Tradita dhe kritika

Tradita dhe kritika

“Kërkoj strehim te Zoti nga dituria e padobishme dhe zemra fodulle”!

(Hadith).

Ndjekja verbërisht e zakoneve dhe traditave të lashta nuk do të thotë që të vdekurit janë të gjallë, por që të gjallët janë të vdekur…. Zakonet janë cilësi të shpirtit.

(Ibn Haldun)

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Tradita është ajo që bartet, si kujtime apo ruajtje tregimesh e zakonesh, histori brez pas brezi, ekskluzivisht nga tradita gojore, që do të thotë se tradita është rrënja e thuajse çdo gjendjeje ose akti njerëzor… Mirëpo, ekzistojnë tradita të shumëllojshme, duke pasur parasysh se edhe një bandë kriminale ia bart anëtarit të saj të ri mashtrimet, parullat, normat për ndarjen e plaçkës, ashtu si edhe ndonjë shkollë pikture i udhëzon nxënësit në fshehtësitë e velurit, përbërjen e pigmenteve, zakonet e festave dhe të gostive; dhe ashtu si edhe Shteti, nga gjenerata në gjeneratë, i bart kultet e shenjave, këngëve, rrëfimet atdhetare që edhe sot janë legjendare në atë masë që mendohet se i ka pastruar kritika historike. Në fund po e përmend më të rëndësishmen, duke filluar nga tradita e bisedës nëpër dhoma e deri te institucioni fetar.

Mirëpo, Tradita në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, ajo së cilës për shkak të saktësisë, e jo për shkak të zgjuarsisë retorike, i përket shkronja e madhe, është bartja e lëndës së shkëlqyer dhe më të lartë, njohja e thelbit më të përsosur. Më e rëndësishmja e traditës është vetëkritika e dhe pastërtia e saj.

Tradita e tillë është më e lartë se cilado tjetër, sepse në mënyrë implicite tashmë që më herët ekziston logjikisht në vetë mjetin e bartjes – në gjuhë. Çdo e qenë është shenjë e një qenësie, që mblidhet për aq sa vepron ose thjesht shpallet: në qoftë se bëhet folje e lëvizjes ose gjendjes. Kjo folje e fundit, të jesh, paraqet kusht por edhe përbërës të të gjitha përmbajtjeve gjuhësore. Nga forma dhe koha e kësaj foljeje, i pari është hetuar: të jesh; ai nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë, ngaqë i tejkalon kornizat kohore dhe hapësinore. Ashtu si çdo figurë e dukshme që përmban pikë të pazgjeruar, ndërsa çdo numër pak a shumë e ndryshon idenë e unitetit, ashtu edhe çdo fjalë pafundësisht e imtëson atë të jesh. Të jesh është në gjuhë ajo që është pika në hapësirë, uniteti ndër numrat, ndërsa qenësia në përsosurinë e vet më të lartë paraqet parimin absolut të çdo mundësie; çdo gjë e kuptueshme përkufizohet me shkallën e të qenit të vet, respektivisht me shpejtësinë apo largësinë nga ajo të jesh më e përsosur. Kësisoj, çdo figurë në hapësirë ka shkakun përfundimtar të vet, respektivisht si parim të qenësisë së vet relative apo kalimtare, pikërisht idenë e pikës që nuk e përfshin hapësira; çdo numër, që do të thotë çdo masë e kohës pak a shumë e ndryshon idenë e unitetit; ndërsa çdo fjalë e shpreh atë rend, me ç’rast reduktohet në një nga mënyrat e asaj qenësie të pafundme.

Tradita është bartje e idesë së qenësisë në përsosurinë supreme të saj, domethënë bartje e një hierarkie midis qenieve relative ose historike, e që bazohet mbi shkallën e largësisë së tyre nga ajo pikë ose uniteti. Nganjëherë, ajo bartet jo nga njeriu në njeri, por bartet nga lart, nga qielli: kjo është teofania. Ajo realizohet me ndihmën e një sërë mjetesh: njohjes së shenjtë, ritualeve, përkufizimeve orale qëllimi i të cilave është që te njeriu të zhvillohet ajo pjesë apo ajo aftësi, ajo forcë ose ajo prirje që shpie deri te qenia më së shumti e lejuar për të, duke e vendosur në majë të konstitucionit të tij trupor ose psikik frymën ose institucionin intelektual.

