` . Transicioni demografik si proces global - TV SHENJA

Transicioni demografik si proces global

Gjatë transicionit norma e mortalitetit bie më shpejt se ajo e natalitetit dhe prandaj, në rrethanat e normës së lartë të lindshmërisë, rritet shtimi natyror, që shënon dhe një lloj “shpërthimi demografik”.

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë

Me zhvillimin material, social dhe mendor të njerëzimit, nga stagnimi i gjatë i evolucionit sasior dhe cilësor demografik, bota shënon një progres kolosal në ritmin popullativ, ndërsa për këtë dallohen shek. 18 dhe 19 dhe, veçanërisht, shek. 20. Historia demografike e vendeve të zhvilluara perëndimore të Europës i demantoi në themel pikëpamjet pesimiste të maltusianistëve dhe neomaltuianistëve. Në pjesën dërmuese të këtyre vendeve, për shkak të ndryshimeve të mëdha sociale, ekonomike, arsimore, shëndetësore, të komunikacionit etj. dhe, rrjedhimisht, të rënies, së pari të mortalitetit dhe pastaj të natalitetit, procesi i transicionit demografik tashmë ka përfunduar ose në stade të ndryshme të tij gjenden gati të gjitha vendet e botës. Prandaj, për transicionin demografik sot mund të flitet si për një proces botëror. Sipas teorisë së transicionit demografik, transicioni demografik nënkupton së pari rënien e mortalitetit nën 30 promilë dhe, më vonë, edhe rënien e natalitetit gjithashtu nën 30 promilë, me ç’rast së pari rritet shkalla e shtimit natyror e pastaj zvogëlohet deri te niveli i stabilizimit demografik në tërësi.

Mirëpo, sipas teorisë, me transicion demografik nuk nënkuptohet vetëm transformimi i regjimit të riprodhimit biologjik prej tipit tradicional në tip bashkëkohor, por edhe ndryshimet në komponentët, variablat dhe strukturat e tjera të popullsisë. Kjo teori e shqyrton procesin e evolucionit të popullsisë nëpër etapa të caktuara të zhvillimit shoqëroro-ekonomik, duke u mbështetur në përgjithësimin e fakteve empirike të ndryshimit të komponentëve të lëvizjes natyrore të popullsisë të vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore. Sipas teorisë së transicionit demografik, nataliteti dhe mortaliteti zvogëlohen nga niveli i lartë në nivelin e ulët, gjë që, sipas rregullit, lidhet me ndryshimet ekonomiko-sociale dhe kulturore, që ndodhin gjatë procesit të industrializimit dhe urbanizmit të jetës.

Gjatë transicionit, norma e mortalitetit bie më shpejt se ajo e natalitetit dhe prandaj, në rrethanat e normës së lartë të lindshmërisë, rritet shtimi natyror, që shënon dhe një lloj “shpërthimi demografik”. Megjithatë, teoria e transicionit demografik paraqet vetëm kornizën e përgjithshme të shqyrtimit të procesit të zhvillimit demografik. Në shpjegimin e këtij procesi, veçanërisht të përtëritjes biologjike dhe, në këtë kuadër, të fertilitetit, duhet hulumtuar një varg shkaqesh specifike, që dalin jashtë skemës së përgjithësimit të transformimit të komponentëve vitalë të popullsisë, siç i parashihte teoria e transicionit demografik. Kësaj teorie sot, me gjithë përparësitë e mëdha që ka në shpjegimin e evolucionit demografik në rrafshin teorik, mund t’i bëhen edhe shumë vërejtje (P. Festy; D. Noin; A. Sauvy; J.-C. Chesnais). 

