` . Tregim i sajuar për “Bosnjën e Madhe” - TV SHENJA

Tregim i sajuar për “Bosnjën e Madhe”

Njerëz inekzistentë në një letër inekzistente nga një adresë të panjohur, gjoja se e kanë dërguar letrën në të cilën është hartuar ndarja e Ballkanit Perëndimor. Një pjesë të Bosnjë e Hercegovinës ia bashkëngjisin Serbisë, një pjesë Kroacisë, ndërsa Kosova i bashkëngjitet Shqipërisë. Megjithëse të gjithë e demantuan këtë, veçanërisht “autorët” sllovenë, “non-paper-in” fantazmë të gjithë e komentuan sikur të ishte një shpallje zyrtare e luftës.

Shkruan: Jozo Pavkoviq, Zagreb

Nëse dikush do të dëshironte t’i dëmtojë boshnjakët, ai – duke u thirrur në burime të trilluara – mund të dërgonte ndonjë “dokument” të panënshkruar në Europë dhe në botë, ku do të thuhej se ISIL, Al-Kaeda dhe radikalët islamikë, në zemër të Europës, planifikojnë të formojnë një “Bosnjë të Madhe” ose edhe më keq, një Shtet Islamik! Besueshmërinë me siguri do ta forconte ndonjë hartë fantazmë e përpiluar, ku kufijtë shtrihen thellë në Kroaci, Serbi dhe, madje, e bashkojnë edhe Shqipërinë. Për “autenticitetin” e këtij tregimi nevojiten shërbime të parainteligjencës, politikanë/postierë me ndikim dhe një portal që do t’i publikojë të gjitha ato. Nëse “non-paper-i” bie në tokë pjellore, atëherë ajo do të jetë një top-temë. Histori botërore. Në këtë rast mashtrimin në mënyrë serioze do ta komentonin të gjithë politikanët relevantë, mediumet dhe opinioni.

Akuzat për projekt të madh mysliman do t’i dëmtonin, mbi të gjitha, politikanët boshnjakë. Kjo do të thotë se një autor i panjohur do të godiste në shenjë. Medoemos të mbrohemi. Që do të nënkuptonte se në të gjitha negociatat e ardhshme “fanatikët islamikë boshnjakë” do të dobësoheshin. Nëse kjo gënjeshtër do të bëhej e vërtetë, atëherë bashkësia ndërkombëtare do t’i shpërblente kroatët dhe serbët në BeH, sepse ata atje janë “policët tanë”. Ata do të fitonin autonomi më të zgjeruar, sepse e ruajnë Europën e krishterë nga ekspansioni i Islamit. E si të argumentohet atëherë se ndëshkimi dhe shpërblimi u ngritën në bazë të një tregimi të trilluar? Epo, kështu duket “non-paper-i” slloven për ndarjen e Bosnje e Hercegovinës dhe pjesës tjetër të Ballkanit. Vetëm se këtu nuk janë boshnjakët në shënjestër, por, siç duket, “secesionistët e Bosnjës” – kroatët dhe serbët.

 

Sharra është kthyer mbrapsht

 

Njerëz inekzistentë në një letër inekzistente nga një adresë të panjohur, gjoja se e kanë dërguar letrën në të cilën është hartuar ndarja e Ballkanit Perëndimor. Një pjesë të Bosnjë e Hercegovinës ia bashkëngjisin Serbisë, një pjesë Kroacisë, ndërsa Kosova i bashkëngjitet Shqipërisë. Megjithëse të gjithë e demantuan këtë, veçanërisht “autorët” sllovenë, “non-paper-in” fantazmë të gjithë e komentuan sikur të ishte një shpallje zyrtare e luftës. Autori pati sukses që ta turbullojë ujin dhe ta zhvendosë vëmendjen nga reformat kushtetuese në idenë për rrënimin e Marrëveshjes së Dejtonit, kështu që ta përforcojë edhe më tej dyshimin ndaj fqinjëve, të cilët “përgjithmonë përpiqen ta ndajnë Bosnjë e Hercegovinën”. Në të vërtetë, kjo është edhe arsyeja më e fuqishme e atyre të cilët dëshirojnë që nga Kushtetuta t’i përjashtojnë si popuj shtet-formues dhe të rivendosin një Bosnjë e Hercegovinë unitare, ku do të qeveriste populli shumicë (boshnjakë). Është simptomatike se si letra e panënshkruar sllovene mbërriti në Sarajevë një muaj pas asaj (letrës) të nënshkruar të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken (të cilën ua dërgoi anëtarëve të Kryesisë së BeH, në të cilën i fton ata në ndryshime kufizuese në BeH).

