` . Transferimi i revolucionit të qetë - TV SHENJA

Transferimi i revolucionit të qetë

Duke e ditur se në zgjedhje të reja duhet të shkohet me ndryshime, dy partitë më të mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, i kanë paralajmëruar votuesit potencialë se kësaj radhe do të ketë ndryshime, siç e do puna. Socialistët i premtojnë ndryshimet nën sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë” kurse demokratët nën “Shqipëria fiton”.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

“Nuk kemi për kë të votojmë”, është një shprehje që dëgjohet shpesh këto ditë në fushatën parazgjedhore në Shqipëri. Deri në dy zgjedhjet e fundit, kur Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ishte fuqizuar, kjo shprehje dëgjohej edhe në Kosovë. Kjo shprehje ka karakter të parullës dhe përcillet nga individët si porosi në media, përfshirë ato sociale që janë dominuese. Kjo e ka kuptimin e asaj që asgjë të re nuk ka në skenën politike të Shqipërisë. Megjithatë, nga një analizë do të zbuloheshin shumë detaje që fshihen pas kësaj thënie. Kjo shprehje është një mjet që i shkon për shtati partisë në pushtet dhe e cila mund të jetë sponsoruese e kësaj thënie-parullë, që i përshtatet edhe strategjisë së fushatës parazgjedhore. Pra, kjo thënie e shpërndarë mund “të përkthehet” edhe kështu: nëse nuk keni kë ta votoni ose nëse nuk jeni të sigurt, votojeni partinë në pushtet. Së paku e dini se me kë keni të bëni dhe mos rrezikoni duke votuar ata për të cilët nuk jeni të sigurt se si do të sillen në pushtet.

Në fakt, në skenën politike të Shqipërisë nuk ka shumë ndodhi të reja që do të premtonin ndryshime të mëdha të cilat janë më se të nevojshme. Megjithatë, partitë politike i kanë ndezur motorët e propagandës për të lëvizur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 25 prill të këtij viti. Duke e ditur se në zgjedhje të reja duhet të shkohet me ndryshime, dy partitë më të mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, i kanë paralajmëruar votuesit potencialë se kësaj radhe do të ketë ndryshime, siç e do puna. Socialistët i premtojnë ndryshimet nën sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë” kurse demokratët nën “Shqipëria fiton”. Që të dyja partitë ndryshimet i arsyetojnë duke trumpetuar se listat e tyre përfshijnë mbi 20% kandidatë të rinj për deputet. Por, paraqitja me kandidatë të rinj nuk do të thotë se është krijuar politikë e re. Në realitet, siç bëjnë me dije informatat dhe analizat nga Shqipëria, në esencë asnjëra nga këto dy parti nuk ka program më të ndryshëm nga i mëparshmi. Prandaj, kur nuk ka ndryshime serioze nga opozita, zakonisht në zgjedhje fiton partia që është në pushtet. Me fjalë tjera, socialistët nuk e kanë të pamundur që të shënojnë fitore edhe një herë dhe ta vazhdojnë qeverisjen e mandatit të tretë.

I vetmi ndryshim në skenën politike të Shqipërisë, gjegjësisht në këtë fushatë zgjedhore, është paraqitja e Lëvizjes Vetëvendosje. Por, as këtu nuk kemi ndonjë ndryshim me domethënie të madhe, për shkak se kjo parti ose lëvizje paraqitet vetëm me tre kandidatë. Dhe, nëse fitojnë që të tretë, megjithatë fuqia e tyre në kuvend nuk do të jetë më shumë se simbolike. Por, esenca e lajmërimit të Lëvizjes Vetëvendosje në politikën e Shqipërisë ka tjetër kuptim dhe rëndësi. Ky është një pilot-projekt i qendrës në Prishtinë, e cila dëshiron t’i testojë ujërat politike së bashku me disponimin e votuesve për këtë parti. Është një veprim i kujdesshëm, që nisë me hapa të vegjël, me qëllim të rritjes më shumë dhe mu ashtu siç ka ndodhur në Kosovë.