Shumë tradita pohojnë se e shterin Traditën. Mos vallë ashtu duan të krahasohen me numrin e pafundmë që përkufizohet si i tillë sa me shprehjen më të vogël të tij i përfshin të gjitha vargjet e numrave të fundmë? Apo, a nuk dëshirohet të thuhet se vetë mendimi i zgjedhjes midis Traditave paraqet humbje të mishërimit të paracaktuar të Traditës? A nuk presupozon ideja e qenësisë më të përsosur Zbulesën primordiale ose zanafillore nga e cila përhapen të gjitha traditat historikisht të njohura? Dhe a nuk rrjedhin së andejmi përputhjet midis njërës dhe tjetrës, në përsëritjen e arketipave tradicionalë?

Nëse Tradita përkufizohet si një grup aktesh për hir të të cilëve barten mjetet e përshtatshme për t’i rregulluar intuitat e qenësisë më të përsosur, siç janë sahifet dhe komentet, ritualet, trajtat e bisedave dhe dispozitat morale, atëherë të gjitha traditat, të cilitdo objekt, vendosen në perspektivën e asaj mase të tyre të pafundme. Kështu tradita e thjeshtë e kaligrafisë së “levhave”, që kultivohet natyrshëm në ndonjë shkollë ose punëtori artistike, në të vërtetë është pjesë intime e Traditës, me kusht që ajo traditë të jetë e shenjtë dhe kanonike, siç është rasti edhe me arabeskën. Nga kjo gjendje besnikërie të traditës së pikturimit ndaj asaj Tradite të idesë së qenësisë më të përsosur përhapet (si nga lartësia e trëndafilit mistik), një gamë e tërë shkollash kaligrafie.

Duke u realizuar në kufijtë e çdo krijese, d.m.th. të çdo trajte, Tradita duhet t’i përshkojë shumë tradita minore, ngaqë intuitën e thelbit e nxit çdo akt njerëzor. Jo vetëm që artet, e madje edhe zanatet, mund të “shenjtërohen”, por çdo mjet, çdo gjest i zanatçiut mund të kuptohen si simbole të një etape drejt intuitës së qenësisë më të përsosur, ashtu që puna në vëllazëritë (esnafet, ahitë) mesjetare është shfrytëzuar për dobi të përshpirtshme, duke pasur parasysh se leverdia ekonomike ka qenë, në qëllimet më të drejta të vëllazërisë, e vënë në plan të dytë. Çdo akt njerëzor paraqet në formën e tij më të përsosur bartësin e Traditës: mishtorja mund të “shenjtërohet” si vend-flijimi, ndërsa lufta në vuajtje asketike; jeta bashkëshortore mund të bazohet mbi nikahun, bujqësia mund ta metaforizojë mbjelljen e Fjalës ose manifestimin e thelbit më të përsosur në zemrën e papërsosur të njeriut, në tokën e tij pak a shumë pjellore. Ai që mendon që në ligjërimet dhe shkrimet do ta gjejë të shprehur të gjithë Traditën, ai është çuditshëm i gjymtuar dhe i tëhuajëzuar nga qenësia e plotë. Tradita fillon të shkëlqejë vetëm atëherë kur ligjërimi kuptohet si një vel që mbulon dhe vërtetë vetëm duke fshehur – shfaq. Çdo aktivitet i heshtur mundet rishtas ta mbulojë intuitën e qenësisë. Dogma dhe rituali nuk jetojnë të ndarë, e aq më pak jeton ndarë nga uniteti i vet jo vetëm ligjërimi teologjik, por edhe ai filozofik. Përveç kësaj, mbi unitetin e ritualit dhe dogmës ekziston akti, akti i heshtur i pranisë së njeriut në idenë e qenësisë më të përsosur ose, për më tepër, në qenësinë më të përsosur, akti i pranisë pa fjalë, pa teknikë dhe pa kulturë, ngaqë është më superior se ata dhe burimi i tyre.

Njësoj, shpesh dhe me dëshirë thuhet se sot momenti historik e ndalon atë akt të pranisë dhe shumë arsye mund të fisnikërohen për ta vërtetuar këtë. Por fakti se kjo flitet jo vetëm shpesh por edhe me dëshirë duhet që ta nxisë dyshimin te ne. Dëshira për ta thënë këtë do të thotë vetëm shfaqje e frikës nga njohja e ekzistimit të një mase të qenies. Tradita vërtet garanton se çdokujt i është “dhënë” aq sa ka nevojë për ta arritur shkallën përgjegjëse të tij të qenies. Të përzihet fati personal me gjendjen e përgjithshme të shoqërisë gjithmonë paraqet njëfarë teprimi në mendjemadhësinë ose në përulësinë dyfytyrëshe. Ideja për jetën qiellore është farë që, e kultivuar me mjaft dëshirë dhe e njomur me lotët e keqardhjes, do të rritet dhe tokën e djerrë do ta shndërrojë në kopsht, sipas atij premtimit që e përsërit çdo traditë që është në harmoni me Traditën.