Kjo i tronditi të gjithë unitaristët boshnjakë, të cilët prisnin që administrata e re amerikane ta rrëzojë Marrëveshjen e saj të Dejtonit dhe në vend të një shteti me tre popuj shtet-formues, të rivendos një shtet qytetarësh, Bosnjë e Hercegovinën unitare. Krejt e kundërta.

Administrata e Bajdenit kërkon reforma kushtetuese në themelet e Marrëveshjes aktuale të Dejtonit. Nuk ekziston Dejton 2. Kjo do të thotë se Bosnja e Hercegovina mbetet një shtet me dy entitetet dhe me tre popujt konstituivë. Me të tre, e jo me një! Duke marrë parasysh se Amerikës nuk mund t’i thuhet “jo”, atëherë duhet të bindet në mënyrë diplomatike se nuk është në të drejtë. Ajo (SHBA-ja) qëndrimin e saj mund ta ndryshojë vetëm nëse argumentohet se Bosnja e Hercegovina është në rrezik nga armiku i brendshëm. Prandaj, me akuzat sistematike dobësohen, para se gjithash, kroatët në të dyja anët e kufirit.

Pavarësisht nga fakti se politika zyrtare kroate as në Bosnjë e Hercegovinë, e as në Republikën e Kroacisë, asnjëherë nuk është deklaruar për rivendosjen e kufijve, madje as për entitetin e tretë, ata akuzohen se dëshirojnë ta bëjnë një gjë të këtillë. Hipotekën e fajit e përforcojnë përmes mitit nga Karagjorgjeva. Në këtë kontekst, një numri të madh të njerëzve u pengoi fakti se disa ditë para letrës së Blinkenit, Kroacia e dërgoi një dokument konstruktiv, përmes të cilit i kërkonte Europës që të ndërmarrë iniciativë për një transformim gjithëpërfshirës të shoqërisë në Bosnjë e Hercegovinë, gjithë kjo me qëllim të përfshirjes sa më të shpejtë në BE. Si fqinj i mirë, i cili e dëshiron një BeH të plotë europiane, “non-paper-in” e tij, pas të cilit qëndron, e dërgon në mbarë botën. Dhe, për këtë ai merr gjithnjë e më shumë mbështetje. Sepse, gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se kroatët janë të vetmit të cilët vërtetë janë për një Bosnjë e Hercegovinë euroatlantike.

Prandaj, siç kuptohet, letrën “sllovene” e kanë shkruar pikërisht ata të cilëve nuk u pëlqenin letrat konstruktive aktuale, amerikane dhe kroate. Gjegjësisht, ata të cilët nuk e dëshirojnë rrugën euro-atlantike të BeH-së, e as projektin amerikan – Bosnjë e Hercegovinën e Dejtonit. Gjithë kjo na jep të kuptojmë se pas letrës fantazmë qëndrojnë ata të cilët dëshironin të paraqiteshin si viktima të ndarjeve. Njëjtë vepronte edhe kuzhina serbomadhe e Millosheviqit. Atëherë u shpërbë Jugosllavia. Le të shpresojmë se Bosnja e Hercegovina nuk do ta përjetojë fatin e njëjtë nga ndonjë politikë boshnjako-madhe. Sepse në atë shtet ekziston mjaft hapësirë për të gjithë popujt dhe qytetarët e tij; është ky shtet që përgjatë historisë së tij të trazuar shumë shtete dhe udhëheqës ia vizatonin kufijtë.

Më në fund edhe Marrëveshja e Dejtonit e ndau Bosnjë e Hercegovinën në dy entitete dhe në dhjetë qarqe, si dhe Distriktin Bërçko. Në këtë shtet të ndarë sot gjithçka është e bllokuar, sepse në mënyrë perfide shtrembërohet (dhe keq-interpretohet) fryma dhe teksti i Marrëveshjes së Dejtonit. Këtë gjë më së tepërmi e bëjnë ata të cilët e paraqesin veten si patriotë. Sikur të respektohej Dejtoni burimor, atëherë nuk duhej të kërkohen zgjidhje të reja. Veçanërisht jo në aspekt të rishikimit të kufijve. Historia ka treguar se kufijtë në Bosnjë e Hercegovinë rivendosen vetëm me gjak. Madje, edhe atëherë kur ato sugjerohen nga vizatues inekzistentë në letra inekzistente.

(Vecernjilist.hr)