` . Tipologjia e ngërçeve të pafundme ballkanike - TV SHENJA

Tipologjia e ngërçeve të pafundme ballkanike

Siç duket tashmë, rajoni do të hyjë në një fazë të re, që nënkupton angazhime shumë më të dendura dhe më përmbajtjesore nga ana e SHBA-së dhe BE-së. Sigurisht që ndryshimet nuk do të vijnë brenda natës, por do të duhet kohë deri sa ato të ngjizen si përhershmëri politike dhe demokratike në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, përgjithësisht, do të duhet të jenë në sinkron me këto angazhime dhe me këtë rikthim të vëmendjes amerikane në të gjitha dimensionet e afirmimit të qenies së tyre europiane. Përbrendësimi i vlerave dhe standardeve europiane do të duhet të jetë kryefjalë e protagonistëve të jetës politike dhe publike. Nuk ka alternativë tjetër.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë  

Rajoni i Ballkanit gjithnjë mbetet një habitus politik dhe demokratik me shumë trazime shumëplanëshe. Një tranzicion i stërzgjatur demokratik ka krijuar vrima të zeza, të cilat i përpthithin energjitë për ndryshim, e përthithin synimin për të vendosur praktika të reja qeverisjeje, por edhe për të krijuar një sinergji bashkëpunimesh dhe integrimesh që i tejkalon mendësitë e vjetruara konfliktuale dhe paragjykuese. Ngërçi politik dhe improvizimet mbeten shenjë dalluese përgjithësisht për rajonin e Ballkanit.

Tashmë disa herë me radhë gjatë kësaj periudhe tranzicioni faktori ndërkombëtar, gjegjësisht SHBA-të dhe BE-ja, kanë bërë përpjekje për ta futur rajonin në një realitet të ri bashkëpunimesh, por duket se gjithnjë janë shfaqur pengesa tipike ballkanike, që e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Në Ballkan gjërat lëvizin ngadalë dhe me shumë improvizime, ndërkohë që pritjet për një hapësirë tjetër afirmimesh politike dhe demokratike gjithnjë e më tepër po shndërrohen në një lloj “depresioni” për qytetarët e secilit vend.

Duket se historia po e ripërsërit veten në format më banale të stagnimit dhe të mungesës së sensit për të përbrendësuar vlerat, standardet dhe praktikat që janë shenjë dalluese e hapësirës europiane. Nuk do mend se peizazhi i perceptimit të rajonit në lartësinë e këtyre vlerave të synuara mbetet i zymtë dhe me shumë tonalitete pesimisite. Sapo duket se rajoni më në fund po futet në një dimension tjetër afirmimi, ndërkohë shfaqen probleme të natyrave të ndryshme, që kryesisht shënjojnë mendësinë ballkanike dhe tipologjinë politike të ngërçeve të pafundme, të një horizonti dëshpërues.

Edhe aktualisht vlimet në rajon janë tipike, ndërkohë që nga bashkësia ndërkombëtare po injektohet një lloj dinamike politike dhe demokratike që kërkon ta fuqizojë aspiratën e vendeve të Ballkanit për të qenë pjesëe procesit të integrimeve e që nënkupton anëtarësimin e tyre në BE. Por, përkundër këtij impenjimi nga ana e SHBA-së dhe BE-së, shtresimet e shumta politike që ndërlidhen me periudhën e tranzicionit, por edhe me gjithë sistemin e degraduar të vlerave dhe inkriminimeve të shumta, duket se po manifestojnë një lloj rezistence, gjegjësisht po e ngufatin hapësirën politike në forma qeverisjeje që nuk përputhen në asnjë rast me vlerat europiane të cilat synohen. Pavarësisht nga kjo, duket se impenjimi amerikan dhe europian po bëhet më vendimtar në promovimin e vlerave dhe standardeve tjera, por edhe në zgjidhjen e problemeve brenda vetë shteteve të Ballkanit.

Siç dihet tashmë, problemi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi janë dy çështje që kërkojnë zgjidhje, ndërkohë që tashmë kemi një kthim të vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së. Dy çështje të rënda dhe të vështira, që kërkojnë shumë energji dhe shumë angazhim për t’iu dhënë zgjidhje. Në fakt, janë dy procese që nuk mund të gjejnë zgjidhje të menjëhershme, por që kërkojnë shumë kohë dhe shumë bisedime për të harmonizuar qëndrimet e kundërta të palëve. Edhe pse dy çështje të natyrave të ndryshme, në peizazhin e angazhimeve europiane, ato mbeten probleme që kërkojnë kohë, që kërkojnë qasje korrekte politike, kjo në përputhje me vlerat europiane.