Maltusianizmi dhe neomaltusianizmi si doktrinë antishkencore dhe antihumane

Nga teoria demografike dhe eksperienca e zhvillimit material, social dhe mendor të vendeve sot të zhvilluara të Europës, të cilat e kanë kaluar etapën e transicionit të plotë demografik, mësohet se ligjësitë e zhvillimit të popullsisë nuk janë të përhershme, por varen nga ndryshimi i kushteve shoqërore në kohë dhe hapësirë të caktuar. Rënia e mortalitetit dhe e natalitetit në këto vende është zhvilluar në përputhmëni me transformimet radikale të bazës ekonomike të shoqërisë dhe me ndryshimin e rrethanave socio-ekonomike të popullsisë në kuptim të gjerë. Prandaj, historia demografike e këtyre vendeve dhe prosperiteti i tyre ekonomik e shoqëror i demantuan në themel pikëpamjet pesimiste të Maltusit dhe ithtarëve të tij, si dhe të neomaltusianistëve të shekullit XX lidhur me zhvillimin e popullsisë dhe të mirave materiale në të ardhmen.

Tomas Robert Malthus-i (1766-1834), një prift dhe ekonomist anglez, lindshmërinë dhe popullsinë në përgjithësi i konsideronte madhësi të pandryshuar në hapësirë dhe kohë. Popullsia dhe varfërimi i saj, sipas tij, nuk vareshin nga kushtet shoqërore-historike dhe institucionet sociale, por nga të ashtuquajturat “ligje konstante natyrore”. Sipas tij, meqenëse do të ndodhte kufizimi i mjeteve për ekzistencë, gjë që nuk e vërtetoi zhvillimi i mëvonshëm material e mendor i njerëzimit, duhej ndërmarrë një varg masash të karakterit preventiv dhe pozitiv për zvogëlimin e lindjeve. Ai preferonte që numri i lindjeve të kufizohej me abstenim moral dhe ngurrim seksual, me shtyrjen e martesave dhe me moshyrje në martesa (celibati), si pengesa preventive, por edhe epidemi, uri e luftëra, si pengesa pozitive. Teoria e Maltusit dhe ithtarëve të tij ishte thellësisht antishkencore dhe antihumane (J-P. Bardet et J. Dupâquier; A. Armengaud; A. Roussel).

Pas Maltusit dhe teorisë së tij paraqitet doktrina tjetër, gjithashtu pa mbështetje shkencore e humane, neomaltusianizmi, që del në formë të neomaltusianizmit të hershëm dhe zgjat nga vdekja e Maltusit e deri në Luftën II Botërore, si dhe ajo e neomaltusianizmit bashkëkohor, që paraqitet pas kësaj lufte në disa vende perëndimore. Dallimet midis doktrinës maltusianiste dhe pikëpamjes neomaltusianiste qëndrojnë vetëm në mjetet e ndërmarra, ndërsa qëllimet janë të njëjta. Neomaltusianistët insistojnë që problemet ekzistuese socio-ekonomike të zgjidhen me kufizimin e lindjeve dhe pengimin e rritjes së numrit të popullsisë, duke zbatuar mjetet kontraceptive, abortimet, madje edhe sterilizimin (po aty). Mirëpo, përparimi shkencor dhe teknik ndikuan si në përmirësimin e kushteve për jetesë, ashtu edhe në transformimin e regjimit demografik në drejtim të zvogëlimit, së pari të vdekshmërisë, e pastaj edhe lindshmërisë dhe të rritjes së popullsisë. Në këto vende filloi zhvillimi intensiv i marrëdhënieve kapitaliste, i industrializimit dhe urbanizimit të jetës, i arsimit, i komunikacionit, i shëndetësisë etj. Të gjitha këto rrethana krijuan mundësi të mëdha dhe hapën perspektiva të reja për zhvillimin e njerëzimit.

