Tradita shekullore, bullgarët vallëzuan në ujërat e akullta të lumit Tunxha

Tradita shekullore, bullgarët vallëzuan në ujërat e akullta të lumit Tunxha

Burrat nga qyteti bullgar Kalofer, edhe këtë vit si në vitet e kaluara të shoqëruar me daulle, u futën duke vallëzuar në ujërat e akullta të lumit Tunxha, për të vazhduar traditën e tyre 200 vjeçare, raporton AA.

Banorët në fjalë, gjatë festës së tyre të Epifanisë erdhën mëngjesin e sotëm në lumin Tunxha, ku disa prej tyre hynë në lumë për ta thyer akullin i cili kishte ngrirë lumin, për t’u mundësuar të tjerëve që të futen në ujërat e tij.

Edhe pse temperatura e ajrit ishte tetë gradë Celsius nën zero, dhjetëra burra nga qyteti Kalofer hynë në ujin e ftohtë të lumit ku dhe vallëzuan për rreth gjysmë ore.

Sipas besimit që kanë vendasit e kësaj zone, vallëzimi në ujë sjell shëndet dhe mirëqenie për familjet, por është i mirë edhe si një ofertë turistike.

Në mesin e të pranishmëve ishte kryebashkiaku i Kaloferit, Rumen Stojanov, i cili tha se të gjitha hotelet në atë zonë janë rezervuar disa muaj më parë.

“Sado që është e ftohtë Tunxha, askush nga ata që vallëzuan nuk është ftohur”, tha Stojanov.