryshme fetare, nxitur nga një urrejtje e trashëguar. Pamjet e transmetuara po paraqisnin një zonjë boshnjake që po shprehte ngazëllimin e saj për këtë ndodhi. Megjithatë, realiteti është ndryshe.

Qëndrimi ngadhënjyesi zonjës Fata Orlloviq, që u përhap shpejt në mediat botërore, është veçse pika kulmuese e një lufte të gjatë juridike. Prandaj duket e udhës që të vështrohen përmbledhtazi proceset gjyqësore dhe të kuptohet peripecia dhe vendosmëria e familjes Orlloviq për ta fituar të drejtën që u ka takuar.

 

Kontesti

 

Gjatë periudhës së luftës 1992-1995, familja Orlloviq ishte detyruar të braktiste shtëpinë dhe ta lërë prapa gjithë pasurinë e patundshme. Mbi njëzet familjarë të Fata Orlloviqit, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, kishin mbetur të vrarë në luftë.

Në vitin 1997, pas një kërkese të paraqitur nga Famullia Ortodokse Serbe e Drinjaças, Komuna Bratunac e kishte shpronësuar një pjesë të tokës së kësaj familjeje dhe ia kishte dhënë Famullisë me qëllim të ndërtimit të një kishe. Por, familjarët nuk qenë njoftuar asnjëherë për procedurat e shpronësimit.

Një vit pas shpronësimit të paligjshëm kishte nisur ndërtimi i kishës, madje vetëm 20 metra larg shtëpisë së Fata Orlloviqit, në të cilën ajo banonte para lufte.

Më 1999, Komisioni për Vlerësimin e Kërkesave të Pasurisë së Patundshme të Personave të Zhvendosur dhe Refugjatëve (i krijuar nga Aneksi 7 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit) përcaktoi se bashkëshorti i ndjerë i Fata Orlloviqit kishte qenë pronar i tokës në vendbanimin Konjeviq Polje dhe anuloi çdo bartje ose kufizim të pronësisë pas vitit 1992. Në këtë vendim u saktësua se trashëgimtarët e të ndjerit e gëzonin të drejtën e kthimit të pronës. Në vitin 2001 edhe Ministria e Refugjatëve e kishte konfirmuar pronësinë private të kësaj familjeje. Ndërkohë, Orlloviqi ishte kthyer në shtëpinë ku kishte jetuar me familjen e saj para luftës. Mirëpo, godina e kishës vazhdonte të qëndronte aty.

Në vitin 2002, familjarët kishin ngritur një padi civile në Gjykatën Themelore të Srebrenicës kundër Kishës Ortodokse Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, duke kërkuar rikthimin e pronës. Kjo Gjykatë gjykoi se asaj i mungonte juridiksioni lëndor për të vendosur për çështjen dhe kështu e refuzoi padinë.

Pas dështimit në këtë orvatje gjyqësore, më 2003, Fata Orlloviqi iu drejtua rishtas Ministrisë së Refugjatëve, duke kërkuar zbatimin e plotë të vendimit të mëhershëm dhe kërkoi që të urdhërohej Famullia ta shembte kishën që gjendej në pronën e saj. Gjithashtu, familja Orlloviq i ishte drejtuar edhe Kishës Ortodokse për të gjetur një zgjidhje paqësore të kontestit në fjalë. Po atë vit, Famullia kërkoi nga Komuna leje urbanistike për kishën. Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Ekologjisë në Republika Srpska e kishte ndaluar vazhdimin e punimeve në objektin e kishës. Megjithatë, në vitin 2004, Famullia kishte arritur ta siguronte në Komunë lejen urbanistike për kishën.

Në vitin 2005, kryetari i Komunës Bratunac mori iniciativë, duke i ofruar familjes Orlloviq kompensim në para ose një pronë në ndonjë lokacion tjetër, si kundërvlerë për ngastrën e tyre. Kjo ofertë nuk ishte pranuar nga familjarët.

Më 2006, pas apelimit të vendimit, Gjykata e Qarkut në Bijeljinae eprishi vendimin e vitit 2002 dhe e ktheu çështjen në rishqyrtim.

Seancat në Gjykatën Themelore, me kërkesë të palëve, ishin ndërprerë disa herë, bile edhe me arsyen se parashtruesit (familja Orlloviq) e kishin kontaktuar me kryeministrin e Republika Srpskas për zgjidhjen e çështjes.

Pas disa përpjekjesh në gjykata, përfundimisht, më 2013, Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën e ankuesve për njohjen e vlefshmërisë së marrëveshjes jashtëgjyqësore të vitit 2008, të arritur midis përfaqësuesit të familjes, këshilltarit të kryeministrit dhe Peshkopit të Zvornik-Tuzla, sipas së cilës kisha do të largohej nga prona e tyre. Arsyeja e refuzimit të Supremes ishte që kryeministri dhe këshilltari i tij nuk janë të veshur me autorizim për të kryer kontrata në emër të palëve.