Progresi material, shkencor e mjekësor dhe transformimet demografike

Në truallin e vendeve sot të zhvilluara të Europës, siç është tashmë e njohur, u paraqit revolucioni industrial dhe së bashku me të edhe kthesat sociale, shkencore-teknike dhe medicinale-sanitare. Edhe procesi i transicionit, përkatësisht i revolucionit demografik (A. Landry), së pari i përfshiu këto vende të Europës, si djepi i revolucionit klasik industrial. Fillimi i transicionit demografik lidhet me rënien graduale të mortalitetit të popullsisë, proces ky që do t’i paraprijë transicionit edhe në sferën e natalitetit. Ky proces, së pari, qysh në fillim të shek. XVIII nisi në Francë (J. B.-Pichat; Y. Blayo; A. Sauvy), për t’u zgjeruar më vonë, nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX në vendet nordike (Suedia, Norvegjia) dhe perëndimore të Europës (J.-P. Bardet et J. Dupâquier), pastaj në SHBA, Kanada, Australi, Zelandë të Re dhe në Europën Lindore. Në shumicën e këtyre vendeve procesi i transicionit tashmë është kryer, ndërsa në stade të ndryshme të tij gjenden pothuajse të gjitha vendet e botës (J.-M Poursin), prandaj për të sot mund të flitet si për një proces botëror (D. Tabutin-T. Eggerickx-C. Gourbin). Të arriturat në këto sfera, para së gjithash, ato në shkencën mjekësore, zbulimit të medikamenteve të reja dhe efikasitetit të zbatimit të tyre (vaksinat, antibiotikët, insekticidet etj.), si dhe zhvillimit të shëndetësisë dhe higjienës publike, bënë që të eliminoheshin shumë sëmundje epidemike dhe endemike si përcjellës shekullorë të shëndetit dhe jetës së njerëzve.

Në anën tjetër, në rënien e vdekshmërisë dhe rrjedhimisht në rritjen demografike rëndësi të veçantë në disa vende luajtën zbatimi i risive në bujqësi dhe mekanizimi i saj dhe rritja e prodhimtarisë agrare në saje edhe të zgjerimit të kulturave të reja në vendet atëherë të zhvilluara dhe sigurimi i ushqimit, ku në shumë rajone të botës uria, si dukuri, u eliminua ose u reduktua maksimalisht. Por, nuk duhet lënë anash as zhvillimin e komunikacionit, që mundësoi distribuimin e ushqimit në vendet që kërcënoheshin nga uria dhe sëmundjet infektive (A. Armengaud). Këta faktorë ndikuan drejtpërdrejt në zvogëlimin e mortalitetit, veçanërisht mortalitetit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël dhe racionalizimin e përtëritjes biologjike. Në shek. XIX dhe aq më shumë në shek. XIX, siç theksuam edhe më parë, në vendet sot të zhvilluara të Europës nisi zvogëlimi edhe më i fuqishëm i nivelit të dy komponentëve reproduktivë, së pari të vdekshmërisë dhe pastaj edhe të lindshmërisë, duke pësuar ndryshime harta demografike e kësaj pjese të kontinentit të vjetër. Deri nga fundi i shek. XIX procesi i lindshmërisë dhe regjimi demografik në këto vende nuk ishte “i dirigjuar”, por i përkiste të ashtuquajturit tip “natyror të fertilitetit” ose “regjim demografik natyror” (P. Festy; H. Leridon- J. Menken ; C. Cipolla).

Zvogëlimin e natalitetit dhe racionalitetin e riprodhimit të popullsisë në këto vende e diktonin dhe e shpejtonin proceset e industrializimit e të zgjerimit të strukturave urbane dhe lidhur me to edhe zgjerimi i shkrim-leximit, ngritja e nivelit kulturo-arsimor, përmirësimi i pozitës materialo-sociale e qeverisëse të femrës në familje dhe shoqëri, moshyrja në martesë e një kontingjenti të femrave apo hyrja e vonshme në bashkësi martesore e një numri tjetër të tyre, kur aftësia prokreative e femrës nis të zvogëlohej, pastaj zvogëlimi i mortalitetit të foshnjave, mobiliteti më i madh hapësinor e social, shkatërrimi i familjes tradicionale dhe ndryshimi i funksioneve të saj, socializimi i aspekteve kyçe të jetës, barazia e gjinive, rritja e lirisë personale, zgjerimi i individualizmit si konsideratë e rëndësishme në vendosje në procesin e lindjes etj. (F. Marchal-O. Rabut; P. Festy).