Paralelisht me këto probleme, në rajonin e Ballkanit ka edhe një proces permanent integrimesh, që vjen përmes angazhimit konkret të BE-së. Ky angazhim, në kuptimin e integrimeve dhe përbrendësimit të vlerave evropiane, tashmë ka një paradigmë më konkrete investimesh dhe bashkëpunimesh rajonale, i pagëzuar si “Procesi i Berlinit”, një impuls i ri integrues për rajonin, i iniciuar në vitin 2014 nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Pikërisht, më vijë të kësaj paradigme të re brenda kohës ka pasur një impenjim më të madh të BE-së në Ballkan dhe tashmë ka një bashkëpunim më të ngjeshur mes vendeve të Ballkanit.

Pavarësisht nga ky ngulmim korrekt i BE-së, duket se vendet e Ballkanit janë të prira që të improvizojnë dhe të bëjnë sikur po i zbatojnë reformat e nevojshme, gjegjësisht se po i përbrendësojnë objektivisht vlerat e proklamuara dhe të trumbetuara nga secila qeveri. Protagonistë të dyshimtë të jetës politike, por edhe shtresime të tjera të inkriminuara, duket se po e mbajnë peng jetën politike në vendet e rajonit në formë zgjatimesh, duke e penguar idenë e qeverisjes së mirë dhe, bashkë me këtë, edhe zbatimin e praktikave të reja politike dhe demokratike që vijnë si modele europiane funksionimi. Një lloj kënetizimi narrativ, por edhe me shumë fije të ndërlidhura me inkriminime të shumta po i mbajnë vendet e Ballkanit në një situatë amorfe, tensionuese, në një situatë që do të thotë moszhvillim dhe paperspektivë.

Si në rrafshin politik, në rrafshin e narracioneve publike, por edhe në rrafshin e zgjatimeve inkriminuese, janë vërejtur brenda kohës tendenca bllokuese të mefshta, të cilat kanë pamundësuar vendosjen e një frymë të re afirmuese, e cila nënkupton sinkronin e plotë me vlerat euro-atlantike. Nëse me ish presidentin amerikan, Donald Trump, kishim një tërheqje të lehtë të vëmendjes nga rajoni, tashmë me presidentin e ri, Joe Biden, kemi një rikthim të fuqishëm të vëmendjes në rajon, ashtu siç kishte theksuar ai gjatë fushatës së tij dhe ashtu siç ishte parashikuar nga analistë të vëmendshëm dhe njohës të gjeostrategjive.

Siç dihet tashmë, presidenti Joe Biden, kohë më parë, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për ata që e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, që kryejnë korrupsion dhe i minojnë institucionet demokratike. Pikërisht ky urdhër ekzekutiv nënkupton rikthimin amerikan në rajon, një rikthim që nënkupton sanksionimin e gjithë atyre që e minojnë mbrothësinë e rajonit. Përkundër faktit që ky dekret është interpretuar në forma të ndryshme, varësisht nga aktorët politikë, tashmë është e qartë se ky do të jetë një instrument për t’i shkulur gjithë ata protagonistë politikë dhe aktorë të tjerë që e pengojnë promovimin dhe implementimin e një vizioni integrues për vendet e rajonit. Ky urdhër, gjithashtu, vërteton këmbënguljen e administratës së re amerikane në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe konstituimit të institucioneve të qëndrueshme demokratike.

Pra, siç duket tashmë, rajoni do të hyjë në një fazë të re, që nënkupton angazhime shumë më të dendura dhe më përmbajtjesore nga ana e SHBA-së dhe BE-së. Sigurisht që ndryshimet nuk do të vijnë brenda natës, por do të duhet kohë deri sa ato të ngjizen si përhershmëri politike dhe demokratike në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, përgjithësisht, do të duhet të jenë në sinkron me këto angazhime dhe me këtë rikthim të vëmendjes amerikane në të gjitha dimensionet e afirmimit të qenies së tyre europiane. Përbrendësimi i vlerave dhe standardeve europiane do të duhet të jetë kryefjalë e protagonistëve të jetës politike dhe publike. Nuk ka alternativë tjetër. Një bashkëpunim kreativ dhe korrekt mes hapësirave shqiptare është në sinkron me këto koordinata të reja, që tashmë po vendosen për rajonin e Ballkanit. Gjithë aktorët relevantë të jetës politike dhe publike duhet të kultivojnë me shumë përgjegjësi një hapësirë tjetër afirmimesh demokratike për të qenë kështu pjesë e dinamikave të reja gjeostrategjike dhe politike në rajon dhe për të qenë pjesë e shkëputjes nga mendësitë e vjetra, nga ngërçet e pafundme të integrimeve, që imponohen nga zgjatimet e së kaluarës, nga mendësi që më çdo kusht duan ta mbajnë rajonin dhe, bashkë me këtë, edhe shqiptarët në konfliktualitet të përhershëm, në një situatë të pashpresë dhe depresive.