Më 28 shtator 2017 edhe Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën si të pabazuar, për shkak se, sipas saj, gjykatat e rregullta kishin dhënë arsye të qarta dhe bindëse për vendimet e tyre dhe se këto arsye nuk kishin qenë arbitrare.

 

Sulmet ndaj Fata Orlloviqit

 

Përpos vuajtjeve të shkaktuara nga lufta dhe mundimit me procese gjyqësore, Fata Orlloviqi rrezikohej edhe fizikisht në oborrin e saj. Më 10 shtator 2008 ajo u sulmua fizikisht nga një oficer policie që po e mbikëqyrte pastrimin e zonës përreth kishës. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (që kishte për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit) e kishte dënuar sulmin. Por, dy vite më vonë, Orlloviqi ishte sulmuar përsëri në pronën e saj dhe sulmuesi prapë ishte pjesëtar i policisë.

 

Rruga për në GJEDNJ

 

Familja Orlloviqi nuk po gjente prehje dhe as nuk po arrinte të drejtën e saj. Kështu, pas mosarritjes së zgjidhjes së kontestit as në Gjykatën Kushtetuese, më 30 mars 2018 ata aplikuan në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Bazuar në nenin 1 të Protokollit Shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), ata u ankuan se kisha e ndërtuar në mënyrë të paligjshme nuk ishte larguar nga toka e tyre, se nuk po mund ta përdornin efektivisht pronën e tyre dhe se në Bosnjë-Hercegovinë u ishte shkelur edhe e drejta për një gjykim të drejtë, që garantohet me nenin 6 të Konventës. Kësisoj zuri fill rruga që do të shpinte në nxjerrjen e Aktgjykimit nr. 16332/18, të datës 1 tetor 2019, i njohur si Rasti Orlloviq dhe të tjerët kundër Bosnjë dhe Hercegovinës.

 

Vlerësimi i GJEDNJ-së

 

Fillimisht, Gjykata konfirmoi se parashtruesit janë pronarë të ngastrës dhe se kishin të drejtë të kërkonin kthimin e pronës.

Objekti thelbësor i nenit 1 të Protokollit nr. 1 është mbrojtja e një personi nga ndërhyrjet e pajustifikuara të shtetit në gëzimin paqësor të zotërimeve të veta. Në këtë drejtim, shtetet ngarkohen me detyrimin pozitiv për të ndërmarrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtën e pronës.

Në rastin konkret, Gjykata theksoi se sipas Aneksit 7 të Marrëveshjes së Dejtonit, refugjatët dhe personat e zhvendosur kishin të drejtë të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Tutje, Gjykata vuri re se e drejta e parashtruesve për kthimin e plotë ishte konfirmuar nga Komisioni për Vlerësimin e Kërkesave të Pasurisë së Patundshme të Personave të Zhvendosur dhe Refugjatëve, si dhe nga Ministria e Refugjatëve.

Familja Orlloviqi po ankohej nga mosveprimi i autoriteteve publike, që binte në kundërshtim me detyrimin pozitiv të këtyre të fundit për t’i garantuar plotësisht të drejtat pronësore. Pavarësisht se ekzistonin dy vendime përfundimtare që urdhëronin rikthimin e plotë të tokës së tyre, pronarët e pronës ende parandaloheshin nga gëzimi paqësor i saj. Në këtë kontekst, Gjykata konsideroi se stërzgjatja e çështjes dëfton për një refuzim të qartë të autoriteteve për të zbatuar vendimet e vitit 1999, respektivisht të vitit 2001, duke i lënë parashtruesit në një gjendje të pasigurt për sa i përket realizimit të të drejtave të tyre pronësore.

Duke marrë parasysh të gjitha si më sipër, Gjykata arriti në përfundimin se parashtruesit ishin ngarkuar me një barrë joproporcionale dhe të tepruar. Për këtë arsye, Gjykata konkludoi shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës dhe se tashmë nuk ishte e nevojshme të shqyrtohet nëse ka pasur shkelje edhe të nenit 6. Shteti i paditur duhet t’i merrte të gjitha masat e duhura, në veçanti largimin e kishës nga prona e parashtruesve, pa vonesa të mëtejshme.