Edhe në Slloveni, sot një shtet i ri dhe për shumëçka vend europian, që doli pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë (1992), nga të njëjtat arsye ka ndodhur përqafimi i normave sociale mbi familjen e vogël dhe natalitetin e ulët deri nga fundi i shek. XIX. Aty u përqafua qëndrimi i hyrjes së vonshme në martesë, për çka zvogëlohej periudha e përtëritjes biologjike, por edhe i moshyrjes fare në martesë (celibati) i një numri të konsiderueshëm të femrave (D. Breznik). Edhe këtu shkalla e natalitetit ishte mjaft e lartë, sidomos te shtresa fshatare dhe punëtore. Në vitet 1880-1900 shkalla e natalitetit në Slloveni sillej rreth 35 promilë, prej fillimit të shek. XX e deri në gjysmën e tij kjo shkallë sillej midis 30 e 23 promilë, ndërsa prej atëherë rënia është konstante, kështu që në vitin 1990 nataliteti ishte 11,5, mortaliteti 9,5 dhe shtimi natyror 2,0 promilë (Ž. Šifrer). Kjo gjendje e përshkon këtë vend edhe sot. Edhe në Kroaci dhe Sllavoni, deri në fund të dekadës së parë të shekullit XX nataliteti ishte mbi 40 promila (Zemaljski statistički ured, Zagreb, 1917).

Nga analiza shkencore e evolucionit të lindshmërisë, si dhe nga eksperienca e ecurisë së këtij fenomeni në vendet që e kanë kaluar fazën e transicionit demografik, rezulton se zvogëlimi i tij nuk ka pasuar për arsye të zgjerimit të zbatimit masiv të mjeteve kontraceptive ose të aplikimit të ndonjë politike popullative të konceptuar qartë, por për shkak të ndryshimeve të thella në tipin e ekonomizimit dhe në kushtet e tjera jetësore dhe kulturore. Vetëm kompleksi i determinantëve të fundit ka mundur të ndikonte te faktorët e parë. Në Britaninë e Madhe, në Francë, në Suedi etj. në gjysmën e shek. XVIII shkalla e natalitetit ishte mbi 35 promilë, në gjysmën e shek. XIX (përveç Francës, për arsye të njohura) mbi 30 promilë dhe në fillim të shekullit XX mbi 25 promilë (C. Cipolla; UN; Council of Europe Publishing). Dhe, pikërisht këto rrethana ndikuan që individët dhe çiftët bashkëshortorë t’i ndryshonin fuqimisht normat, qëndrimet dhe sistemin e vlerave që e përcaktojnë nivelin e përtëritjes bio-sociale të popullsisë dhe të formojnë qëndrime krejtësisht të reja ndaj numrit të fëmijëve dhe madhësisë së familjes. Prirja e rënies së nivelit të natalitetit gjeti shprehje në kohën e depresionit të madh ekonomik në vitet e ‘30-ta të shek. XX dhe atë në Angli, Francë, Gjermani, Austri, Zvicër, në vendet nordike etj. (Population, INED ).