Me kritikë nënkuptohet ajo që shfaq krizë të dukshme ose të fshehur, mundësi për çintegrimin e ndonjë personi ose institucioni. Po ashtu mund të thuhet se kritika është akt me të cilin zbulohet teprimi i distancës midis shkakut final dhe formal të ndonjë objekti. Kombi që rrjedh nga marrëdhëniet ekonomike të anëtarëve të tij ndërsa shtiret se ndjek ndonjë qëllim moral, është shembull i mirë i cakut të kritikës. Shprehur me terma modernë, mund të thuhet se kritika e tregon dallimin midis ideologjisë dhe realitetit. Dhe, tani pyetja kryesore nuk është “çfarë mund të kritikohet?”, por “çfarë nuk është kritikuar?”, duke marrë parasysh se të gjithë e kritikojnë atë që është e kundërt me interesat e tyre, ndërsa vetëm në lidhje me Traditën mund të kritikohet çdo gjë dytësore, d.m.th., gjithçka që mund të vërehet në praktikën tonë fetare dhe kulturore. Nuk ekziston asnjë begati e përbotshme që mendja e udhëhequr nga Tradita nuk e kritikon duke treguar se ajo është mashtruese, e paplotë, e rrejshme. Sipas kësaj, kritika është dhe duhet të jetë funksion i Traditës. Sa më shumë që jemi të lidhur për Traditën, aq më të aftë jemi për kritikë, aftësia për kritikë universale është provim i besnikërisë ndaj Traditës e cila, për ta treguar atë të amshuarën, duhet të tregojë se ajo që bëhet nuk është e amshuar. Hapi i parë drejt Traditës është kritika e ideologjisë, d.m.th., kritika e iluzioneve dhe mashtrimeve fantastike me të cilat vishet bota e individit ose e shoqërisë. Tradita është një garanci e shkapërderdhjes së vazhdueshme të gjithçkaje që te individi është shtirje, ndërsa në shoqëri – ideologji, sepse e vendosur asisoj jashtë lojës shoqërore ajo nuk i pranon kufijtë e veprimit të saj, nuk ndalon si revolucionari shoqëror para fetisheve, nuk ngurron ta tregojë qesëndinë e utopive, ëndrrave të një bote në të cilën vesi e ka martuar gëzimin, në të cilën begatitë nuk shfrytëzohen, edhe pse janë fituar pa mund, në të cilën dëbohet tejngopja ndërsa instinktet i zbulojnë harmonitë e brendshme të fshehura nëse asgjë nuk i frenon ato. Ato vegulli janë kulmi i talljes dhe mohimit të arsyes; por kush nga ulematë dhe intelektualët di t’i kritikojë ato? Dhe para së gjithash, kush është ai që di ta kritikojë atë që bazohet mbi to?

Kritika që i shërben cilësdo të mire shoqërore, qoftë ajo edhe ëndrra e thjeshtë, do të jetë gjithmonë e ndrojtur dhe e paplotë ndaj kritikës së frymëzuar nga Tradita. Shenjtori është kritik radikal. Mirëpo Tradita, teksa kritikon dhe rrënon, njëkohësisht edhe lavdëron dhe ndërton, ngaqë pamja e Rreptësisë në të është komplementare me pamjen e Butësisë. Edhe pse gjithçka që është kalimtare do të thotë mashtrim, megjithatë në kontekst të gjërave që janë pranë ajo kalimtare i afron ose largon intuitat e qenësisë më të përsosur, dhe deri në atë masë me të cilën ajo tregon në qenësinë, në masë të njëjtë e merr shkëlqimin nga ajo qenësi. Kësisoj, në dritën e Traditës asgjë nuk është e privilegjuar nga kritika, e megjithatë asgjë nuk është pa të paktën një vlerë më të vogël relative. Pra, rruga tradicionale është njëkohësisht edhe mbrojtje dhe mohim i kritikës: në çdo gjë kritika e zbulon mjerimin, papërhershmërinë, por njëkohësisht e njeh edhe shkallën e esencës: ajo rrënon duke ngritur dhe ngre duke rrënuar.

