` . Tjetër vetëvrasje në Uruguai, Emiliano Cabrera i jep fund jetës! - TV SHENJA

Tjetër vetëvrasje në Uruguai, Emiliano Cabrera i jep fund jetës!

Uruguai sërish në zi për vetëvrasjen e një tjetër futbollisti. Emiliano Cabrera është i treti lojtar uruguaian në gjashtë muajt e fundit që i ka dhënë fund jetës. 27-vjeçari luante si mbrojtës i majtë dhe aktivizohej me Villa Teresa, skuadër që garon në divizionin e dytë të futbollit vendas. Shkaku i veprimit drastik nuk dihet, por mediet lokale shkruajnë se motivi lidhet me problemet familjare që ka pasur Emiliano kohët e fundit. Ovacion raporton se i riu po kalonte momente shumë të vështira dhe shokët e skuadrës kanë vendosur të grumbullojnë para për të paguar shpenzimet e ceremonisë mortore. Më parë në Uruguai kanë kryer vetëvrasje ish-sulmuesi Santiago Garcia dhe ish-mbrojtësi Williams Martinez. Ky i fundit luante te Villa Teresa bashkë me Cabrera. Për klubin nga Montevideo janë ditë shumë të vështira në historinë e saj 80-vjeçare. /SS/