Në vendet e përmendura faktori më i rëndësishëm i transformimit të regjimit të riprodhimit duket se ishte përvetësimi i të ashtuquajturit kontroll i lindjes mbi bazë të këtyre ndryshimeve (F. Marchal-O. Rabut). Disa elemente të kontrollit të lindjes i gjejmë qysh në shoqëritë e pazhvilluara dhe në bashkësitë primitive, si psh. planifikimin e familjes me elemente pro dhe kundër lindshmërisë e hasim edhe në Europën Antike. Hulumtimet tregonin se si metodë më efikase për kufizimin e lindjeve qysh herët është shfrytëzuar dështimi (aborti). Aborti edhe në fillim të fazës së transicionit demografik ishte mjet kryesor i planifikimit të familjes, ndërsa nga fundi i kësaj faze do të dominojë zbatimi masiv i mjeteve kontraceptive. Megjithatë, faktori “kontroll i lindjes” do të luajë rol të madh në zvogëlimin e natalitetit në vendet europiane pas revolucionit industrial, kur edhe nis të formohet një sistem modern demografik, me ç’rat nataliteti i lartë dhe familja e tipit të zgjeruar do ta humbin funksionin e tyre ekonomik dhe shoqëror, ndërsa me përparimin industrial dhe teknologjik, si dhe me krijimin e kushteve të reja të punësimit intensiv-produktiv mbi këtë bazë, do të ndërpritet nevoja e angazhimit të fëmijëve në jetën ekonomike.

Kriza demografike në vendet e zhvilluara europiane dhe implikimet e saj

Harta demografike e kontinenti plak karakterizohet me kontraste të mëdha në pikëpamje të dinamikës së rritjes së popullsisë dhe shtimit natyror, lindshmërisë dhe fertilitetit, mortalitetit të përgjithshëm dhe atij specifik, strukturës sipas moshës etj., në një anë, dhe dallimeve etnike dhe kulturore, në anën tjetër. Mirëpo, përkundër këtyre dallimeve, në pjesën e dytë të shek. XX trendi demografik në indikatorët e përmendur shkoi drejt homogjenizimit, veçanërisht kur është fjala për normat e ulëta të përtëritjes natyrore dhe zvogëlimit të vdekshmërisë. Në vitet 1950-1955 brenda kontinentit europian kishte dallime të mëdha në nivelin e natalitetit dhe shtimit natyror: (Europa P. 17,5‰ dhe 6,5‰; Europa J. 29,0‰ dhe 17,0‰; dhe Europa L. 24,5‰ dhe 19,6‰), por në vitet 1985-1990 këto norma u homogjenizuan në nivel mjaft të ulët: e para, 12,2‰ dhe 1,1‰; e dyta, 12,0‰ dhe 2,5‰ dhe e treta, 13,7‰ dhe 2,9‰ (UN, World Population Prospects; UN, Demographic Yearbook, New York, 1984). Sot Europa, në përgjithësi, ballafaqohet me probleme të mëdha në zhvillimin demografik, sidomos disa vende në Perëndim dhe në ish-vendet komuniste në lindje të tij. Që nga vitet e ‘70-ta të shek. XX vështirësitë dhe çrregullimet e kanë kapluar veçanërisht sferën e riprodhimit të popullsisë dhe atë si në fshat, ku shtimi natyror është pothuajse në të gjitha negativ, ashtu edhe në qytet, ku ka një riprodhim tejet të reduktuar, si p.sh. Gjermania në fshat dhe në qytet, në Austri në qytet, në Francë në fshat etj. (Council of Europe Publishing).

Ka shumë vjet që në disa vende shtimi natyror ka tashmë tendencë negative, me mundësi që të hyjë në një fazë edhe më të thellë të shpopullimit (A. Sauvy). Popullsia e Europës e moshës së vjetër, mbi 60 vjet, këto 6-7 dekadat e fundit e kishte këtë trend: në vitin 1950 12,1%, më 1975 16,4%, në vitin 2000 20,3%, në vitin 2005 28,8% (rreth 200 milionë banorë) dhe nga mesi i shek. XXI kjo moshë parashihet të arrijë në 36,6% (rreth 225 milionë banorë) të popullsisë së përgjithshme (J. Dupâquier). Shumë vendeve, rajoneve dhe popullatave të tyre u kërcënohet rreziku nga zgjerimi i denatalitetit, si fenomeni më i pavolitshëm në zhvillimin e popullsisë (denataliteti nënkupton shtimin negativ natyror, rënien e numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe shpopullimin si pasojë e zvogëlimit të natalitetit dhe rritjen relative e absolute të numrit të vdekjeve në një popullate) (R. Pressat). Rreth dy të tretat e vendeve të këtij kontinenti ka kohë që e kanë normën e riprodhimit neto nën një, që nuk siguron pra as riprodhimin e thjeshtë të popullsisë së tyre. Dhe, tendenca është negative: në vitin 1970 në Europën Perëndimore një grua kishte lindur 2,4 fëmijë, në vitin 2002 ky numër kishte rënë në 1,5 fëmijë (UN, Concise Report on the Population Situation in 1970-1975 and its long-rang implications; Recent Demographic developments in Europe 2016). Ndërkaq, për t’u mbajtur një gjendje stabile demografike, një grua duhet të lindë së paku 2,1 fëmijë ose më konkretisht 2,15 fëmijë.