Ekziston një prirje moderne, por që është e vjetër sa vetë historia, prirje që e fut kritikën për hir të kritikës dhe e përdor utopinë si mjet “dehës” për ngjalljen e rrënimit të vet të pandërprerë. Çdo ngurtësim ose formë të trajtësuar mirë e shpërbëjnë tërbimi konceptor ose sarkazmi: ajo shpërbërje titanike ekzalton, dhe bëhet e ekzaltuar, ndonëse pranohet esenca e saj morbide: theksohet se njeriu është kafshë e sëmurë, që sa më human që është aq është më i larguar nga rendi “i marrë” i orbitave qiellore dhe pafajësia. Kjo prirje deri në atë masë e ka përshkuar mendësinë e përditshme sa që revolucionarja në mënyrë naive është konsideruar si mbiemër lavdërues, ndërsa e tejkaluara sërish në mënyrë naive është konsideruar si sinonim për ligësinë, kështu që pa shaka i shqiptohen lavdërime shqetësimit, risisë për hir të risisë, rrezikut, pakënaqësisë, vetë sëmundjes dhe madje edhe rinisë si mungesë e kritereve tradicionale. Kur besimtarëve të kësaj besëtytnie iu bëhet me dije se kritika ka nevojë për vlerat falë të cilave për historinë gjykohet sipas asaj që nuk ka krijuar, ata përgjigjen se kritika e tyre është e natyrës së brendshme: ajo nuk ka pikëpamje të vetën por e pranon, si parazit, nga rasti në rast, atë pikë të ideologjive që e kritikon, duke treguar në kundërthënien e tyre. Duke mos pasur këndvështrimin e vet, ajo asisoj pretendon të jetë absolute dhe e pakufizuar, ngaqë pranon çdo këndvështrim të mundur për ta minuar atë. Pra, ky do të ishte një negativitet absolut, mishërim i kundërthënies së gjallë. E, megjithatë, ky sofizëm në të cilin kënaqet alimi dhe intelektuali modern është shumë i dobët, sepse, për t’u ekspozuar, ai duhet të përmbajë argumentime, pra parime të çfarëdo mendimi sadopak të rregulluar, parime që janë shprehje logjike të thelbit më të përsosur. Negativiteti absolut nuk është asgjë tjetër, veçse një projektim pseudometaforik i teknikës së mbijetesës së parazitëve: gënjeshtare krahas asaj që është e ndrojtur ndaj kritikës së pakufizuar që e bën Tradita. Tradita mund të dyshojë në premisat në të cilat negativiteti absolut nuk mundet ta bëjë këtë.

Sistemi që vendos tabu mbi çdo ide të së mirës, së vërtetës dhe të bukurës është logjikisht absurd, ndaj ekzaltimi i tij i krijimit në dukje shpërfill se kjo nuk është e mundur veçse si nocion që është komplementar me nocionin qenësi, se negativja paraqet një polaritet e jo absolut madje edhe aty ku për nga natyra kryen një veprim po aq pozitiv. Njeriu i tëri i nënshtruar kritikës e kupton në fund se është i lidhur për një disiplinë të tabuve, ndalesave dhe për represion të idesë së qenësisë më të përsosur që nuk mundet e të mos e tëhuajësojë nga shenjtëria animale e tij duke e hedhur në neurozë. Sëmundja sot nuk është shtypje e instinktit, por kufi i instinktit. Nga të lidhësh rrjedh besimi, kritiku absolut është i lidhur ngushtë dhe i heshtur me besimin e tij të absolutit negativ. Mirëpo, kush është i lidhur për Traditën ai kritikon pa gardhe, pa hezitim e rrënon çdo iluzion, e fiton lirinë e plotë shpirtërore. Pra, mund të thuhet se askush nuk i shmanget një tradite dhe se është vendosur mundësia e zgjedhjes midis Traditës së qenësisë dhe traditës së rrënimit që është qëllim për vete. Siç thoshte i Dërguari i Zotit (a.s.): “O Zoti im, na i trego gjërat ashtu siç janë!” (Hadith). I shikuar nga ky këndvështrim, edhe qytetërimi perëndimor është fushë ku njeriu mund të zgjedhë midis dy traditave të kundërta, që nuk mund të pajtohen përveç përmes ndërmjetësimit ose ndrojtjes ose konfuzionit të nocioneve: midis Traditës metafizike, nga njëra anë, dhe traditës historike, respektivisht shkatërrimtare, nga ana tjetër. Pa Traditë askush nuk jeton, ashtu si askush që nuk ka lindur vetë; mbetet vetëm liria e zgjedhjes midis Traditës së zbuluar dhe Traditës që e mohon Zbuluesin. “E kur ju thuhet atyre: ‘Ejani te ajo që zbriti Allahu dhe te i Dërguari’, ata thonë: ‘Na mjafton ajo që i gjetëm prindërit tanë’, edhe nëse prindërit e tyre nuk dinin asgjë dhe nuk ishin në rrugë të drejtë?!” (El-Maide, 104)