 

Kërkesa për dëmshpërblim

 

Në lidhje me dëmin material, parashtruesit kërkuan 10,000 euro secili në lidhje me humbjen e pësuar, për shkak se u ishte pamundësuar përdorimi i tokës për qëllime bujqësore. Krahas kësaj, ata nuk parashtruan asnjë kërkesë përkitazi me dëmin jomaterial. Gjykata nuk ka mundur të bëjë një llogaritje të saktë në lidhje me humbjen e pësuar të parashtruesve si rrjedhojë e pamundësisë për të përdorur tokën. Sidoqoftë, Gjykata konsideroi se ankuesit sigurisht duhet të kenë pësuar humbje financiare dhe me këtë logjikë gjykoi që Fata Orlloviqit t’i jepet shuma prej 5,000 eurosh, kurse nga 2,000 euro të jepet për secilin nga parashtruesit e tjerë.

 

Përfundime

 

Në vitin 2019, domethënë pas njëmbëdhjetë vitesh sage gjyqësore, GJEDNJ-ja e zgjidhi rastin, i cili është tejet i veçantë në disa aspekte.

Rasti i familjes Orlloviq nxjerr në pah kapjen e sistemit të drejtësisë nga ana e politikës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe veçmas në Republikën Srpska. Prolongimi i pafund i zgjidhjes së kontestit nuk qe bërë nga mungesa profesionale e gjykatave vendore, por nga mungesa e pavarësisë së tyre. Rasti i shtjelluar më lart na dëftoi troç se moszgjidhja e problemeve politike dhe krijimi i entiteteve në baza etnike brenda shteteve mund ta paralizojnë edhe funksionimin e pavarur të sistemit të drejtësisë. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryeministrit të Republika Srpskas, kinse për ta zgjidhur rastin, flet për mendësinë dominuese të fuqisë politike ndaj drejtësisë.

Ndërkaq, u pa se sa e çmuar është mundësia për t’iu drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kuptimin që jo vetëm se problemi do të zgjidhet më sigurt, por edhe se do të shërbejë si precedent në të ardhmen. Aq më tepër kur nuk mund të vihet në dyshim vlerësimi objektiv i bërë nga kjo Gjykatë, e cila nuk u nënshtrohet trysnive të një shteti të caktuar.

Do të ishte e mirëpritur që në Gadishullin Ballkanik drejtësia ta thoshte vetë fjalën e fundit, por ja që në rrethanat aktuale GJEDNJ-ja vazhdon të mbetet strehë shprese për të prekur – në fakt – një stad elementar: ndarjen e drejtësisë pa ngjyrime politike. Kjo sa vjen e bëhet më vështirë e realizueshme, gjersa gjen mirëkuptim ngritja arbitrare e godinave me dukje fetare, të cilat më shumë janë objekt kulti politik sesa fetar. Këtu fle arsyeja që shkatërrimi i kishës në oborrin e familjes Orlloviq, as nga GJEDNJ-ja dhe as nga ndërgjegjja e pastër e mendja e kulluar, nuk është cilësuar si sakrilegj.

Në këtë rast dallohet edhe një element i rëndësishëm: kultura për ta kërkuar të drejtën. Ndonëse mund të mendohet se kërkimi i së drejtës është nevojë, megjithatë në vendet ku qytetarët nuk kanë besim në sistemin e drejtësisë, ndodh që ata të zmbrapsen nga ndjekja e së drejtës që u përket. Gjithë kjo për arsye se këtë e konsiderojnë humbje kohe dhe shpenzim financiar për diçka që nuk ka garanci se do të marrë fund sipas parametrave të së drejtës.

Pikërisht këtu Fata Orlloviqi shfaqet si shëmbëlltyrë e një qytetareje me kulturë dhe vetëdije të lartë, që nuk kërkon asgjë më shumë se sa respektim të së drejtës. Asaj i ishte ofruar sasi parash dhe pronë diku tjetër, por ajo nuk e vriste mendjen për anën materiale. Thjesht, donte ta gëzonte atë që i kishte takuar përherë – pronën e familjes së vet. Për Fata Orlloviqin, të cilës ia kishin vrarë disa familjarë, asnjë shumë e të mirave materiale/monetare nuk ishte relevante karshi drejtësisë. Këtë e ka kuptuar edhe GJENDJ-ja, e cila ka gjykuar në mënyrë të drejtë për zgjidhjen e problemit, duke respektuar standardet e Konventës.

Fata Orlloviqi nuk është vetëm palë (subjekt) në një rast të zhvilluar në GJEDNJ. Ajo u shndërrua në simbol të rezistencës dhe stoicizmit, madje edhe pa përkrahje, për të gjurmuar drejtësinë e për ta vendosur në vendin ku i takon. Andaj, ajo meriton respekt nga mbarë bota për leksionet e së drejtës që i ka dhënë praktikisht, e që mbase nuk mësohen sa duhet në fakultetet juridike, si dhe për patriotizmin qytetar, të dëshmuar në vepër e jo të kufizuar në fjalë.