Në fund të shek. XX vende se Gjermania, Suedia, Italia dhe Austria kishin shtim negativ natyror, vendet baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania) gjithashtu, Franca, Anglia, Belgjika, Finlanda, Danimarka dhe Holanda kishin shtim natyror gati zero, ndërsa në shumë vende të Europës Juglindore shtimi natyror ishte negativ, siç janë Federata Ruse, Bjellorusia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Moldavia, Çekia, Kroacia dhe Sllovenia. Rreth dy të tretat e vendeve të këtij kontinenti në këto 3-4 dekadat e fundit e kanë normën e riprodhimit neto nën një (J. Bourgeois-Pichat). Në fund të shek. XX (1999) në të gjitha vendet e zhvilluara të Europës dhe në vendet e Europës Juglindore norma neto e riprodhimit ishte nën një, madje edhe nën 0,65, siç është rasti me Austrinë, Bullgarinë, Çekinë, Sllovakinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Estoninë, Rumaninë, Federatën Ruse, Slloveninë etj. (Recent Demographic developments in Europe 2000, Council of Europe Publishing, Strasbourg, December 2017). Kjo gjendje i përshkon këto vende përafërsisht edhe sot e gjithë ditën.

Po të mos ishte imigrimi i fuqisë punëtore dhe i popullsisë nga vendet e tjera të pazhvilluara, shumë shtete të Europës do të ballafaqoheshin me krizë edhe më të thellë demografike, me implikime të mëdha afatgjata për zhvillimin e tyre shoqëror, ekonomik dhe politik. Shumë vende evropiane, me masa të ndryshme stimuluese, sot po bëjnë përpjekje për rehabilitimin e procesit të riprodhimit, por rezultatet nuk janë inkurajuese. Procesi i mosshënimit demografik do të jetë një brengë e madhe për Europën në qoftë se nuk arrihet që familjet të kenë më shumë se dy fëmijë, gjë që është pak e besueshme.

Parashihej që në vendet e Bashkimit Europian, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë si anëtare të reja, numri i popullsisë të zvogëlohet nga 482 milionë banorë, sa kishte më 2004 në rreth 450 milionë banorë në vitin 2010. Ose, nëse vazhdon trendi i sotëm demografik në Gjermani, ky vend mund të ketë rënie të numrit të përgjithshëm të popullsisë nga 82 milionë në vitin 2004 në 24 milionë në fund të shek. XXI! Dhe, këto parashikime të zymta mbështeten në hapjen e tyre ndaj imigrantëve të vendeve të tjera të botës, ku një pjesë e të ardhurve kanë parakushte për normë më të lartë të lindshmërisë. Vala masive e imigrantëve jo vetëm në Gjermani, por edhe në tërë Europën e zhvilluar, vjen pikërisht nga vendet e Lindjes së Afërt dhe të Mesme me këto parakushte demografike, pra me shkallë të lartë të lindshmërisë. Por, dukuria e ksenofobisë gjithashtu është e fortë te shumë qarqe të vendeve europiane, gjë që sjell pengesa të mëdha në dhënien e azilit dhe në integrimin e tyre në shoqëritë perëndimore.