Tre garuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, sikur edhe vet udhëheqësi, Albin Kurti, kanë bërë me dije se angazhimi kryesor përqendrohet në fushën e drejtësisë dhe në atë sociale. Pandemia është konsideruar si brengë për angazhim të menjëhershëm dhe se është veprim afatshkurtër, pasi që edhe natyra e pandemisë është e tillë dhe konsiderohet se do të përfundojë gjatë këtij viti. Por, problemet e tjera do të mbeten për të kërkuar zgjidhje. Pra, Lëvizja Vetëvendosje ua ka bërë me dije votuesve në Shqipëri se shqetësimi i saj është padrejtësia, korrupsioni dhe varfëria. Ky është premtimi që Vetëvendosja ua ka dhënë edhe votuesve në Kosovë.

Fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë ka shënuar revolucion, pasi që e ka përmbysur një klasë të vjetër dhe të themeluar thellë në pushtet. Kjo gjë ka krijuar mundësi që një efekt i këtillë të përgatitet për të ndodhur edhe në Shqipëri. Pra, shembulli i Kosovës të zbatohet edhe në Shqipëri. Këtë fakt e ka proklamuar edhe Albin Kurti, i cili në disa raste ka theksuar se shqiptarët e Shqipërisë, sikur ata të Kosovës, kanë nevojë për të njëjtat ndryshime, të cilat do t’i sjellin politikanët e tyre, që nuk e kanë për synim ta pasurojnë veten, por të punojnë për qytetarin dhe shtetin. Pra, sa i përket pozitës dhe relacionit të qytetarit me shtetin dhe të mirat e përgjithshme, Vetëvendosja edhe në Shqipëri do ta zbatojë qëllimin e saj që del nga programi social-demokrat.

Problemi me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri është sikur në Kosovë e, ndoshta, edhe më i madh. Natyrisht, problem tjetër është papunësia, nga e cila lindin problemet e tjera, përfshirë ikjen e të rinjve nga vendi, që është duke u bërë alarmante. Por, Vetëvendosja, për shkak se në Shqipëri është larg nga pushteti, nuk do të mund ta zbatojë programin e saj sikur në Kosovë. Megjithatë, me këta pak deputetë që mund t’i ketë, ekziston mundësia e përgatitjes së terrenit për ngritjen e vetëdijes së votuesve dhe e infrastrukturës së saj për zgjedhjet tjera.

Tashti kritikët mund t’i drejtohen Vetëvendosjes për të kërkuar shpjegim ose llogari se pse kjo lëvizje është larguar nga qëllimi i saj i bashkimit kombëtar, që ishte synimi themelor i proklamuar me të madhe. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se është hequr dorë nga ky qëllim. Ndoshta pjekuria politike e kësaj lëvizje ka ndikuar që në Shqipëri, ku mendohet se nuk ekziston ndonjë pajtueshmëri e gjerë për idenë e bashkimit, fillimisht duhet të bëhen disa veprime të cilat do të çonin në unifikimin e disa fushave tjera, por më të nevojshme, dhe njëkohësisht të bëhet edhe unifikimi i mendjes për këtë çështje. Ky duket të jetë plani i Vetëvendosjes që është i ngjashëm me idenë e Bashkimit Europian, që deri sot është zhvilluar në bashkimin e disa segmenteve në proces e që mendohet se një ditë do të përfundojë në një Europë të bashkuar në të gjitha aspektet.

Rasti i pjesëmarrjes së Vetëvendosjes në këto zgjedhje dhe prirja e saj që kjo të bëhet edhe në Maqedoni, flet për faktin se një parti politike shqiptare për herë të parë vepron në tri shtete dhe me të njëjtin qëllim. Pra, në këtë iniciativë ka shenja të procesit të bashkimit të Europës në zanafillën e saj pos që në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me unifikimin e politikën shqiptare. Nëse tendenca e Vetëvendosjes realizohet, atëherë mund të flasim për ndryshime thelbësore në politikën dhe pozitën e shqiptarëve në Ballkan. Ky do të ishte një revolucion i qetë, që do të mbahej në mend se është transferuar nga Prishtina në Tiranë dhe Shkup.